Na duhen këllqe për SPAK-un

Na duhen këllqe për SPAK-un

08:07, 18/08/2022

Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, paguhet 5 mijë euro në muaj ose 10 herë më shumë se punonjësi mesatar i shtetit shqiptar. Nicola Gratteri, kryeprokurori italian i antimafias paguhet 7200 euro në muaj ose 4 herë më shumë se punonjësi mesatar i shtetit në Itali. Shkurt, në terma relativë, prokurorët shqiptarë janë ndër njerëzit më të paguar në planet nga paraja publike.

Pyetja shtrohet, pse shoqëria shqiptare është duke e bërë këtë sakrificë kaq të madhe financiare duke i mbuluar prokurorët dhe gjyqtarët më para? Teorikisht përgjigja është e qartë. Ky është një investim. Ne i paguajmë këta kaq shumë, që këta të na e kthejnë investimin mbrapsht duke parandaluar vjedhjen e parasë publike. Çështja është, a po e bëjnë?

Këtu përgjigja është komplekse, siç thotë zoti Kraja për inceneratorët. Meqë ra fjala. Në dhjetor të vitit të kaluar, SPAK bllokoi inceneratorin e Elbasanit dhe shpalli në kërkim Klodian Zoton me Stela Gugalljan për korrupsion dhe evazion fiskal me faturat fiktive. Por SPAK nuk e preku inceneratorin e Tiranës.

Tani faktet janë kështu. Formalisht koncesionari i inceneratorit të Tiranës thotë se nuk ka lidhje pronësie me Klodian Zoton. Por sipas dokumenatave zyrtarë, inceneratori i Tiranës i ka paguar 20 milionë dollarë kompanisë ITS të Klodian Zotos si nënkontraktor.

Vetë SPAK thotë se Klodian Zoto ka blerë dhjetra milionë euro fatura fiktive. Në fakt, ai vetëm këtë ka bërë. Nëse inceneratori i Tiranës i ka paguar Zotos 20 milionë dollarë për nënkontraktim, dhe ky i fundit është provuar se ka blerë fatura fiktive, çfarë pune ka bërë kompania e Zotos për inceneratorin e Tiranës?

Ja pra që nuk është aq komplekse sa thotë zoti Kraja. Inceneratori i Tiranës merr para kot, pasi nuk bën investime. Dhe meqë nuk ka se si të justifikojë paratë që merr nga buxheti, paguan Zoton si nënkontraktor, edhe këtë kot. Ky i fundit shkon blen fatura fiktive. Përtej kësaj njerëzit e inceneratorit të Tiranës janë njerëzit e Zotos. Sot personi i autorizuar për të kryer veprimet ligjore të inceneratorit fantazmë të Tiranës është Elton Bualli. Ky është ish punonjës i Zoto Consulting dhe përfitues nga grantet e AZHBR-së.    

Tani pse na duhen gjithë këto lidhje? Për një arsye shumë të thjeshtë. Nga dhjetori I vitit të kaluar deri më sot, inceneratori i Tiranës është paguar 7 milionë euro nga buxhetet publike.  Ne e paguajmë zotin Kraja dhe prokurorët e SPAK-ut me rrogat me të larta në planet, sipas standardit të fuqisë blerëse, që të na parandalojnë vjedhjen e parasë publike. Por inceneratori i Tiranës po na vjedh, kurse zoti Kraja, që duhet ta ndalonte, na thotë që çështja është komplekse. Çështja nuk është hiç komplekse. Është shumë e qartë. Ashtu siç është e qartë edhe diçka tjetër.

Praktikisht inceneratorët dhe SPAK-u nuk ndryshojnë shumë nga njëri tjetri. Inceneratorët marrin lekët e buxhetit dhe nuk bëjnë punë. Edhe SPAK-u merr lekët e buxhetit dhe nuk bën punë. Ndaj nuk është çështje kompleksiteti. Në fakt është cështje topash. Se mund të paguhesh edhe më shumë se Gratteri, por nuk i ke dot topat e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco