Rama me tritol, krimi me kallash! Si po goditet media në Shqipëri!

Rama me tritol, krimi me kallash! Si po goditet media në Shqipëri!

15:36, 27/03/2023

Kur Edi Rama nisi të fliste përpara një grupi gazetarësh në Londër, ndoshta jo të gjithë mund ta kenë menduar se përpara do kenë një njeri që do i gënjente hapur.

Një gazetare e pyeti për situatën dramatike të medias në Shqipëri, duke i kërkuar informacion se përse po gjobiten mediat. Pa iu skuqur faqja, Rama deklaroi se nuk i është vënë asnjë gjobë medias, edhe pse para pak ditësh, shteti i tij kishte gjobitur me të paktën 200 mijë euro televizionin Neës24 dhe miliona euro të tjera bizneset në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliu.

Por historia e gjobave është vetëm maja e ajsbergut. Rama nuk u tha gazetarëve të pranishëm se përse kishte konfiskuar pa një vendim gjykate godinat e një resorti në pronësi të këtij biznesmeni dhe përse i kishte vënë rruspën dhe tritolin përpara disa muajsh godinës kryesore të këtij resorti, sërish pa asnjë vendim gjyqësor.

Kryeministri mund të ketë menduar se do i joshë sërish me historitë e pikturave dhe ngjyrave, por këtë herë zullumi është trashur jashtëzakonisht.

Kur bie fjala për lirinë e medias, Shqipëria renditet njësoj si ccdo narkoshtet tjetër në botë, madje krahasohet edhe me junta ushtarake.

Klima e terrorit ndaj medias nisi që në ditët e para kur Edi Rama mori pushtetin dhe vendosi të mbyllë një televizion si Agon Channel, me një kosto të frikshme për xhepat e shqiptarëve. Të paktën 140 milionë euro do na kushtojë vetëm ky episod i fushatës së terrorit të Ramës.

Më pas iu vu pas televizionit Ora News, duke provuar edhe këtu të gjitha metodat që do të sillnin ose gjunjëzimin para tij, ose rrënimin e plotë ekonomik dhe financiar.

Atëherë kur mendoi se i kishte shumicën dërrmuese në xhep, nisi një fushatë për të vendosur nën kontroll rrjetin televizion ABC News me metoda tipike për republikat e bananeve.

Kur shqiptarët menduan se i kishin parë të gjitha, erdhi edhe sulmi mafioz me armë mbi televizionin Top Channel, që ka shokuar opinionin publik. Vetë Rama reagoi me cinizmin e zakonshëm ndaj atij televizioni që dikur e pati quajtur makineri gjobëvëniesh.

Vetëm pak ditë pasi u mësua se ky televizion kishte shitur aksionet e tij në një parajsë fiskale, Rama që tanimë e ka nënshtruar plotësisht atë, kërkoi edhe solidaritetin e shqiptarëve.

Por përse krimi vendosi të qëllojë me plumba mbi Top Channel, duke vrarë një roje dhe duke rrezikuar një masakër më të madhe?

Nuk është nevoja të pyesni ndonjë ekspert kriminologjie për atë që e dinë të gjithë: se krimi trimërohet dhe godet kur sheh se cila është klima që ka krijuar Edi Rama në vend.

Jo më kot e quajnë klimë sigurie. Dhe klima që i ka ofruar Rama krimit është një parajsë. Jo si ajo e Belizes, por e ngjashme.

Kallashi është thjesht një nga format e presionit në një klimë presioni dhe terrori të krijuar nga Rama ndaj mediave, të cilat i blen kur mundet, i hedh në erë kur nuk mundet, ose i konfiskon dhe i falimenton me gjoba.

Kallashi ishte vetëm një nuancë e një panorame më të madhe ku si zakonisht nuk kuptohet ku nis qeveria dhe ku mbaron krimi. Nëse i pari godet me tritol, të dytët po qëllojnë me kallash.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco