Fjalimi i fortë në Kuvend/ Dorëzon mandatin, Belind Këlliçi kritika politikës

19:04, 23/03/2023

Deputeti i PD-sw, Belind Këlliçi ka dorëzuar sot mandatin me një fjalim të fortë në Kuvend. Mesazhet e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës, ishin të drejtpërdrejta dhe vijnë si një reflektim i këtyre dy viteve të angazhimit në jetën politike si anëtar i Parlamentit.

Këlliçi ka shprehur zhgënjimin për atë që ka parë dhe dëshmuar në këto kohë, ndërkohë që pritshmëritë e tij ishin të mëdha.

“Kur hyra për herë të parë në këtë sallë, në shtatorin e vitit 2021, pata një emocion të fortë. E kisha ngarkuar veten me pritshmëri të mëdha, pasi nuk besoj të ketë privilegj më të madh për një njeri politik, për një të ri, se sa të marrë besimin e njerëzve, t’i përfaqësojë ata dhe të betohet si deputet i Republikës.

I thoja vetes se po futem në aulën ku janë bërë ndryshime të mëdha, e ku janë marrë vendime historike për vendin tim. Do kem dhe unë një karrike aty ku dikur është ulur Azem Hajdari, ku ka qenë Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, Sokol Olldashi, aty ku sot është Sali Berisha, apo ku ka qenë Rexhep Mejdani, e ku sot vijon të jetë Pandeli Majko, kryeministri i luftës së Kosovës. Me këtë trysni emocionale, me këto ide se po bëhem pjesë e një trupe të rëndësishme që udhëheq vendin, hyra në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Këlliçi.

Por ai vërejti se ndryshe nga sa shpresonte, tjetër gjë gjeti në Kuvend, aty ku është zemra e politikës.

“Shpejt vura re se shenjtëri jo që nuk gjeta, por më keq, profanja, spekulimi, gënjeshtra, sulmi, urrejtja, vulgu, qenë tiparet e pandashme të Parlamentit tonë. Pothuaj asgjë këtu nuk dallova që ka të bëjë me jetën e qytetarëve, me shqetësimet e tyre. Një rendje e çmendur për interesin personal, një makutëri për pushtet, një lakmi për privilegje. Nuk hasa në asnjë moment, e nuk e pashë në dy vite, atë që njihet si boja, përmasa e njeriut.

Të atij e asaj që ju ka votuar, që na ka votuar, që na ka sjellë këtu të jemi besnikët e tyre, që t’u mbrojmë interesat, ëndrrat dhe aspiratat. Keni shitur shpirtin kolegë, më vjen keq ta them këtë për pjesën tuaj dërrmuese. Sepse nuk ka konkluzion tjetër, nuk ka emërtim tjetër, kur bën pabesinë e tradhtinë më të madhe, që t’i kthesh kurrizin atij që të dha gjithë këtë privilegj e bekim, që të solli në këtë sallë, pra t’i kthesh kurrizin qytetarit tënd”, deklaroi Këlliçi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco