VIDEO-SYRI TV/ Pallati dhe tenderi që çuan Dakon në paraburgim

22:04, 06/06/2023

Një kallëzim i bërë nga banorët e një pallati të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe abuzimet me një tender për pastrimin e shëtitores, dyshohet se janë shkaku i arrestimit të Vangjush Dakos. Ish-kryebashkiaku dyshohet se ka dhënë leje për ndërtimin e kateve shtesë në një pallat, duke rrezikuar jetën e banorëve. Ndërsa KLSH e ka paditur Vangjush Dakon, pasi dyshohet se shkaktoi një dëm prej 18 milionë lekësh me një tender për pastrimin e shëtitores së qytetit.

Ky pallat që po shihni në foto, dyshohet se është një nga çështjet që ka çuar në paraburgim ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Pallati në fjalë u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, duke vënë në rrezik jetën e 15 familjeve që jetonin në të. Pas tërmetit, të pesëmbëdhjetë familjet bën një kallëzim të përbashkët në SPAK, ku akuzonin ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, kryetaren aktuale të bashkisë Emirjana Sako si dhe zyrtarë të tjerë, për disa vepra penale, përfshirë atë të vrasjes së mbetur në tentativë, korrupsionit, shpërdorimit të detyrës apo falsifikimit të dokumentave.

 Konkretisht, pallati në fjalë ka marrë leje ndërtimi në vitin 2009, dhe ishte planifikuar të ndërtohej me 5 kate, por më pas, ai ka përfunduar me disa kate më shumë se projekti. Për këtë, banorët kanë ngritur dyshime se nëpërmjet korrupsionit dhe falsifikikmit të dokumentave, ish-kryebashkiaku Vangjush Dako dhe zyrtarët e tjerë të vënë në pranga, kanë lejuar ndërtimin e kateve shtesë në këtë pallat, duke sjellë edhe dëmtimet e mëdha në tërmetin e 26 nëntorit të vitit 2019.

Por kjo nuk është e vetmja çështje për të cilën Vangjush Dako thirrej shpesh në SPAK, e fundit herë, vetëm tre ditë më parë. Një tjetër kallëzim ndaj tij, ishte bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për një tender të zhvilluar në vitin 2014-2015, ku bëhej fjalë për pastrimin e shëtitores së qytetit, ku sipas KLSH, bashkia i ka shkaktuar një dëm prej 180 milionë lekësh të vjetra buxhetit të shtetit. Dosja e Pallatit dhe ajo e tenderit të KLSH, sipas burimeve nga SPAK, janë hetuar të ndara, ndërsa deri në këtë fazë të hetimeve, dyshohet se janë konfirmuar shkelje të cilat ngarkojnë me përgjegjësi ligjore kryebashkiakun e Durrësit dhe ish-vartësit e tij. Megjithatë, SPAK ende nuk ka dalë në reagim zyrtar, për të treguar shkeljet ligjore për të cilat është vënë në pranga Vangjush Dako. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco