Rezoluta e PE/ PD: Dritë jeshile për protestën e opozitës më 6 dhjetor

Rezoluta e PE/ PD: Dritë jeshile për protestën e opozitës më 6 dhjetor

11:21, 25/11/2022

Partia Demokratike komentoi rezolutën e fundit të Parlamentit Europian, që i dha një goditje të fortë nismës së kryeministrit Edi Rama për Ballkanin e Hapur.

Drejtuesja e Departamentit për Politikat me Jashtë Ilda Zhulali, tha nga selia blu se rezoluta e PE ishte një dritë jeshile për protestën e opozitës më 6 dhjetor.

DEKLARATA E PLOTE

Parlamenti Europian me rezolutën e miratuar i është bashkuar Partisë Demokratike dhe Frontit Opozitar në protestën kundër qeverisë shqiptare.

Pa pritur datën 6 dhjetor, kur opozita do të dalë për të theksuar pikërisht ato që shpalos rezoluta, Parlamenti Europian i ka caktuar vijat e kuqe qeverisë dhe i ka hapur dritën e nderit dhe legjitimitetit manifestimit të Partisë Demokratike, ditën e samitit BE-Ballkani Perëndimor që do mbahet në Tiranë.

Goditjen kryesore rezoluta ia ka dhënë ‘fëmijës së dashur’ të Edi Ramës dhe protektorëve të tij rajonalë e globalë, idesë së Ballkanit të Hapur. PE e thotë qartë: shprehim rezerva të forta për çdo nismë rajonale ekonomike, që nuk përfshin të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk bazohet në rregullat e BE, siç është Ballkani i hapur”.

Rezoluta njeh, mbështet dhe inkurajon vazhdimin e vendeve të rajonit me Procesin e Berlinit. 

Edi Rama si target anti-europian shfaqet edhe në një paragraf tjetër të rezolutës, ku bëhet fjalë për zgjerimin, dhe shtjellohet vendimi i Serbisë për të mos i vendosur sanksione Rusisë, ashtu si BE. Parlamenti Europian siguron se BE duhet të përparojë me negociatat e pranimit me Beogradin, vetëm nëse Serbia pajtohet me sanksionet kundër Moskës. Kryeministri i Shqipërisë, ndryshe nga PE, ka deklaruar se e kupton vendimin e Vuçiç për të mos i vendosur sanksione Putinit.

Partia Demokratike e përshëndet rezolutën dhe përfundimet e saj, dhe i bën me dije partnerëve europianë se do të vazhdojë të jetë forca që, me bindje dhe koherencë, u përket dhe angazhohet për vlerat europiane të lirisë, demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut.

Partia Demokratike u bën thirrje vendeve anëtare të BE që të mos e lejojnë Edi Ramën të përdorë Samitin BE-Ballkani Perëndimor si mjet propagande për tu thënë shqiptarëve se Europa e mbështet atë dhe qeverinë e tij.

Gjuha e rezolutës së PE dhe rekordi i Edi Ramës përputhet plotësisht, dhe në këtë kuptim Partia Demokratike e përshëndet rezolutën dhe kërkon që mjetet demokratike të trysnisë mbi qeverinë shqiptare të vijojnë.

Partia Demokratike dëshiron të përshëndesë edhe vendimin e Parlamentit Europian për të shpallur Rusinë “shtet terrorist”.

Në një rajon me shumë rreziqe, Putini është një prej tyre, dhe integrimi europian është e vetmja rrugë e arsyeshme për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco