'Tirana në duart e tua'/ Këlliçi: Jam kandidat i të gjithë qytetarëve!

'Tirana në duart e tua'/ Këlliçi: Jam kandidat i të gjithë qytetarëve!

19:21, 23/03/2023

Në fjalimin që mbajti në seancën kur dorëzoi mandatin, Belind Këlliçi u shpreh se po futet në një projekt të ri, që është gara për Bashkinë e Tiranës, dhe siguroi se do të ofrojë një model tjetër, ndryshe nga sa prodhon politika sot.
 
“Unë sot, pas kësaj seance do të dorëzoj mandatin e deputetit, sepse me besim të plotë i kam hyrë një projekti të madh politik. Me besimin që më ka dhënë anëtarësia e PD në të parin proces të primareve, jam zgjedhur si kandidat i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, e duke nisur nga nesër unë do të jem kandidati i të gjithë qytetarëve të Tiranës”, tha Këlliçi.
 
Ai renditi disa prej parimeve që ai do të ndjekë në këtë nismë të re politike, dhe vlerat për të cilat do të luftojë. 

"Po hyj në një garë për të drejtuar bashkinë e qytetit ku linda e u rrita, qytetit që e dua shumë e ku nesër dua të rris fëmijët e mi. Nuk ka dyshim se Tirana e ndjen nevojën për ndryshim ashtu si e gjithë Shqipëria, por këtë rradhë e keni fare të thjeshtë, pasi “Ndryshimi është në duart tuaja”. Unë jam i bindur se Tirana do t’i prijë ndryshimit, dhe e ka në shpirtin e saj, në vlerat që përfaqëson forcën për të mos qëndruar nën zgjedhë, nën tutelë. Unë jam për një model tjetër, të një marrdhënie të hapur, të ndershme deri në fund me qytetarin. Një kontratë që bazohet mbi të vërtetën. Një kurs i ri që e përjashton një herë e mirë gënjeshtrën, shtirjen, mashtrimin elektoral.

Një model e alternativë që krijon një qeverisje që shihet çdo ditë në dritë të diellit, e kontrollohet prej qytetarëve. Ku vendimet merren me konsensusin e tyre. Një model ku nuk bie më as një tullë e vetme në këtë qytet, me shkatërrime të pabesa në errësirë, me shëmbje banesash me gaz lotsjellës dhe nuk vihet më një tullë e vetme në këtë qytet, për interesat e kryetarit, të kryeministrit, apo të miqve e klientëve të tyre. Interesi publik, interesi i qytetarëve, i të rinjve e të rejave, i familjeve, e ardhmja e fëmijeve të këtij qyteti, do të jenë e vetmja busull, i vetmi orientim i imi. Dhe fuqi në botë që më ndalon nga kjo nuk ka.

Sepse asgjë nuk kam më të shenjtë se fjalën e dhënë, besimin e marrë, premtimin, fytyrën dhe emrin tim. Nuk do ta shes kurrë shpirtin, për një privilegj. Nuk do të bëj kurrë atë që kundërshtari im bën prej 8 vitesh, e për fat të keq, e bëni dhe shumë prej jush në këtë sallë. Do të shihemi sërish. Me bindjen e plotë se do të shihemi me 15 maj, në një qytet të dalë nga vargonjtë e korrupsionit, e tutelës së kullave të betonit, e gjobave e taksave të shtuara të kryetarit", deklaroi Këlliçi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco