3 vjet nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, histori njerëzore dhe premtimet e pambajtura të Edi Ramës

18:35, 26/11/2022

Këtë të shtunë shënon data 26 nëntor. Qindra mijëra shqiptarë sot kujtojnë zgjimin e pazakontë të orës 3:54 minuta të datës 26 nëntor 2019 nga tërmeti i fuqishëm 6.3 ballë që goditi vendin. E paharruar dhe plot dhimbje do të kujtohet ajo ditë për familjet e 51 viktimave të asaj tragjedie, të cilët humbën të afërmit. Por, dhimbja dhe drama nuk janë harruar, madje është ende një pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së atyre qindra e mijëra banorëve të Durrësit, Krujës, Kurbinit, Tiranës apo zonave të tjera, të cilët humbën shtëpitë dhe pronat nga ai tërmet. Dhe pikërisht, në këtë tre vjetor të tragjedisë, Syri Televizion ia dedikon këtë reportazh disa familjeve, të cilat prej tre vjetësh janë rrënuar nga premtimet e pambajtura të qeverisë për t`u ndërtuar shtëpitë.

Familja e Dile Prelës, ende pret prej tre vjetësh, që shteti të mbajë premtimin për ndërtimin e shtëpisë së re, por pritja duket se ka kaluar çdo limit. Bashkia e Kurbinit i ka shembur banesën, por për ndërtimin e të resë ende nuk i ka dhënë një afat. Dile Prela thotë se as inertet e banesës së vjetër, nuk ia kanë hequr, madje për t`i larguar vetë ato nga shtëpia, familja Prela është zhytur në broxhe…

Por si ka qenë jetesa për familjen Prela pa strehë?

Por jetesa në këtë rulot nuk do të jetë përgjithmonë, pasi dhuruesit do t’ia marrin përsëri.

Dile Prela tashmë ka humbur shpresën, madje ajo është besimhumbur se banesa e saj nuk do të ndërtohet, arsyet i tregon vetë ajo…

Vetë familja e Dile Prelës e ka të pamundur të ndërtojë banesën e re, ajo tregon se tërmeti i ka rrënuar ekonomikisht, dhe tashmë është në mëshirë të fatit.

Por si familja Prela, në këtë fshat është dhe familja Nika, ndoshta dhe më keq. Kjo është historia e Gjovalin Nikës, i cili kasollen e lopës, prej 3 vjetësh e përdor si strehë për familjen e tij.

Gjovalin Nika tregon se vuajtjet e kanë përndjekur, nga invaliditeti me syrin, te shembja e banesës nga tërmeti e tashmë te mungesa e strehës dhe humbja e shpresës se një ditë do ta gëzojë atë…

Bashkëshortja e tij tregon se u bën tre vjet që shteti e gënjen, premtimin për banesën ia kanë bërë çdo vit, por dimrat kalojnë njëri pas tjetrin, dhe streha e tyre e vetme është kasollja e lopës dhe derrave…

Disa kilometra më tutje, në fshatin Tarin të Krujës, ndodhet në të njëjtën situatë dhe familja e Bardhok Jakut.

Bardhoku kishte një banesë modeste, ku para se t’i shembej, jetonte me bashkëshorten, dy djemtë me nuset si dhe nipërit dhe mbesat. Por tërmeti i la pa strehë, madje, familja nisi të shpërbëhej, pasi djemtë u larguan në Fushë-Krujë ku jetojnë me qira, ndërsa Bardhok Jaku me bashkëshorten jeton në çadër.

Bardhok Jaku tregon se pret prej tre vjetësh rindërtimin e banesës, por procesi ka ngecur, për arsyet, askush nuk jep shpjegim.

Por, nuk mjaftohet me kaq, Bardhoku ngre akuza se bonuset e qirasë dhe procesi i rindërtimit, është bërë në baza preferenciale e partiake në Krujë.

Ai kërkon hetim për procesin e rindërtimit, pasi sipas tij janë abuzuar me fondet por dhe vetë standardet që janë përdorur për këtë proces.

Bardhok Jaku tregon gjithashtu, se sa herë ka folur duke kërkuar rindërtimin e banesës së tij, ai është përndjekur deri dhe nga Policia e Shtetit.

Teksa Bardhok Jaku denoncon skandalin me procesin e rindërtimit, situata me rindërtimin e banesave private duket se ka ngecur gjithkund.

Durrësi, ishte rajoni më i goditur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019… Pa strehë mbetën mijëra persona, shumë prej të cilëve vijojnë të enden rrugëve duke pritur banesat e reja.

E tillë është historia e Shpresa Guçes, një e moshuar, që jeton e vetme në një çadër me dy mbesat e saj të mitura. Shpresa ndan jetesën mes çadrës dhe kontenierit, të cilat ditët e fundit u përmbytën nga uji.

Vajza e Shpresës, nëna e dy vajzave të mitura, është larguar në emigrim, pasi priti tre vjet që shteti t’i ndërtonte banesën. Në kushte të tilla braktisjeje, nëna ka lënë vajzat e mitura me gjyshen dhe ka shkuar të punojë për rindërtimin e banesës.

Këto janë disa nga historitë e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të tre viteve më parë, të cilat humbën strehën prej fatkeqësisë natyrore. Por sot tre vjet më parë, kjo fatkeqësi është thelluar dhe më shumë, pasi shteti dhe qeveria që u premtoi shumë, por faktet tregojnë se premtimet janë mbajtur pak, ndoshta dhe aspak…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco