SYRI TV/ Mediat amerikane: McGonigal shkëmbeu favore me para për Ramën

09:23, 09/02/2023

Gazeta amerikane Business Insider ka skanuar aferën McGonigal, ku nënvizon se në Shqipëri, zyrtari i lartë i FBI-së akuzohet se është përfshirë në shkëmbimin klasik të parave për favore duke u mbështetur në marrëdhëniet e tij me zyrtarët amerikanë dhe kryeministrin shqiptar. Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti lobues nën tryezë u konsumua kur ai ishte ende në FBI. Në analizën e Business Insider theksohet se ta quash rastin e McGonigal si një rast lakmie dhe jo spiunazhi, do të thotë të keqkuptosh se si funksionon ndikimi i huaj përmes spiunazhit

SYRI TV

Business Insider, media e parë amerikane që shkroi për hetimin në SHBA që prej momentit kur çështja McGonigal filloi, i ka kushtuar një artikull historisë së zyrtarit të lartë të FBI që është duke u gjykuar nga autoritetet amerikane.

Në analizën e gazetës amerikane theksohet se ta quash rastin e McGonigal si një rast lakmie dhe jo spiunazhi, do të thotë të keqkuptosh se si funksionon ndikimi i huaj përmes spiunazhit.

Një zyrtar u shpreh për gazetën e njohur se divizioni i kundërzbulimit të FBI-së dukej i sigurt se çështja McGonigal ka të bëjë me korrupsionin, por theksoi se skenari i ndarjes së sekreteve të SHBA me segmente të shërbimit sekret rus kërkon një hetim që do të marrë kohë.

Në artikull theksohet se në Shqipëri McGonigal është përfshirë në një aferë klasike korrupsioni me kryeministrin Edi Rama.

“Në Shqipëri, McGonigal akuzohet se është përfshirë në shkëmbimin klasik të parave për favore, duke u mbështetur në marrëdhëniet e tij me zyrtarët amerikanë dhe kryeministrin shqiptar për të dhënë rezultatet që donin klientët e tij. Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti lobues nën tryezë, ndodhi kur ai ishte ende në FBI.

Por pyetja se çfarë po pranonte McGonigal në një zarf Manila nga një ish-diplomat sovjetik ngre shqetësime që shkojnë përtej aktakuzave. FBI është në garë për të zbuluar se sa të thella mund të shkojnë mashtrimet e supozuara nga një ish-agjent që kishte mbajtur një nga postet e saj më të ndjeshme. A po punonte McGonigal për rusët ndërsa ai ende drejtonte përpjekjet kundërzbulimit të byrosë në Nju Jork?” shkruan Insider.

Business Insider ne artikull I kushton rëndësi edhe dëshmisë së ish partneres së tij, që zbuloi se McGonigal mori rreth 225 mijë dollarë nga ish-agjenti sekret i SHISH, Agron Neza, njeri i afërt i kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

“Ai ishte shpesh jashtë natës "duke drejtuar një operacion", siç thoshte ai. Kjo mund të shpjegojë zarfet nga Shestakov, si dhe qesen e plastikës plot me para të gatshme që ajo pa një natë në dysheme në apartamentin e McGonigal në Brooklyn. McGonigal tha se ai e kishte fituar atë duke vënë bast në një lojë bejsbolli. Ishte periudha që ai kaloi kohe duke u shoqëruar me një burrë misterioz të quajtur Agron, të cilin Guerriero nuk e takoi kurrë. Agron Neza kishte emigruar në Nju Xhersi nga Shqipëria, ku, sipas një aktakuze, "ai kishte qenë punonjës i një agjencie të inteligjencës shqiptare disa dekada më parë". Një aktakuzë federale kundër McGonigal thotë se Neza i dha atij 225.000 dollarë në para, duke përfshirë një pagesë prej 80,000 dollarësh që përkoi me datën kur Guerriero thotë se ajo pa çantën plot me fatura të paketuara në apartamentin e McGonigal”.

Afera e McGonigal për të favorizuar oligarkun rus Oleg Deripaska dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama kanë qenë kryefjalë e zhvillimeve në mediat me prestigjioze në Amerikë dhe Evropë, si NY Times, NY Post, CBS, CNN, Deutsche Welle dhe Zëri i Amerikës. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco