Ligj për miq! Pijini lëngun rregullores të Kuvendit tashti!

Ligj për miq! Pijini lëngun rregullores të Kuvendit tashti!

09:33, 01/04/2023

Nga Artan Fuga.

Ligj për miq! Në mes të ditës!

Shihni vetëm pesë minutat e fundit të kësaj videoje që është postuar më poshtë dhe që është një rregjistrim nga seanca e fundit në komisionin e edukimit dhe medias në Kuvendin e Shqipërisë!

Çfarë skandali!

Në kohën kur deputetja Ina Zhupa bën pyetjet që ajo mendon për të nxjerrë në pah aspekte të seancës dëgjimore, dy deputetët nismëtarë që në kundërshtim me rregulloren dhe kodin e sjelljes të deputetit po orvaten të ndryshojnë ligjin për akademinë e shkencave pas kurrizit të akademikëve, kanë një sjellje shumë të çuditshme!

Sapo duhet të nisnin përgjigjet e atyre që ishin thirrur për raportim, deputeti Petro Koçi, nismëtar i këtyre ndryshimeve pa pyetur fare për mendimin e akademikëve kujtohet të thotë se mbledhja duhet të mbyllet sepse "nuk është numri i duhur" i deputetëve prezent! A thua se deri atëhere kishte qenë korumi!!!

E "mbyll" në kokë të tij, ikën, e mbyll mbledhjen pa u hedhur në votë dhe pa pyetur kryetaren!

Dhe pa pritur vendimin e kryetares të komisionit "përplas derën" dhe ikën!

Pa propozuar madje as një vazhdim të saj në një moment të dytë!

Në vend të kërkonte që të vinin deputetët e larguar!

Kaq lehtë mund të sillet një deputet që ka përgjegjësi përpara nesh?

Ndërkohë deputeti tjetër Ismet Beqiraj, nismëtari i parë i atakimit të ligjit në fuqi për Akademinë e Shkencave, në kundërshtim flagrant me rregulloren e Kuvendit dhe kodin etik të deputetit, deklaron se po ikën të pijë kafe me ata që ishin thirrur për dëgjesë, duke shtuar se ata "burra" janë kolegët dhe miqtë e tij!

Mbahuni fort!

As më shumë dhe as më pak, deklaron se ata për të cilët ai orvatet të ndryshojë ligjin ose të bëjë seanca dëgjimore janë: Miiiqtë e tij!

Në vend të deklarojë që meqë këta që kemi thirrur për dëgjesë janë miqtë, farefisi, kolegët e mi, unë po largohem dhe po qendroj mënjanë kësaj gjëje!

Jo, jo lufton për miqtë e vet sikurse deklaron me gojë e vet, me zë të plotë, pa iu dridhur syri fare!

Uaaaaa, e pabesueshmeeeeeee!

Hajde bëjmë ligje për miqtë, bashkëfshatarët, krushqit, komshinjtë taniiiiii!

Eshtë njësoj sikur t'i ve dhjetë një studenti që nuk ka mësuar, që është dru, gdhë, duke thirrur nga dritarja: Ikni mo, dua t'i ve dhjetë se është djali i shoferit të autobuzit me të cilin vij në fakultet!

Harron se ligji duhet të jetë si era që fryn pa e ditur se cilin prek, se cilën velë anijeje shtyn, se çfarë gjethesh të kalbura rrëzon në tokë

Ligje për miqtë!!!

Deklarim i hapur në selinë e Kuvendit të Shqipërisë i konfliktit të interesit! Për miqtë dhe kolegët e tij bën ligj ai?!

Unë shpresoj që Kryetarja e komisionit të edukimit dhe medias, zonja Flutura Açka të kërkojë zbatimin e rregullores për këtë deklarim haptazi në kundërshtim me ligjin që më ka pataksur si qytetar! Pyetja ime për të është : Si mund të lejohen këto sjellje para syve tanë si qytetarë?

Si qytetar denoncoj këtë rast flagrant dhe si palë e interesuar kërkoj që ky deputet të mënjanohet nga çdo nismë a shqyrtim që ka të bëjë me arsimin e lartë dhe veçanërisht me akademinë e shkencave sepse deklaron se drejtuesit janë miqtë e tij!

A ka të drejtë deputeti të shkelë ligjin?!

Shikoni se ç'bëhet me taksat tona!

Pijini lëngun rregullores të Kuvendit tashti! Pijini lëngun edhe Kodit etik të deputetit!

Lutem nëse bëni komente ruani etikën dhe pa përdorur asnjë fyerje, ndryshe jam i detyruar t'i heq ato komente fyese. Deputetët duhet t'i nderojmë se ata punojnë për ne !

Ja një rast konkret!

Shiheni, shiheni dhe pastaj gjykoni pa pasion!

Çfarë skandalesh!
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco