SYRI TV/ ‘McGonigal’, fakte pse SPAK ka frikë nga Rama: ‘Drejtësia e Re’ s’guxon të prekë kryeministrin

11:39, 08/02/2023

SPAK vijon të hesht për skandalin McGonigal-Rama. Edhe pse mediet ndërkombëtare dhe shqiptare po shkruajnë prej javësh për këtë çështje, Prokuroria e Posaçme nuk ka nisur hetimin kryesisht, ashtu siç bëri Prokuroria e Tiranës me artikullin  e “Mother Jones” ndaj ish-kryetarit të PD, Lulzim Basha, në lidhje me dyshimet për falsifikim formularësh

SYRI TV

Kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga shpërthimi i skandalit “McGonigal”, nga SPAK nuk ka ardhur asnjë sinjal për verifikimin e rolit të Edi Ramës në këtë çështje.

“Drejtësia e Re” po forcon akoma më tej dyshimet se nuk ka guxim të merret me zyrtarë të nivelit të lartë dhe në këtë pikë është shumë më dobët edhe sesa ajo që quhej “Drejtësia e Vjetër”.

Për këtë, mjafton një shembull krahasues. Në fund të vitit 2017, gazeta amerikane “Mother Jones” ngriti dyshimet për lobim të paligjshëm të ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për realizimin e një fotoje me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Artikulli i “Mother Jones” u shpërnda në medien shqiptare. Prokuroria e Tiranës, e cila në atë kohë ishte pjesë e “Drejtësisë së Vjetër”, nisi hetimin kryesisht, pra me iniciativën e saj, ndaj Bashës, nën dyshimet e falsifikimit të formularëve dhe pagesave të paligjshme.

“Syri Televizion” ka siguruar vendimin për mbylljen e hetimeve, ku konstatohet lehtësisht se procedimi penal në atë kohë nisi nga raportimet mediatike, siç citohet në dokumente.

Ndërkohë, një qasje tërësisht pasive kanë prokurorët specialë ndaj skandalit që përfshin ish-agjentin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal dhe kryeministrin Edi Rama.

Emrat e këtyre dy personave gjenden në një dokument të hartuar nga një Juri e Madhe gjyqësore në Uashington, ku emri i kryeministrit shqiptar përmendet 14 herë.

Rasti është raportuar gjerësisht nga stacionet më të fuqishëm botërorë të medias, përfshirë CNN, CBS, Zëri i Amerikës, BBC, Dojçe Vele dhe thuajse të gjithë mediat prestigjioze në Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë impaktin shumë herë më të lartë se revista “Mother Jones”.

Po ashtu, mediet në Shqipëri kanë raportuar me detaje mbi zhvillimet amerikane të skandalit “Rama-McGonigal”.

Por, të gjitha këto, duket se kanë qenë të pamjaftueshme për SPAK-un që të nisë më së paku një verifikim për përfshirjen e Edi Ramës në këtë skandal.

Allison Guerriero, ish-e dashura e McGonigal, deklaroi pak ditë më parë në medien shqiptare se ish-zyrtari i lartë i FBI-së dhe kryeministri shqiptar komunikonin shpesh me njëri-tjetrin, nëpërmjet aplikacioneve të fshehta.

Po ashtu, dokumentet e Jurisë së Madhe tregojnë se McGonigal ka ndërmarrë veprime aktive kundër opozitës në Shqipëri, pas takimeve me Edi Ramën dhe persona privatë të afërt me të.

Ka shumë të dhëna që, më së paku duhen verifikuar nga prokurorët shqiptarë. Por, deri më tani, SPAK ka zgjedhur të njëjtën rrugë si Edi Rama, duke iu fshehur skandalit, me shpresën se gjithçka do të harrohet shpejt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco