Berisha: PD do sjellë risinë e madhe në zgjedhje, vjeshta do shndërrohet në pranverën e protestave

Berisha: PD do sjellë risinë e madhe në zgjedhje, vjeshta do shndërrohet në pranverën e protestave

13:00, 12/08/2022

Kryetari demokrat, Sali Berisha, paralajmëroi disa herë gjatë konferencës për shtyp se do ketë reagim qytetar, pasi drejtësia nuk po reagon ndaj mega-skandaleve në Shqipëri, duke u fokusuar kryesisht te afera e inceneratorëve dhe ajo e Portit të Durrësit.

“Kjo ndodh vetëm në Shqipëri, ku drejtësia është degë e ekzekutivit. Por qytetarët do thonë fjalën e tyre. Vjeshta do shndërrohet në pranverën e protestave të demokracisë. Ka humbur çdo sens nga realiteti,” tha Berisha.

Duke folur për zgjedhjet e pritshme lokale, Berisha tha se mirëpret koalicionet. Por ai shtoi se PD shkon në këto zgjedhje me një risi të madhe: primaret.

“PD në këto zgjedhje sjell risinë më të madhe në historinë e këtij vendi. Sjell primaret, të cilat pas vendosjes së pluralizmit politik, janë arritja më e madhe e demokracisë pas themelimit të pluralizmit politik, janë pluralitet, janë fundi i kryetarokracisë, janë garanci madhore për pengesë ndaj autokracisë. Kështu që ne e presim me shumë përkushtim dhe kënaqësi zbatimin e këtij zotimi solemn në zgjedhjet që vijnë. Me ne erdhi pluralizmi politik, me ne do të vijë edhe ky standard i lirisë që është pluralitet brenda partisë,” tha Berisha.

Disa herë, kryetari demokrat, paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se po luan me zjarrin me dëmin që i ka bërë pluralizmin.

“PD do të shkojë në zgjedhje me siglën e saj. Edi Rama do paguajë një çmim të tmerrshëm për këtë që po i bën pluralizmit. Ai do e shohë se opozita është e pamposhtur. Do marrë atë që i takon. Është armik dhe do marrë përgjigjen si armik. Ai do trajtohet si armik. Ai e din këtë,” tha Berisha.

I pyetur për situatën brenda grupit të PD, Berisha tha: “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është grup parlamentar i PD. Natyrisht nuk mund të mohohet se ka diversitet në mendime. Por në tërësi unë mendoj se çdo deputet do i qëndrojë luajal shumicës që i ka votuar dhe do jetë i përkushtuar në betejën kundër këtij regjimi, i cili dëshmon se vetëm gënjen dhe vjedh, vjedh dhe gënjen”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco