Pasi dëboi shqiptarët, 'kryeministri i gomoneve' zbarkon në Londër

Pasi dëboi shqiptarët, 'kryeministri i gomoneve' zbarkon në Londër

15:44, 21/03/2023
Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, u kthyer në një problem serioz për autoritetet britanike, kur papritur në vitin 2022, u vu re një rritje e jashtëzakonshme e kalimeve me gomone, situatë e cila e ktheu vëmendjen e autoritetetve drejt origjinës së problemit, Shqipërisë. 
 
Gjatë muajve Maj-Shtator 2022, shqiptarët u kthyen në kombësinë me numrin më të lartë të kalimeve të paligjshme drejt MB me gomone, me rreth 42% të të gjithë kalimeve. Konkretisht 11,102 shqiptarë ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm në vetëm pesë muaj, shifra këto që alarmuan autoritetet britanike. 
 
Një tjetër statistikë, që sugjeron se ka një problem serioz të kriminalitetit shqiptar në MB, është numri i të burgosurve me kombësi shqiptare. Kështu, deri në fund të Qershorit 2022, shqiptarët ishin të parët për nga kombësitë e huaja, që popullonin burgjet e Anglisë dhe Uellsit, duke kaluar polakët dhe rumunët, të cilët kanë një diasporë disa herë më të madhe në Britani, krahasuar me atë shqiptare. 
 
Shqiptarët u kthyen në çështje të ditës në mediat dhe politikën britanike, duke sjellë edhe përplasje të ashpra në distancë mes kryeministrit shqiptar dhe autoriteteteve vendase. Kryeministri Rama e quajti MB-në një "çmendinë", ndërkohë që dënoi retorikën e Ministres së Brendshme, Suella Braverman, e cila kishte mbajtur një fjalim të ashpër në parlament, ku fliste për "pushtim" të vendit dhe u referohej në fjalën e saj edhe "kriminelëve shqiptarë". 
 
Retorika e ashpër u pasua nga një protestë e komunitetit shqiptar në Westminster, ku kërkonin distancimin e qeverisë nga deklaratat e Braverman. 
 
Në dhjetor 2022 MB dhe Shqipëria u zotuan me anë të një marrëveshje për kthimin e shpejtë të emigrantëve të paligjshëm. 
 
Në mars 2023, qeveria britanike prezantoi një ligj, sipas të cilit, Sekretarja e Brendshme do të ketë "detyrimin të largojë" ata persona që hyjnë në MB, nëpërmjet rrugëve të paligjshme dhe ky obligim do të ketë prioritet ndaj të drejtës së tyre për të kërkuar azil.
 
Rama në Londër
Në mesin e këtyre polemikave, kur shqiptarët, pavarësisht se një kombësi me numër të papërfillshëm në MB, janë kthyer në një çështje serioze për politikën e lartë në këtë vend, kryeministri Edi Rama pritet të takohet ditën e nesërme (22 mars) me homologun e tij Rishi Sunak në Londër. Në fokus të bisedimeve mes tyre pritet të jenë pikërisht çështje që lidhen me emigracionin e paligjshëm dhe krimin. 
 
Rama do të qëndrojë disa ditë në Londër, ku do të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme,
 
Kryeministri pritet të mbajë një ligjëratë në Chatham House në 23 mars, ku do të flasë për disa çështje duke filluar nga migracioni, tek lufta në Ukrainë, Rusia, Kina dhe mënyrën se si Shqipëria po u qaset këtyre sfidave gjeopolitike./ TPZ

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco