Kthehet frika e hasmërisë në Rrëshen, përplasje mes Reçëve dhe Bardhëve! Si ndodhi konflikti me armë zjarri

Kthehet frika e hasmërisë në Rrëshen, përplasje mes Reçëve dhe Bardhëve! Si ndodhi konflikti me armë zjarri

08:26, 27/03/2023

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e djeshme në qytetin e Rrëshenit, ku fillimisht Policia e trajtoi ngjarjen si një sherr mes dy të rinjsh.

Mirëpo, më pas, teksa janë parë protagonistët e asaj përplasjeje me armë, është vërtetuar se në fakt personazhet e përfshirë janë emra që mbartin një histori të përgjakshme prej vitesh në atë zonë e jo vetëm, por që shtrihet deri në Itali dhe vende të tjera të Europës.

Dy të rinj, një nga fisi Reçi dhe tjetri nga fisi Bardhi, janë përplasur fizikisht, më pas djali i Bardhëve ka shkuar në shtëpi, ka marrë armën e bashkë me të edhe të atin duke qëlluar me pistoletë nipin e Kastriot Reçit, djalin e vëllait të viktimës së përplasjeve të dhunshme të Mirditës së viteve të fundit.

Saimir Reçi është përpjekur tu shmanget plumbave e për pasojë ka humbur drejtimin e mjetit duke u përplasur me bordurat, por për fatin e tij dhe të familjes së tij ai ka mundur të shpëtojë nga vdekja. Ndërkohë, Policia ka bërë me dije se ka shpall në kërkim babë i bir për ngjarjen që nuk ka shënuar asnjë të lënduar.

Kanë nisur hetimet, ndërkohë pritet marrja e dëshmisë së Saimir Reçit, i cili është shoqëruar menjëherë nga policia për të sqaruar gjithçka ka ndodhur mes tyre, ndërkohë që bëhet me dije se përplasja fizike ka pasur edhe dëshmitarë okularë, të cilët pritet ta ndihmojnë prokurorinë dhe policinë të hedhin dritë mbi konfliktin për të frenuar vijimin e ndonjë përplasjeje të re mes palëve. Edhe pse duket se prej disa kohësh zona dhe familjet e protagonistëve të ngjarjeve të rëndë që janë shënuar viteve të fundit ka rënë në qetësi, mësohet se ngjarja e mbrëmshme, në dukje një sherr banal, ka shtuar ankthin e ndonjë vijimi hasmërie mes palëve.

Policia

Një konflikt mes disa personave në Mirditë është shoqëruar të shtëna me armë zjarri, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Rrëshenit mbrëmjen e djeshme, ku mësohet se të përfshirë janë babë e bir. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit S. R., i cili gjatë largimit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe është përplasur me bordurën e rrugë.

“Qëlluan me armë zjarri, pas një konflikti të çastit, drejt automjetit të një shtetasi, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar (babë e bir). Në Rrëshen, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, dyshohet se shtetasit M. B. dhe E. B. (babë e bir), banues në Mirditë, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit S. R., banues në Mirditë, i cili gjatë largimit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përplasur me bordurën e rrugës. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe Forcat Operacionale të DVP Lezhë.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se fillimisht janë konfliktuar dy të rinjtë me njëri-tjetrin dhe më pas shtetasi E. B. ka shkuar në banesë dhe së bashku me babanë e tij, shtetasin M. B., kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi S. R. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Janë ngritur pika kontrolli, si dhe vijon kontrolli i zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar”, njofton Policia. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, me qëllim zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco