Strasburgu godet vetingun/ 'Shuplaka' ndaj Kuvendit: Nuk verifikuan kandidatët për në KPA

Strasburgu godet vetingun/ 'Shuplaka' ndaj Kuvendit: Nuk verifikuan kandidatët për në KPA

19:34, 04/10/2022

Një vendim i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut gjen shkelje në procesin që çoi në shkarkimin nga ana e Kolegjit të i Posaçëm të Apelimit, të ish-prokurorit Besnik Cani, në kuadër të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas vendimit të publikuar sot, ish-prokurorit i është cënuar “e drejta për një gjykatë të krijuar me ligj”, parashikuar nga Konventa Europiane.

Për këtë, vendimi i referohet faktit që pjesë e trupës gjykuese ka qenë anëtari i Kolegjit Luan Daci, i shkarkuar pasi të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar e gjetën atë fajtor për “falsifikim të dokumentave”.

Ish-prokurori Cani ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vitin 2018, por dy vjet më pas, Kolegji, në shkurt të vitit 2020, konstatoi mungesë të burimeve të ligjshme që të justifikonin pasurinë e tij. Në Kolegj ai zhvilloi një betejë kundër gjyqtarëve Luan Daci dhe Ardian Hajdari, duke pretenduar se ishin emëruar në detyrë në kundërshtim me parashikimet ligjore, duke kërkuar përjashtimin e tyre. Por Kolegji nuk i mori parasysh kërkesat e tij. Ish-prokurori gjithashtu bëri kallzim penal anëtarit të Kolegjit, Luan Daci. Ndërkohë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme është marrë dhe gjyqtari Hajdari.

Në vendimin e Gjykatës së Strasburgut bie në sy një paragraf, si 'shuplakë' ndaj Kuvendit.

Gjykata e Strasburgut vë në dukje se përtej pretendimeve të qeverisë në kundërshtim të Apelit të Canit, Kuvendi i Shqipërisë dhe grupi ad-hoc i deputetëve që duhej të kryenin verifikimin e kandidatëve për në KPA, kishin dështuar në punën e tyre. Gjykata thotë se verifikimi duhej të ishte një proces i lehtë, sa kohë arsyet skualifikuese ishin në rekordet publike dhe Dacit i ishte mohuar në vitin 2016 një vend në Gjykatën e Tiranës për shkak të shkeljeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco