Apeli i raportueses për Shqipërinë në PE: Dënoni pushtetarët e korruptuar

Apeli i raportueses për Shqipërinë në PE: Dënoni pushtetarët e korruptuar

07:53, 28/01/2023

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, ishte e pranishme dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian.

Santos apeloi se ka ardhur koha që reformat të përshpejtohen dhe jo të ndalohen.

Isabel Santos ka vendosur theksin te roli i madh që do të ketë Kuvendi i Shqipërisë në vijim për rrugën evropiane të vendit.

Santos vuri theksin te reforma në sistemin gjyqësor, e cila sipas saj, duhet të vijojë për hetimet dhe dënimet e veprave penale të nivelit të lartë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ka ardhur koha që të përshpejtohen reformat dhe procesi i reformave. Jo të ndalohen ato, por të përshpejtohen në mënyrë që Shqipëria të bëhet pararendëse në këtë proces. Unë jam vërtetë shumë e sigurt që Shqipëria i ka kushtet për të qenë pararojë e vërtetë në këtë proces.

Ekziston nevoja për të pasur një vizion strategjik për rrugën që do të ndiqen dhe një plan konkret për hapat që do të ndërmerren. Roli i Kuvendit në periudhën e ardhshme do të jetë tejet i rëndësishëm. Unë kuptoj të gjithë hapat që keni ndërmarrë për ta përfshirë tërësisht kuvendin në këtë proces. Tashmë që po ecni përpara besoj se ju mund të keni një ecur të vërtetë për legjislacionin e ri i cili do të hartohet në përputhje me atë evropiane”, u shpreh Santos. Ajo përmendi se Shqipëria ka marrë vitet e fundit reforma të vështira dhe vendime të forta politike.

“Reforma e sistemit të drejtësisë është një shembull i tillë. Pra një reformë e domosdoshme, e cila do të fuqizojë ecurinë e Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Sistemi gjyqësor në Shqipëri është në rrugën e duhur për tu bërë më i shëndetshëm”, theksoi raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian.

Santos u shpreh se integrimi evropian duhet të jetë një proces i thellë shoqëror ku përfshin jo vetëm mazhorancën, por opozitën, shoqërinë civile dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Vetëm duke u bërë të gjithë bashkë, atëherë tha Santos, procesi i integrimit mund të jetë i suksesshëm.

“Në mënyrë të veçantë më gëzon fakti që vij këtu në Këshillin Kombëtar për Integrimin Evropian. Ky format tregon që integrimi evropian nuk është vetëm qeveria, mazhoranca, dhe nuk është vetëm procesi teknokratik në vetvete, por duhet të jetë një proces i thellë shoqëror që përfshin shoqërinë civile dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Duhet të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës. Vetëm kur e gjithë Shqipëria të bëhet bashkë, atëherë procesi i integrimit do të jetë i suksesshëm”, u shpreh Santos

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco