Ndërron jetë 'Piktori i Popullit', Sali Shijaku

Ndërron jetë 'Piktori i Popullit', Sali Shijaku

09:06, 24/09/2022

Piktori i Popullit, Nderi i Kombit Sali Shijaku ka ndwrruar jetw nw moshwn 89- vjeçare. Lajmin e ka dhwnw nw Fb, i biri i tij Orges Shijaku Me hidhërim të thellë ju njoftojmë për humbjen nga kjo jetë të babait tonë, Piktorit të Popullit,  Nderit të Kombit Shqiptar,  Sali Shijaku. I lehtë të qoftë dheu. Ia kushtove gjithë jetën Artit dhe Shqipërisë!

Sali Shijaku,  lindi në Tiranë, 12.03.1933. 

Një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili edhe brenda kanoneve të rrepta të RS, arriti të krijonte vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965 -1980.Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve një figurëshe në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX. Djali i një tregtari të vogël, Shijaku, pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë për pikturë në klasën e pedagogëve Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve "I.E.Rjepin" në Shën Petërburg,  ish BRSS (1956-1961) pranë ateliesë të prof. Boris Vladimiroviç  Joganson (piktor i njohur, president i Akademisë së Arteve Sovjetike dhe Drejtor i Galerisë "Tretjakov" në Moskë).

Tabloja e titulluar "Heronjtë e Vigut" ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962, pas kthimit nga Rusia  në Institutin e Arteve, Tiranë. Shijaku ishte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, historia, legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës. Artisti Shijaku u fut në rrugën e artit figurativ duke ekspozuar portretet e para të tij si: "Portret vajze" (1953, GKA,Tiranë), "Kostum tiranseje" (1952, GKA, Tiranë).

Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, Shijaku gradualisht nga tabloja në tablo, priret drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative. Vepra Sali Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura. Kështu, tabloja "Partizanët e batalionit - Hakmarrja" (1966), dallohet për prirje në thellimin psikologjik të personazheve, (një grup partizanësh) me qëndrim statik, duke evidentuar forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës me imazhet dhe portretet e figurave.

Deri në fillimin e viteve ‘70, piktori Sali Shijaku akoma nuk ishte shkëputur nga imazhi real, pikturimi me hije dritë dhe me sfumaturë. Tabloja "Mic Sokoli" (1969, GKA,Tiranë)  e "shkëputi" artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh një figurëshe. Figurat e përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë të flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun: për heroizmin ndaj atdheut (Vojo Kushi, 1969, GKA, Tiranë),  të vetësakrifikimit për kombin (Mic Sokoli, 1976, GKA, Tiranë), "Nora e Kelmendit" (1981, GKA, Tiranë), të virtytit njerëzor (Rozafa, 1983, GKA, Tiranë). Nga tabloja në tablo  ndryshime pësoi edhe paleta koloristike e artistit, e cila pasurohet, priret drejt krijimit të efekteve grafike, por dhe dekorativo - ekspresive.

Për disa vite Sali Shijaku ju kushtua qeramikës me temën e ciklit të kreshnikëve (balada shqiptare). Artisti Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare, ai përfaqëson piktorin që me kërkimet formaliste i ndikuar nga arti modern i shekullit XX, brenda tematikës së artit të realizmit socialist ndikoi fuqishëm në transformimin dhe shkëputjen e artit shqiptar nga akademizmi rus. Ai në vite është vlerësuar dhe nderuar  me disa “Çmime Republike” (1956, 1970, 1984, 1989).  Në vitin 1969, Shijaku mori titullin "Artist i Merituar" dhe më 1979 titullin "Piktor i Popullit". U nderua me titullin "Nderi i Qarkut të Tiranës" (2004).  Duke filluar nga viti 1962 - 1990 Shijaku ishte pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat dhe Konkurset Kombëtare.

Ekspozita e tij e parë vetjake daton në vitin 1965. Shijaku ka ekspozuar në  Bienalen e Aleksandrisë (Egjipt), Rumani, Itali, Francë, Kinë, Turqi, Austri,  Piktori Shijaku në vitin 1985 - 1988 bashkpunoi me skulptorin Shaban Hadëri dhe realizuan sëbashku Shtatoren në bronx të diktatorit komunist Enver Hosha të vendosur në sheshin para Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 92 vepra të artistit në pikturë, vizatime, qeramikë. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut  janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pas viteve 1990,  Shijaku është pjesë e grupimit “Nëntori” dhe ekspozoi në ekspozitat e saj të përvitëshme që nga viti 1998. Shijaku ka vite që jeton ndërmjet Tiranës dhe Italisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco