Berisha: Qëllimi më madhor i opozitës ishte rikthimi i pluralizmit në qeverisjen vendore

Berisha: Qëllimi më madhor i opozitës ishte rikthimi i pluralizmit në qeverisjen vendore

13:20, 29/05/2023

Kryetari demokrat, Sali Berisha tha sot se në qeverisjen vendore është rikthyer pluralizmi.

“Ajo që mund të them në tërësi ju si kandidatë keni bërë një punë shumë serioze, keni qenë të vetmit kandidatë që paraqitët alternativë të vërtetë për problemet e bashkive tuaja.

U dëshmuat njohës shumë të mirë të të gjitha problemeve. Studiuat me interes të madh dhe paraqitët zgjidhje për çështjet e keqqeverisjes aktuale dhe një alternativë shumë të mirë për të ardhmen. Bëtë një fushatë serioze, një fushatë dinjitoze.

Qëndruat të gatshëm në çdo rast për transparencë dhe ballafaqim me rivalët tuaj politikë, gjë e cila kam bindjen se është një detyrim i çdo kandidati dhe politikani që merr pjesë në fushatën elektorale.

Në këto zgjedhje, natyrisht rezultati është larg atij që ju meritonit dhe që pritej.

Por, përsëri duhet të shtoj se beteja jonë kishte qëllimin më madhor, rikthimin e pluralizmit në qeverisjen vendore mbasi për fatin më të keq, PD në një kontribut antihistorik, kishte braktisur zgjedhjet e vitit 2019 dhe në një mënyrë ose një tjetër, bërë të mundur vendosjen e monizmit në Shqipëri.

Sot, në mbarë vendin, në të gjitha parlamentet lokale, ka një opozitë prej qindra këshilltarësh, të cilët i përgëzoj si për punën që kanë bërë dhe për misionin e rëndësishëm që kanë. Opozitë që i jep fund në aspektin parlamentar lokal, monizmit të plotë që ekzistonte.

Opozitë që ka një mision shumë të rëndësishëm për të bërë gjithçka, për të nxjerrë përpara publikut shqiptar, grabitjen e pasurive nga qeveritarët dhe të pasurit, në kurriz të varfërimit dhe përzënies së të varfërve nga Shqipëria.

Nëse nuk kishim asnjë zë dhe deri para 14 majit, opozitarizmi në qeverisjen vendore nuk ekzistonte, tani kjo ka marrë fund.

Përveç kësaj, në disa bashki si Mirdita, Puka, Fushë Arrëzi, Kavaja, Himara, fituan kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe unë jam i bindur se këta kandidatë, këta kryetarë bashkie, do bëjnë gjithçka për një qeverisje ndryshe, me qytetarin, për qytetarin," tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco