‘A ia ndjen Edi Ramës për shqiptarët që po largohen?’/ Nuk mban deputeti britanik, ‘shpërthen’ në seancë

‘A ia ndjen Edi Ramës për shqiptarët që po largohen?’/ Nuk mban deputeti britanik, ‘shpërthen’ në seancë

19:41, 07/12/2022

Komisioni për Punët e Brendshme në parlamentin britanik mabjti një seancë sot për çështjen e emigracionit, ku dëgjoi disa ekspertë dhe ambasadorin shqiptar në Londër, Qirjako Qirko. Mediat britanike theksojnë se Qirko shmangu shumë prej pyetjeve, pa dhënë një përgjigje konkrete.

Ai madje tha se nuk e di sa është numri i shqiptarëve që kanë mbërritur në Angli gjatë këtij viti, edhe pse deputetët i thanë se shifrat janë publike. “Nuk i kam marrë në rrugë zyrtare,” tha Qirko.

Sipas Qirkos, problemi me emigrimin e paligjshëm konsiston në faktin që shqiptarët nuk kanë mundësi për emigrim të ligjshëm. Ai mohoi që vendi të ketë një problem me fenomenin e “humbjes së trurit” apo largimit të forcës punëtore.

Seanca po mbahej për shkak se në parlament është paraqitur një projektligj që synon të mos lejojë njohjen e pretendimeve për azil nga shqiptarët, çka do të sillte deportimin e shpejtë. “Shqipëria është një vend i sigurt,” tha Qirko disa herë.

Por deklaratat e tij acaruan deputetin konservator, Tim Loughton, që e pyeti disa here nëse Britania e Madhe duhet të njohë pretendimet për azil nga shqiptarët.

“U takon juve të vendosni. Nuk është problemi im. Ajo që mund të them është se Shqipëria është një vend i sigurt”. I pyetur sërish nëse qeveria shqiptare do e kishte problem nëse kjo gjë do bëhej ligj në Britani, Qirko tha: “Nuk dua të komentoj, nuk jam lejuar të komentoj”.

Sipas BIRN, atëherë Tim Loughton e pyeti Qirkon nëse kryeministrit Edi Rama ia ndjente për të gjithë këtë. “Këta janë njerëz që mund të punojnë dhe paguajnë taksa në Shqipëri,” tha ai. “A nuk shqetësoheni për largimin e personave të kualifikuar?”

“Unë po të bëj thjesht një pyetje të arsyeshme, se cila do të ishte përgjigjja e qeverisë shqiptare, sepse ky është çelësi nëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do ta miratojë këtë projektligj apo jo”.

Qirko tha se ai nuk shihte se një problem i tillë ekziston ndërsa deklaroi se zgjidhja për emigrimin e paligjshëm është që shqiptarët të mund të emigrojnë në mënyrë të ligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke vënë në dukje se Britania e Madhe ka vende pune të paplotësuara dhe ka nevojë për emigrantë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco