Kushtetuesja: Emigrantët duhet të votojnë/ Halimi: Vendim fantastik

Kushtetuesja: Emigrantët duhet të votojnë/ Halimi: Vendim fantastik

09:39, 10/12/2022

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, duke u shprehur se mungesa e votimit për emigrantët në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit përbën një cenim të së drejtës për shkak të boshllëkut ligjor.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja i ka vendosur ultimatum Kuvendit për plotësimin e këtij boshllëku ligjor brenda një viti dhe mundësuar që shqiptarët të votojnë në vendet ku jetojnë, pa qenë e nevojshme të vijnë në Shqipëri.

“Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja ‘a’ dhe 134, pika 1, shkronja ‘h’, të Kushtetutës, si dhe neneve 49, pika 3, shkronja “d”, 51/a, pika 1, shkronja ‘b’ dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar, me shumicë votash, vendosi: Pranimin e pjesshëm të kërkesës; Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor; Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi; Pushimin e gjykimit lidhur me Urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në vendim që hyn në fuqi e botimit në Fletoren Zyrtare.

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se është cenuar e drejta e votës së emigrantëve, duke marrë shkas nga zgjedhjet e vitit 2021.

Në një reagim në “Facebook”, Halimi thotë se vendimi i Gjykatës, për të gjithë shqiptarët ky është një vendim drejtësie, sepse dënoi zgjedhjet e kaluara si antikushtetuese. Sipas tij, ky vendim dënon qeverinë që të mos përdorur pushtetin ekzekutiv për të ndaluar të drejtën e votës për interesin politik të çastit.

“Gjykata Kushtetuese konstaton shkeljen e Kushtetutës në zgjedhjet e 2021. Për ‘Diasporës Për Shqipërinë e Lirë’, dhe gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, ky është një lajm fantastik! Për mua dhe ekipin tim që përgatitëm, asistuam dhe përfaqësuam në Gjykatën Kushtetuese çështjen, kjo është një fitore e jashtëzakonshme. Për të gjithë votuesit shqiptarë ky është një vendim drejtësie jo vetëm se dënoi zgjedhjet e kaluara si antikushtetuese, duke vërtetuar pretendimet e kërkuesve, por dhe një vendim dënues për qeverinë e djeshme, të sotme dhe të neserme që kurrë më të mos përdorur pushtetin ekzekutiv duke ndaluar të drejtën e votës për interesin politik të çastit! Faleminderit Florian Haçkës dhe ‘Diasporës Për Shqipërinë e Lirë’ për besimin te skuadra jonë. Urime për fitoren”, shkruan Halimi në mesazhin e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco