PD, apel rinisë: Opozita e kapur mori fund, na shihni si partner të së sotmes dhe së ardhmes

PD, apel rinisë: Opozita e kapur mori fund, na shihni si partner të së sotmes dhe së ardhmes

11:26, 14/08/2022

Një anketë e kryer tek të rinjtë aktivistë në Shqipëri ka treguar se ky brez është përgjithësisht mosbesues ndaj politikës, por Partia Demokratike e identifikoi si të drejtë qëndrimin e të rinjve shqiptarë dhe kërkoi ndjesë për pjesën e saj në këtë mosbesim. Sekretarja për Organizatat Partnere në këtë parti, znj. Megi Balliu, në një deklaratë nga selia blu, i bëri thirrje rinisë ta shohë Partinë Demokratike tani e tutje si një partnere të së sotmes dhe të së ardhmes.

Balliu vërejti:

“ Një vëzhgim i kryer nga aktivistë rinorë, me 600 të rinj të moshave 15-29 vjeç, e ngel në klasë sistemin arsimor shqiptar. 

 77 përqind e të rinjve e konsiderojnë sistemin arsimor si jo cilësor, ndërsa 80 përqind i konsiderojnë shkollat si mjedise pak ose aspak të sigurta. 

 74 përqind thonë se problematikat e tyre nuk merren parasysh nga institucionet arsimore.

Çka është më dramatike lidhet me përqindjen e atyre që e konsiderojnë të ardhmen e tyre larg Shqipërisë dhe nuk duan të kthehen më. 

Të rinjtë janë pyetur edhe për rritjen e çmimeve, dhe 97 përqind e tyre thonë se kjo ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme jetën e tyre. 

Nuk është vetëm qeveria që goditet, por edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat shihen si të pabesueshme.

OJF-të sipas të rinjve punojnë për interesat e tyre, dhe jo për të mbështetur rininë. 

 Vetëm 7 përqind e të anketuarve besojnë te shoqëria civile. Po kaq mosbesues janë edhe ndaj partive politike të cilat sipas tyre nuk kanë vullnet për zgjidhjen e problematikave të të rinjve. 

 Ky mosbesim te shoqëria civile dhe politika reflektohet edhe në qasjen e të rinjve ndaj procesit zgjedhor.

40 përqind thonë se nuk do të votojnë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm ndërsa 29 përqind se nuk janë të vendosur nëse do të shkojnë. 

 Anketimi është një shenjë tjetër e arsyeve të shpopullimit të vendit, një alarm që Partia Demokratike e ka ngritur vazhdimisht.

 Sa i takon mosbesimit te politika, Partia Demokratike e identifikon si të drejtë qëndrimin e të rinjve shqiptarë dhe kërkon ndjesë për pjesën e saj në këtë mosbesim.   Por ne ju bëjmë me dije të rinjve faktin se, ditët e opozitës së kapur, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile të kapura  me oligarkët, dhe sidomos qeverinë, kanë marrë fund. 

 Të rinjtë shqiptarë duhet të shohin te ne, një partner të së sotmes dhe së ardhmes. 

 Një gjë është e sigurt: pa të rinjtë dhe të rejat Shqipëria nuk ka të ardhme. Është detyra e shenjtë e Partisë Demokratike t'jua kthejë vendin të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco