Fatura e rritur e energjisë elektrike/ Ku po manipulon qeveria e Edi Ramës

Fatura e rritur e energjisë elektrike/ Ku po manipulon qeveria e Edi Ramës

09:52, 24/09/2022

Qeveria shqiptare rriti çmimin e energjisë përtej një fashe prej 800 kw/h për konsumatorët familjarë, duke filluar nga data 1 Tetor e këtij viti. Vendimi u mor nga Bordi i Entit Rregullator të Energjisë. Deri 800 kw/h çmimi i energjisë do të kushtojë 9.5 lekë.

Mbi këtë limit, çmimi bëhet 4 herë më i shtrenjtë dhe do të kushtojë 42 lekë për kilovat. Në mbledhje u bënë edhe përllogaritjet e faturës për konsumatorët, nga ku rezultoi se për 850 kilovat për orë, fatura e një familjeje do të jetë rreth 120 mijë lekë të vjetra. Për 800 kilovatët e parë, fatura mujore llogaritet 7600 lekë.

50 kilovatët e tjerë llogariten me 42 lekë dhe kushtojnë 21 mijë lekë të tjera. Shtohet këtu taksa e televizorit prej 1 mijë lekësh, plus TVSH prej 19 mijë e 400 lekësh të vjetra. Shifra arrin në 110 mijë e 740 lekë në muaj për një familje, që në këto kushte do të detyrohet të kursejë sa më shumë në mbrëmjet e ftohta të dimrit.

Kleçka e mesatares prej 800 kw/h

Kryeministri Rama ka shpjeguar se shifra 800 kw/h ndan familjet me një palë elektroshtëpiake dhe ato familje të pasura që kanë shtëpi të mëdha, me disa elektroshtëpiake.

“Kjo është vendosur me një logjikë duke marrë parasysh që deri në 800 kw/h mund të plotësohen të gjithë nevojat për konsumin shtëpiak. Nevojat bazë në kushtet kur s’ka kufizim energjie, mos harrojmë këtë fakt”, shpjegoi Rama për periudhën tetor-janar.

Shifra prej 800 kw/h është mesatare vjetore. Dihet se në verë konsumohet më pak se në dimër. Mesatarja prej 800 kw/h nuk është mesatare e konsumit të energjisë në dimër, kur do të aplikohet rritja e çmimit të energjisë. Pikërisht për këtë pritet që shtrenjtimi i energjisë të prekë edhe familjet jo shumë të pasura.

Rama: “Preken 40 mijë familje”, por statistikat dëshmojnë mbi 70 mijë

Në llogaritë që i bëri rritjes së çmimit të energjisë, kryeministri Rama tha se shtrenjtimi prek rreth 40 mijë familje. “Janë 1 milionë e 90 mijë familje që konsumojnë deri në 800 kw/h dhe 40 mijë familje që konsumojnë mbi 800 kw/h. Dhe në periudhën e pikut kur është shumë nxehtë, ose kur është shumë ftohtë, ky 40 mijë shkon në afro 60 mijë, 58 mijë e diçka. Tani vendoseni në shkallë 60 mijë me 1 milionë e 90 mijë. Dhe del besoj rezultati”, tha Rama.

Por Open Data ka bërë një përllogaritje tjetër, sipas së cilës shifrat e kryeministrit janë manipulative. Kjo mund të ndodhë sepse qeveria i bën përllogaritjet përmes një mesatareje vjetore dhe jo sipas shifrave të muajve të dimrit.

Në muajin dhjetor, sipas Open Data Albania janë 71 mijë e 278 familje shqiptare që harxhojnë më shumë se 800 kilovat orë (energji elektrike) në muaj dimri.

Një në dhjetë familje e shkel pragun prej 800 kw/h dhe për pasojë preket nga rritja e çmimit dhe e tarifës për konsum të energjisë elektrike. Në vend janë rreth 829 mijë e 857 abonentë familjarë. Në muaj të ndryshëm konsumi i tyre varion dhe muajt e dimrit janë me më shumë konsum.

Familjet që harxhojnë më shumë jo detyrimisht janë më të pasur e që kanë potencial për konsum të shtrenjtuar. Ato janë kryesisht familje me disa anëtarë, me përkujdesje për fëmijët apo familje me dy dhe tre breza në strukturë./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco