Albanologjia në alarm pas vendimit për shuarjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike

Albanologjia në alarm pas vendimit për shuarjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike

13:55, 06/06/2023

Shuarja e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) në Tiranë ka alarmuar studiuesit e shkencave të albanologjisë në Shqipëri, Kosovë e më gjerë.

Qeveria shqiptare ka vendosur që të shuajë veprimtarinë e ASA-s dhe të gjithë detyrimet dhe të drejtat e saj t’ia transferojë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH).

Sipas vendimit të Qeverisë Shqiptare, transferimi i ASA-s në ASHSH do të përmbyllet deri më 31 dhjetor 2023.

Ky vendim i marrë është kundërshtuar nga institucionet akademik e studiues të albanologjisë, duke e konsideruar këtë veprim si ndërhyrje të drejtpërdrejt të politikës në aktivitetet studimore.

ASA thotë se vendimi i qeverisë do të ndikojë në studimet albanologjike dhe është marrë pa miratimin e tyre.

Por, vendimi i Qeverisë për ASA-n është mbështetur nga ASHSH-ja.

Vendimi i Qeverisë në Tiranë

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që të shuaj ASA-n dhe ta bëjë transferimin e të gjitha njësive, të drejtave dhe detyrimeve tek ASHSH-ja.

“Njësitë kryesore ekzistuese, Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike riorganizohen si njësi të kërkimstudimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, brenda datës 31 dhjetor 2023”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit”- thuhet në vendimin e Qeverisë së Shqipërisë. Pikat tjera përcaktojë se gjithë pasuria e ASA-s dhe njësitë akademike i kalojë në administrim ASHSH-së.

ASHSH-ja e ka mbrojtur vendimin për shuarjen e ASA-s duke konsideruar se prej dy vjetësh ka kërkuar ribashkimin e instituteve albanologjike që iu ndanë me reformën e vitit 2007, reformë e cila sipas saj dëmtoi studimet albanologjike.

“Vendimi i Qeverisë për bashkimin e ASA-s me ASHSH, jo vetëm hap perspektivën e reformimit të mëtejmë, por zgjidh një problem të vetëfunksionimit të sistemit kombëtar të kërkimit shkencor. Ky është fuqizim i sistemit arsimor-shkencor, dhe nuk është fuqizim as i individit, as i Kryesisë së Akademisë, e as i Asamblesë së Akademisë së Shkencave”- kanë thënë nga ASHSH-ja.

Kundërshtimi dhe pasojat e mundshme

Senati i ASA-s e konsideron shkelje ligjore vendimin e qeverisë pas vendimit për shuarjen e këtij institucioni dhe me pasoja për albanologjinë.

“Mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është palë si IAL, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbartë. Shuhen Institutet duke i shndërruar ato në njësi kërkimore, që sipas nenit 19 të ligjit për Akademinë e Shkencave, janë ose njësi dyvjeçare ose afatgjata, pra me kohë të kufizuar”- thuhet në njoftimin e Senatit të ASA-s.

Dega e Folklorit – Instituti Albanologjik i Prishtinës (IPA) në reagimin e saj thotë se arbitraritetin e politikës e patën provuar në kurriz të tyre, studiuesit e Institutit IAP-së vite më parë.

“Reformat e ristrukturimet e institucioneve të kulturës kombëtare, në emër të vënies së rregullit, apo të çfarëdo arsyeje tjetër ‘madhore’, pa i pyetur të zotët e punës, gjithmonë janë të dëmshme, si për ata vetë ashtu edhe për institucionet, shkencën dhe kulturën në përgjithësi”- thuhet në reagimin e Degës së Folklorit të IAP-së.

Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, përmes një njoftimi konsideron se propozimi për mbylljen e ASA-s do të krijojë vështirësi në realizimin e projekteve mes institucioneve në të dyja anët e kufirit.

“Propozimi për shpërbërjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) dhe kalimin e katër instituteve kërkimore dhe dy njësive kërkimore të saj në kuadër të Akademisë së Shkencave, krijon një zbrazëti në fushën kërkimore-shkencore, si dhe vështirësi në realizimin e projekteve të shumta të përbashkëta që i kemi me Institutin e Historisë në Tiranë”- thuhet në njoftimin e IH-së, “Ali Hadri”.

Kurse, në një reagim të tyre, profesorët e Departamentit të Gjuhës shqipe në UP,  Bardh Rugova, Shkumbin Munishi e Rrahman Paçarizi, konsiderojnë se vendimi për shuarjen e ASA-s përbën ndërhyrje të institucioneve politike mbi veprimtarinë kërkimore.

“Ndërhyrja e politikës mbi aktivitetin studimor është tentim për të kontrolluar, “disiplinuar” dhe sunduar mendjet krijuese. E kuptojmë se pushtetet – kudo – nuk e duan mendimtarin e lirë dhe, më me dëshirë, do të kishin dorë mbi ta. Prej këtu kemi edhe termat poshtërues në botën akademike për “mendimtarët” e pushteteve: studiues i oborrit. Studiuesit e oborrit janë tipikë për vendet e diktaturave”-thuhet në reagimin e tyre.

Ndaj vendit për shuarjen e ASA-s ka reaguar edhe studiuesi Arsim Canolli.

“Shkrirja e tyre dhe ASA-s në kthina të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është krejt e paarsyeshme, një arbitraritet politik pa kandar! Por, e dimë një gjë: dinjiteti i kolegëve të IAKSA-se do të triumfojë!”- ka shkruar Canolli në reagimin e tij.

ASA është themeluar në 2008 dhe funksionon me pesë institute: Antropologji Kulturore dhe Studim Arti;  Arkeologji; Gjuhësi dhe Letërsi;  Histori dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco