Çmimet e larta ulin konsumin, shumë bukë, pak mish

Çmimet e larta ulin konsumin, shumë bukë, pak mish

08:37, 07/08/2022

Për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, familjet shqiptare kanë rritur konsumin për bukën dhe mishin e pulës, ndërsa është ulur përdorimi i mishit, sallamit, vajit dhe bulmetit. Kompanitë pohojnë se rënia e konsumit ka arritur deri në 40% krahasuar me vjet. Edhe në bare dhe restorante, këtë vit po konsumohet më pak. Bizneset kërkojnë ulje të taksave, pasi tkurrja e konsumit parashikohet të japë efekte në falimentime dhe shkurtime të vendeve të punës, shkruan Monitor.

Në këtë periudhë konsumi ka shënuar rënie për produktet e shportës që varion nga 15 deri në 40% më pak krahasuar me vjet.

Kompanitë kryesore të prodhimit dhe importit në vend pohojnë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë rritja e çmimeve nga shtrenjtimi i kostove dhe emigracioni masiv i popullsisë, kryesisht të rinjve.

Në qershor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, arriti në 7.4%, niveli më i lartë në 20 vjet, i ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe karburanteve.

Për shkak të shtrenjtimit të çmimeve, tendenca e konsumit është me rënie për produktet e mishit, bulmetit, vajit të lulediellit, birrës dhe pijeve freskuese, ndërsa është rritur konsumi i bukës.

Në bare dhe restorantet e Tiranës e bregdetit të Jugut, operatorët thonë se konsumi ka rënë 30 deri në 40% nga rritja e çmimeve.

Shqetësimi më i mprehtë për strukturat e shërbimit është mungesa e madhe e fuqisë punëtore dhe emigracioni i të rinjve që ka shtuar kostot e shërbimit.

Çmimet e katër artikujve ushqimorë prej fillimit të muajit prill kontrollohen nga Bordi i Transparencës. Operatorët e tregut pohojnë se mbajtja në kontroll e çmimeve nuk ka ndikuar te rritja e ekonomisë së shkallës (konsumit), por te shtimi i marzheve të fitimit, pasi ka nxitur dyqanet e vogla të produkteve ushqimore për të shtrenjtuar çmimet e produkteve të tjera.

Në anën tjetër, prodhuesit, përveç shtimit të kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para, për shkak të tendencës globale, vuajnë konkurrueshmërinë e produkteve të rajonit, pasi paguajnë më tepër taksa.

Përpunuesit e mishit ngrenë shqetësimin se taksa e lëndës së parë përpunuese dhe TVSH-ja e shtrenjton 40% më shumë prodhimin e tyre sesa Maqedonia e Veriut. Përfaqësues të industrisë i bëjnë thirrje qeverisë të heqë taksën 12% të përpunimit të lëndës së parë dhe TVSH-në e naftës te bizneset.

Kostot nga taksat dhe çmimet e lëndëve të para janë shtrenjtuar edhe për përpunuesit e qumështit pas heqjes së TVSh-së 6% të kreditueshme nga 1 janari 2022.

Përfaqësuesit e këtyre industrive njëzëri kërkojnë që qeveria të ndërhyjë me uljen e TVSh për produktet e shportës, në ndihmë të konsumatorit.

Çmimet e larta tkurrin konsumin e mallrave të shportës

Konsumi i produkteve të shportës për mallrat e shportës, si: vaj luledielli, oriz, makarona dhe sheqer për muajin korrik është me rënie krahasuar me vitin e kaluar.

Përfaqësues të kompanisë “Teuta”, një nga distributorët kryesorë të mallrave ushqimore, thanë për “Monitor” se tkurrja e konsumit është ndikuar nga blerjet e panikut të konsumatorit, pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, por edhe për shkak të stinës së verës, që karakterizohet për rënie të kërkesës te disa mallra të shportës ushqimore.

Rrjeti i supermarketeve “Big Market” pohoi për “Monitor” se për 20 ditët e para të muajit korrik, të ardhurat janë 8% më shumë krahasuar me vjet.

Përfaqësuesit e “Big Market” shpjeguan se tendenca e konsumit shfaqet e njëjtë në raport me vjet, ndërsa rritja e të ardhurave është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve për produktet e shportës të mallrave të importit për shkak të tendencës globale.

Administratori i një prej kompanive të mëdha të importit të vajit në vend, Aredi Sado, shtoi se aktualisht, konsumi i vajit të lulediellit është 30 deri në 40% më pak se vjet. Për muajt prill-qershor të 2022, konsumi i vajit të lulediellit u tkurr 50% në raport me vjet, nga rezervat që krijuan konsumatorët të frikësuar nga çmimet e larta dhe mungesa e produktit për shkak të fillimit të luftës.

Përfaqësuesi i kompanisë “Olim” thotë se tre janë arsyet kryesore të rënies së konsumit: emigracioni i lartë dhe mungesa e madhe e turistëve, kryesisht emigrantëve që nis pas datës 15 korrik, sasia ende e lartë e vajit të magazinuar nga konsumatori dhe rritja e lartë e çmimit.

“Rënia e konsumit pritet të krijojë situatë të vështirë te bizneset, pasi kostot operacionale (pagat e punonjësve, tarifat e transportit, taksat) vijojnë të mbahen në të njëjtat nivele kur konsumi ishte më i lartë.

Nëse kjo situatë vijon, i gjithë presioni do të shfryhet diku, bizneset do të jenë të detyruara të shkurtojnë numrin e të punësuarve, pasi nuk do të kenë mundësi financiare”.

Importuesit ngrenë edhe shqetësimin e tjetërsimit të konsumit të vajit, për shkak të sasisë të vajit që po hyn i pakontrolluar dhe i falsifikuar.

Sipas tyre, abuzimi është rritur në të gjitha drejtimet, duke përfshirë falsifikimet e markave të huaja, por edhe te hyrjet kontrabandë nga qytetet e pikave kufitare. Sipas të dhënave të Doganave, importet e vajit të lulediellit për vitin 2021 u rritën 8% më shumë se në 2020.

Ikin të rinjtë, konsumohet më pak sallam
Drejtuesi i kompanisë “Tona” thotë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë shtrenjtimi i çmimeve të produkteve deri në 20% më shumë se vjet dhe emigracioni. “Arsyet kryesore të rënies së konsumit janë çmimet e shtrenjtuara dhe largimi i popullatës. Në emigracion po largohen të rinjtë që zënë peshë të lartë në konsumin e mallrave ushqimore. Konsumatori aktualisht nëse shpenzonte 100 lekë për produktet e sallamit dhe mishit, sot po shpenzon 75 lekë”, thotë ai.

Ulet konsumi për mish, sallam, proshutë

Prodhimi i sallamit në vitin 2020, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, u ul 9,6% krahasuar me 2019-n, ndërsa prodhimi i proshutës shënoi rritje të lehtë në vlerën e 0,8%. Sipas të dhënave të doganave, për vitin 2021, importet e sallamit u rritën 21% krahasuar me 2020-n.

Një nga drejtuesit e kompanisë kryesore të përpunimit të mishit në vend, Nikolla Tona, tha për “Monitor” se konsumi për produktet e përpunuara këtë sezon është 25% më pak se vjet. Drejtuesi i kompanisë “Tona” thotë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë shtrenjtimi i çmimeve të produkteve deri në 20% më shumë se vjet dhe emigracioni.

“Arsyet kryesore të rënies së konsumit janë çmimet e shtrenjtuara dhe largimi i popullatës. Në emigracion po largohen të rinjtë që zënë peshë të lartë në konsumin e mallrave ushqimore. Konsumatori aktualisht nëse shpenzonte 100 lekë për produktet e sallamit dhe mishit, sot po shpenzon 75 lekë”, thotë ai.

Kompania parashikon ndryshime të konsumit edhe në vjeshtë, pasi pritet të ketë sërish rritje të çmimeve për konsumatorin nga një tjetër shtrenjtim prej 20% që fabrikat e huaja kanë njoftuar për lëndët e para. Z. Tona ngre shqetësimin se taksat e larta që paguan industria i rrisin kostot e prodhimit 40% më shumë se te prodhuesit e rajonit.

“Në industrinë e përpunimit të mishit, çmimet e produkteve të konsumatorit nuk po rriten artificialisht, por për shkak të kostove. Përveç shtrenjtimit të lëndëve të para, që tashmë është një problem global, industria vuan shtimin e kostove nga taksat e larta.

Taksa e lëndës së parë përpunuese në Shqipëri është 12%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është zero. TVSH e produkteve të konsumit është 20%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut nga 5% që ishte u bë zero.

Prodhuesi maqedonas automatikisht konkurron prodhuesin shqiptar me kosto 32% më pak, për shkak të lehtësive fiskale, duke shtuar këtu taksat për karburantin, gazin dhe energjinë, kostoja e lartë nga taksat arrin deri në nivelin 40%.

Nëse për të prodhuar një produkt mishi me kosto 500 lekë në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, për shkak të lehtësive fiskale, kostoja e prodhimit është 300 lekë”, thotë ai.

Përpunuesit e mishit përsërisin kërkesën ndaj qeverisë që të heqë taksën 12% të përpunimit të lëndës së parë, TVSH-në e naftës te bizneset dhe të reduktohet TVSH-ja te produktet e shportës.

“Në këtë situatë, por edhe në kuadrin e nismës ‘Open Balkan’ është e domosdoshme marrja e vendimit për lehtësi fiskale, pasi produktet shqiptare nuk do të arrinin asnjëherë të konkurronin produktet e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës. “Open Balkan” pa njehsim të taksave sa vendet e rajonit nuk do të funksionojë, pasi prodhuesit shqiptarë janë në disavantazh nga taksat e larta.

Po ashtu nuk është e drejtë që produkti i sallamit të gatshëm të importohet me zero taksë doganore, ndërsa përpunuesit për mishin e importit të paguajnë taksë. Ulja e taksave do të ndikonte edhe te përmirësimi i konsumit. Rënia e konsumit është fatale për të gjithë, pasi ndikon te rënia e të ardhurave buxhetore, të kompanive dhe te papunësia”.

Rënie të konsumit ka pasur edhe te mishi i viçit dhe derrit, pasi çmimi i mishit të viçit është shtrenjtuar 20% më shumë se vjet dhe ai i derrit është dyfishuar.

Operatorët e tregut pohojnë se rënia e konsumit të mishit të viçit e derrit, po zëvendësohet nga mishi i punës, që është më i lirë.

Mishi zëvendësohet nga …buka
Rënie të konsumit ka pasur edhe te mishi i viçit dhe derrit, pasi çmimi i mishit të viçit është shtrenjtuar 20% më shumë se vjet dhe ai i derrit është dyfishuar. Në të kundërt, Gëzim Peshkopia, kryetari i Shoqatës së Brumërave dhe Pastiçerive, tha se konsumi i bukës është shtuar në qytetet kryesore të vendit dhe në zonat bregdetare krahasuar me vjet.

Shtohet konsumi i bukës

Pas rënies 20% të kapacitetit prodhues të furrave të bukës në muajin mars, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të miellit, në këtë periudhë konsumi i bukës është në rritje. Gëzim Peshkopia, kryetari i Shoqatës së Brumërave dhe Pastiçerive, tha se konsumi i bukës është shtuar në qytetet kryesore të vendit dhe në zonat bregdetare krahasuar me vjet.

Për periudhën 2021-2022, çmimi i bukës është rritur tre herë radhazi me një rritje totale prej 71%. Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator të vitit të kaluar, kur buka masive nga 70 lekë u rrit në 80 lekë.

Në mesin e muajit mars, çmimi i bukës shënoi sërish rritje, duke arritur në 100 lekë. Ndërsa çmimi në 120 lekë ka nisur të tregtohet në rrethet si Korça, Pogradeci, Gjirokastra apo Saranda, për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti.

Gëzim Peshkopia, kryetari i Shoqatës së Brumërave dhe Pastiçerive, pohon se rritja e çmimit të bukës masive deri në 120 lekë ishte individuale, ku në shumë furra të tjera, çmimi nuk ka ndryshuar, duke amortizuar koston te marzhet e fitimet, me qëllim ruajtjen e ekuilibrit mes prodhimit dhe konsumit.

“Ashtu siç reflektohet ka një zgjatje të situatës së vështirë të çmimeve që nisi që nga pandemia e Covid-19 dhe u bë edhe më problematike me fillimin e luftës, duke përcjellë edhe ndikime psikologjike. Për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para, çmimet janë rritur nga disa biznese, ndërsa në të tjera nuk ka pasur rritje.

Disa furra buke kanë amortizuar fitimet, për të mos prekur konsumatorin. Furrat e bukës janë prekur më tepër nga rritja e çmimit të miellit, vajit, margarinës, majasë dhe karburantit. Për të përballuar shtrenjtimin e çmimit të karburantit furrat e bukës kanë kufizuar lëvizjet, duke bërë vetëm lëvizje të planifikuara”, veçoi ai./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco