Prishja e ‘Prestige Resort’, ish-kryeprokurori i Italisë: Të nisin hetimet për zyrtarët që urdhëruan shembjen pa ligj

Prishja e ‘Prestige Resort’, ish-kryeprokurori i Italisë: Të nisin hetimet për zyrtarët që urdhëruan shembjen pa ligj

08:20, 09/12/2022

Ish-prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Kasacionit në Itali, Pierpaolo Rivello, shpreh shqetësimin për procedurat e ndjekura nga autoritetet shqiptare për shembjen me tritol të “Prestige Resort”.

Ai i konsideron këto procedura të ndjekura si anomali, teksa shton se duhet të ekzistojnë mekanizmat e kontrollit dhe garancisë për të verifikuar vendimmarrjen për prishjen e resortit. “Ajo që shoh më të çuditshme, mbi të gjitha anomalitë, është që duhet të ekzistojnë mekanizmat e kontrollit dhe të garancisë, si dhe të dhënat për të verifikuar ndërmarrjen ose jo të kësaj mase. Më ngjan se shpejtësia për të vepruar ka ndikuar negativisht për përshtatshmërinë e asaj që është bërë. Në këtë aspekt, mund të na lindin një ose disa dyshime mbi atë çfarë ka ndodhur”, deklaroi Pierpaolo Rivello.

Sipas juristit të njohur italian, institucionet nuk mund të shkonin menjëherë te masa ekstreme e shembjes, por mund të vinin sekuestro, derisa legjitimiteti i objektit të vlerësohej në rrugë ligjore.

“Ky proces shembje i godinës është pasojë e një procesi të pakthyeshëm. Nga njëra anë, ka penguar për të verifikuar nëse është bërë diçka e ligjshme ose jo. Nga ana tjetër, ka penguar një hap që sot është themeltar, hapin e sekuestrimit paraprak. Për të verifikuar nëse kjo strukturë mund të kalonte në një funksion dhe përdorim për interes publik. Nuk jam unë që e vlerësoj një gjë të tillë, por jam shumë i sigurt që kjo godinë mund t’i sillte një të mirë interesit publik dhe komunitetit”, theksoi Pierpaolo Rivello.

I njohur me mënyrën sesi “Prestige Resort” u shkatërrua, profesor Rivello thotë se ekzistojnë të gjitha rrethanat që prokuroria shqiptare të nisë hetimet mbi zyrtarët, të cilët dhanë urdhrin dhe drejtuan aksionin e paligjshëm për shembjen e godinës.

I pyetur nëse sulmi ndaj “Prestige Resort”, është një sulm ndaj medias së lirë, përderisa pronari i hotelit është njëherazi pronar i disa mediave të rëndësishme në vend, Rivello shprehet:

“Të jem i sinqertë është një fakt i rrezikshëm dhe është e rëndësishme të qëndrojmë te respektimi i rregullave, të ligjit. Në të kundërt, shndërrohemi në një farëset të pakontrolluar kjo nuk është aspak e drejtë, jo vetëm në Shqipëri dhe as në ndonjë komb tjetër”. Profesor Pierpaolo Rivello ndodhet në Shqipëri me ftesë të Universitetit “Luarasi” dhe ditën e sotme do të ketë një leksion të hapur me studentët.

Me datën 4 dhjetor, një sasi e frikshme prej 70 kilogramë eksploziv u përdor për të shembur hotelin luksoz në Golem, “Prestige Resort”. U deshën vetëm pak sekonda që një investim disavjeçar, mundi dhe puna e shumë njerëzve, destinacioni i pushimit të mijëra të tjerëve, të ktheheshin në një grumbull gjigand inertesh.

Plot 70 kilogramë eksploziv iu vunë hotelit 7-katësh të resortit më të bukur të bregdetit të Adriatikut, për ta shembur përtokë. IKMT-ja dhe forcat xheniere nuk ndalën as ditët e pushimit, duke punuar me orë të tejzgjatura, edhe të shtunën, edhe të dielën, derisa i shkuan në fund paligjshmërisë. Brenda pak sekondash, IKMT-ja në mënyrë të paligjshme hodhi në erë hotelin luksoz 7-katëshe të “Prestige Resort” që ka pritur mijëra turistë vendas dhe të huaj, por edhe ka strehuar afganët. Inspektorati njoftoi se kishte hapur 730 vrima në trupin e 7-katëshit dhe kishte shtruar 4 000 metra linear fitil, për të lidhur 70 kilogramët e eksplozivit dhe për këtë forcat e xhenios punuan me intensitet edhe netëve për të arritur objektivin e kërkuar.

Ngjarja ndodhi një ditë para se Gjykata Administrative e Durrësit të shprehej me vendim mbi apelimin e vendimit që kishin bërë pak kohë më parë, avokatët mbrojtës të biznesit. Ky është një akt i paprecedent dhe një hakmarrje e kryeministrit Edi Rama, dhe i forcave të IKMT-së, duke shembur hotelin vetëm një ditë para se Gjykata të shprehej për pezullimin e shembjes.

Ajo çfarë mbeti nga shpërthimi me tritol janë vetëm rrënojat e hotelit, pemë të shkatërruara, por edhe dëme të tjera në objekte që ndodhen rreth hotelit. Që nga e enjtja kur nisi sulmi i paprecedentë dhe deri pak orë para kryerjes së shpërthimit, IKMTja nuk njoftoi asgjë mbi veprimet e saj të paligjshme në resort. Vetëm në mesditën e së dielës, IKMT-ja lajmëroi zyrtarisht se do kryente shpërthimin e kontrolluar në ndërtesë. inspektorati njoftoi se kishte hapur 730 vrima në trupin e 7-katëshit dhe kishte shtruar 4 000 metra linear fitil, për të lidhur 70 kilogramët e eksplozivit dhe për këtë forcat e xhenios punuan me intensitet edhe netëve për të arritur objektivin e kërkuar nga kreu i IKMT-së, Dallëndyshe Bici.

Për shembjen e godinës 7-katëshe u punua 4 ditë me radhë pa ndërprerë ditën dhe natën ku punonjësit e IKMT-së dhe forcat e repartit ushtarak të xhenios përgatitën lëndën eksplozive për të hedhur në erë objektin, ndërsa fadroma punoi për të shembur dhe dëmtuar kolonat. Po kështu, puna vijoi edhe gjatë natës, pa marrë parasysh asgjë, megjithëse e shtuna dhe diela janë pushim zyrtar. Punonjësit u urdhëruan që të vazhdojnë pa ndërprerje, derisa “finalizuan” shkatërrimin e këtij resorti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco