Zbulohet dokumenti/ PS, 140 mijë dollarë lobim për marrëveshjen e 17 majit

22:47, 26/09/2022

Partia Socialiste ka paguar në vitin 2017 shumën e 140 mijë dollarëve te një kompani amerikane lobimi, për të ndikuar qëndrimet e ambasadorit të atëhershëm në Tiranë, Donald Lu. 

Kompania që është pajtuar për këtë lobim ka qenë 'Ballard Partners' dhe konsulent i saj ka qenë ish-kongresmeni Robert Wexler. Ky i fundit, rezulton nga dokumenti që zbuloi Syri Tv dhe të bërë publik në Çim Peka Live, se ditën e 17 majit të famshëm të marrëveshjes Basha-Rama 5 vite më parë, ka komunikuar 4 herë me telefon dhe email, me ambasadorin Donald Lu. 

Kryeredaktori i Syri Tv, Romir Saraçi tha në Çim Peka Live se atë ditë, Lu ka zhvilluar takime të veçanta me Bashën në selinë e PD dhe Ramën në Kryeministri. 

Konkluzioni i këtyre takimeve prodhoi takimin surprizë Basha-Rama dhe ngujimin e tyre për disa orë me radhë te Kryesia e Kuvendit, që solli më pas marrëveshjen mes të dyve, pak ditë para zgjedhjeve paralamentare të qershorit 2017.  

"Për lobimet në SHBA paguhet për të lobuar te zyrtarët e lartë kongresmenë. Kurse në këtë rast bëhet një pagesë, është pajtuar Ballard, është marrë si konsulent Robert Wexler, ish-kongresmen republikan, ka mbajtur kontaktet me ambasadorin Donald Lu. Puna më e rëndësishme e tij ka qenë në datën 17 maj. Atë ditë ka qenë ditë mjaft intensive për ambasadorin e SHBA, që ka bërë takime për 2-3 orë me Bashën në selinë e PD, nga aty shkoi në Kryeministri ku ka qëndruar disa orë të tjera dhe në fund erdhi ky takimi i Ramës me Bashën që ishte i papritur atë ditë për të gjithë gazetarët. Janë të deklaruara nga Ballard që atë ditë Robert Wexler ka folur në telefon dhe email dhe specifikimi është për negociata mes partive politike përpara zgjedhjeve lokale dhe reformës në drejtësi. Pra është specifikuar edhe natyra e përmbajtjes së bisedës. 17 maj 2017, pra për zgjedhjet politike", tha Saraçi.

Image

Dokumenti që tregon komunikimet me email dhe telefon mes Robert Wexler dhe Donald Lu në 17 maj 2017

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco