Berisha: Rama kreu akte sikur të ishte agjent armik i SHBA. Në 11 Shkurt shqiptarët do të thonë fjalën e tyre!

20:32, 01/02/2023

"Shqiptarët më 11 shkurt do të thonë fjalën e tyre, të largojmë nga pushteti këtë uzurpator". 

Kështu u shpreh kryetari i PD, Sali Berisha pas takimit që zhvilloi me drejtuesit politikë në selinë blu. 

Lideri i opozitës akuzoi Edi Ramën se duke korruptuar ish-shefin e FBI, minoi marrëdhëniet me SHBA. 

Berisha tha se Rama sot është njeriu më i damkosur në të gjithë botën e lirë. 

"Ndaj dhe thirrja jonë për çdo shqiptar në Shqipëri, në çdo vend që ndodhet në Europë dhe SHBA, të bashkohemi për të mbrojtur, nderin, dinjitetin dhe të ardhmen e kombit, të bashkohemi për të larguar këtë demon pushteti që i futi një thikë në zemër marrëdhënieve me partnerin më kryesor strategjik, me vendin i cili ka kontribuar më shumë se çdo vend tjetër në lirinë e shqiptarëve. Nuk ka shërbim më të keq që mund t'i bëjë kombit shqiptar nga një person, përveç se ta bënte për llogari të Rusisë, por rusët ishin vetë në këtë aferë dhe ai e bëri për llogari të karriges së tij. Unë kam besim të madh se me 11 shkurt, Shqipëria, i madh e i vogël do të vërshojë drejt Tiranës në betejën e fitores, e përmbysjes së Edi Ramës. Tirana e tëra do të derdhet në rrugë, në shesh për të larguar nga pushteti një uzurpator, për të larguar nga pushteti një kryeministër i cili me qëndrimet e tij është sot, njeriu më i damkosur në të gjithë botën e lirë. Njeriu që ka kryer akte ndaj SHBA-së, sikur Shqipëria të ishte një vend në armiqësi me atë vend. Ka kryer akte sikur Edi Rama të ishte agjent i një prej fuqive armike të SHBA-së. Shqiptarët me 11 shkurt do të thonë fjalën e tyre", tha Berisha.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco