SYRI TV/ Rama paguan miliona euro kundër Becchetti-t, beteja personale e kryeministrit shkund buxhetin

13:21, 31/01/2023

Qeveria shqiptare ka shpenzuar nga buxheti i shtetit deri tani 3 milionë euro në studiot e konsulencës ligjore për të prishur vendimin e Gjykatës se Arbitrazhit për çështjen “Becchetti”. Kryeministri Rama nuk pranon të dëmshpërblejë me 110 milionë euro Becchetti-n për mbylljen e televizonit “Agon Channel”, por vijon të shpenzojë të tjera miliona për betejën e tij personale.

Nga SYRI TV

Beteja personale e kryeministrit Edi Rama me biznesmenin italian, Francesco Becchetti vijon t’u kushtojë miliona euro qytetarëve shqiptarë.

Në vitin 2019, Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar vendosi të penalizojë shtetin shqiptar me 110 milionë euro për mbylljen e televizionit “Agon Channel”, në pronësi të sipërmarrësit italian.

Prej tre vjetësh, Rama dhe kabineti i tij po tentojnë të anulojnë vendimin e gjykatës ndërkombëtare të Bankës Botërore.

Deri më tani, fatura për studiot ligjore në procesin e anulimit ka arritur shifrën e mbi 3 miliardë lekëve të vjetra ose rreth 3 milionë eurove, ndërkohë që ajo mund të shtohet akoma më tej deri në përfundim të seancave gjyqësore.

Të dhënat zyrtare dëshmojnë se pjesën më të madhe të buxhetit të shpenzuar nga qeveria për procesin e anulimit të vendimit të Arbitrazhit kanë shkuar në favor të studios së Cherie Blair- bashkëshortes së Tony Blair, këshilltarit pa pagesë të Edi Ramës.

Në periudhën shtator 2022-janar 2023, Ministria e Financave ka paguar 900 milionë lekë të vjetra për “Omnia Strategy”.

Po ashtu, studio ligjore “Cohen & Gresser” ka marrë deri më tani mbi 700 milionë lekë të vjetra për përfaqësimin e Ramës në betejën gjyqësore kundër Becchetti-t.

Ndërsa studio ligjore “Foley Hoag” ka përfituar deri në fillim të vitit 2023 një faturë në shumën 470 milionë lekë të vjetra.

Së fundmi, si konsulent për çështjen “Becchetti”, të njohur me numrin ARB 15/28, është përfshirë edhe një zyrë tjetër ligjore, “Nauta Dutilh”, e cila ka përfituar deri më tani 170 milionë lekë të vjetra ose rreth 150 mijë euro.

Pjesa tjetër e shpenzimeve janë kryer për ekspertiza dhe shpenzime administrative. Qeveria shqiptare vendosi mbylljen e televizionit “Agon Channel” në vitin 2015, nën argumentin se pronari i tij, Francesco Becchetti, ishte përfshirë në pastrim parash.

Biznesmeni italian e ndoqi çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, e cila vendosi të dënojë Shqipërinë me një gjobë stratosferike në vlerën e 110 milionë eurove.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco