Gazeta e madhe amerikane: Arrestimi i McGonigal tregoi pse Biden po e toleron regjimin e Ramës

Gazeta e madhe amerikane: Arrestimi i McGonigal tregoi pse Biden po e toleron regjimin e Ramës

19:43, 01/02/2023

Nga Elizabeth Stauffer, Washington Examiner

Në shator, redaktori për sigurinë kombëtare në gazetën ‘Washington Examiner’, Tom Rogan, vuri në pikëpyetje ‘tolerancën e çuditshme’ të administratës Biden për korrupsionin e dukshëm të qeverisë shqiptare. Rogan shkruante: “Dëshmitë bindëse sugjerojnë se kryeministri shqiptar, Edi Rama, mund të jetë i përfshirë direkt në një aleancë narkotrafiku mes mafiozëve shqiptarë dhe kartelit Sinaloa me bazë në Meksikë”.

Jo vetëm që administrata e Biden ka mbyllur një sy ndaj krimeve të qeverisë së Ramës, por në maj të vitit 2021, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken shënjestroi armikun e Ramës, ish-kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Ai e cilësoi Berishën si të papërshtatshëm për të udhëtuar në SHBA ‘për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm’.

‘New York Post’ e përshkruan Berishën si ‘aleatin antikomunist të presidentëve George H.W dhe George W. Bush, i cili ka qenë në opozitë prej tetë vitesh dhe është një kundërshtar i zëshëm i George Soros dhe Fondacioneve të tij të Shoqërisë së Hapur, që kanë nxitur reformën gjyqësore dhe atë zgjedhore në Shqipëri’.

Duke cituar një raport të gazetës meksikane ‘El Universal’, Rogan detajon korrupsionin e qeverisë së Ramës dhe arrin në përfundimin se ai ‘duket i përfshirë në një komplot narkotrafiku që përfshin kartelin Sinaloa. Kjo do të thotë, kartelin përgjegjës për pjesën më të madhe të kontrabandës së narkotikëve në SHBA. Dhe për çfarëdo arsyeje, administrata e Biden nuk duket e shqetësuar tmerrësisht nga kjo’.

Edhe më shqetësuese, Rama duket se ka qenë i lidhur me ish-agjentin special të FBI-së të akuzuar së fundmi, Charles McGonigal, me kompaninë kineze të energjisë CEFC dhe Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të Sorosit, sipas Dan Bongino të Fox News.

McGonigal (i cili ishte i përfshirë në mashtrimin e ‘Russiagate’ kundër ish-presidentit Donald Trump) u arrestua në fillim të këtij muaji në aeroportin JFK të Nju Jorkut dhe u akuzua në dy aktakuza të veçanta. Shefi në pension i kundërzbulimit në zyrën e FBI në Nju Jork, McGonigal, është akuzuar se ka marrë para nga një bashkëpunëtor i oligarkut rus, Oleg Deripaska. Në Uashington, McGonigal dyshohet se ka marrë 225 mijë dollarë pagesa sekrete nga një ish-agjent i inteligjencës shqiptare.

Aktakuza pretendon se McGonigal hapi një hetim penal në zyrën e Nju Jorkut ‘për lobim të huaj, në të cilin ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare, i cili nuk përmendet me emër në aktakuzë, dha informacion si një informator konfidencial’, raportoi ‘New York Times’.

Konkretisht në aktakuzë thuhet: “Personi B ishte një shtetas shqiptar, i punësuar nga një konglomerat energjetik kinez. Personi B vepronte si këshilltar informal i kryeministrit të Shqipërisë dhe ka qenë një ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare”.

Konglomerati kinez i energjisë supozohet të jetë CEFC China Energy, një kompani tashmë e falimentuar që kishte lidhje të ngushta me Partinë Komuniste Kineze dhe një histori të gjatë ryshfeti për të huajt.

Thjesht pyesni Hunter Biden, i cili ka marrëdhënie me disa nga drejtuesit kryesorë të CEFC. Diamanti 3.16 karatësh i dhuruar nga ish-presidenti i kompanisë për Hunter Biden ishte vetëm fillimi. Në fund të fundit, CEFC do t’i paguante Hunter dhe James Biden afron 5 milionë dollarë përmes sipërmarrjeve të ndryshme të biznesit.

Ashtu si CEFC, edhe George Soros po përpiqej që të blinte ndikim në Shqipëri. Në prill të vitit 2018, grupi mbikëqyrës qeveritar ‘Judicial Watch’ mori dokumentet e administratës Biden përmes një padie bazuar në Ligjin për Lirinë e Informacionit kundër Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. Dokumentet tregonin se fondet e taksapaguesve shqiptarë i ishin dërguar një grupi të mbështetur nga Soros ‘për të financuar aktivitetet e krahut të majtë në Shqipëri’.

Presidenti i ‘Judicial Watch’, Tom Fitton tha në atë kohë: “Administrata e Obamës shpenzoi në heshtje të paktën 9 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe me mbështetjen e miliarderit majtist, George Soros për një qeveri socialiste në Shqipëri’.

USAID pretendon se qëllimi i projektit ishte ‘të rriste besimin e qytetarëve në gjyqësorin shqiptar dhe një sistem gjyqësor më efikas’. Fiton thotë se kjo është bërë për të fituar ‘kontroll më të madh mbi sistemin gjyqësor shqiptar’.

Sipas Bongino, administrata e Biden dërgoi gjithashtu fondet e taksapaguesve amerikanë për të mbështetur një skemë të ngjashme të Sorosit në Ukrainë; një temë që ai e detajon në librin e tij të vitit 2020 me titull ‘Ndiqni paratë’.

Sido që të jetë, pse administrata e Biden do të sanksiononte antikomunistin Berisha, ndërkohë që magjepset me Ramën, qeveria e korruptuar e të cilit po punon me një kartel meksikan për të kontrabanduar droga të rrezikshme që po vrasin 100 mijë amerikanë çdo vit?

Dhe pse një zyrtar i lartë i FBI-së po i merrte para një shtetasi shqiptar që punonte për një kompani të lidhur me Partinë Komuniste të Kinës?

Në artikullin e tij të shtatorit, Rogan pyeste se pse administrata e Biden po tregohet kaq e mirë me regjimin e Ramës. Në dritën e arrestimit të McGonigal dhe marrëveshjeve të huaja të biznesit nga Hunter Biden, pyetja e Rogan është edhe më e rëndësishme sot.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco