Rama dhe Gjinushi shkrijnë Akademinë e Studimeve Albanologjike/ Senati: Nuk do ketë më kërkime

Rama dhe Gjinushi shkrijnë Akademinë e Studimeve Albanologjike/ Senati: Nuk do ketë më kërkime

12:28, 27/05/2023

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), në një deklaratë për mediat, ka kundërshtuar vendimin për shkrirjen e kësaj akademie. Senati thekson se akademikët nuk ishin vënë në dijeni për këtë fakt, ndërsa shtuan se po shkelen parimet e lirisë akademike.

Senati thekson se me këtë vendim nuk do të ketë më studime albanologjike, ndërsa rektori i kësaj akademie tha se Akademia e Shkencave, e drejtuar nga Skënder Gjinushi, nuk ka të drejtë që të krijojë institute.

“Institucioneve shkencore nuk besoj se ju shkon greva. Do të ndjekim hapat tonë ligjorë, duke iu referuar legjislacionit. Nëse këto vendime janë pro kuadrit ligjor, do të fitojnë ata që kanë ndërmarr këtë hap, në të kundërt ne”, tha rektori i Akademisë së Studimeve, Luan Përzhita.

Përzhita tha se projektvendimi për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike është një projekt tendencioz që nuk dihet se kujt i shërben. Ai tha se ky projektvendim është në shkelje të ligjit për arsimin e lartë.

"Nuk jemi përpara një fakti të kryer, jemi në procedurë, pasi Këshilli i Ministrave ende nuk ka vendosur. Ne mendojmë se nuk ka humbur arsyeja. Ne punojmë në këtë fushë për të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë. Për sa i takon pjesës së instituteve, ata nuk do të shkojnë te Akademia e Shkencave, por do të shkojnë grimca të tyre. Atëherë i bie të mos ketë më studime albanologjike," tha Përzhita.

Kurse akademikja Ledi Shamku Shkreli tha se projektvendimi për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike nuk i është vënë në dijeni anëtarëve të akademisë në rrugë zyrtare. Përmes një deklarate për mediat, ajo tha se me këtë vendim të qeverisë, të gjitha institutet më të vjetra studimore shqiptare do të shuhen.

“Ne nuk na është vënë kurrë në dijeni relacioni sesi do të zhbëhet ASA. Thuhet që është në përputhje me frymën e ligjit të arsimit të lartë. Unë i bëj thirrje kujtesës sime, që si ish-deputete e kam kaluar nëpër duar atë ligj, por merita më e madhe e atij ligji ishte se ishte europian”, tha ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco