VIDEO/ Aksidenti tronditës në Berat, specialisti: Shoferja nuk kishte përvojë

12:40, 29/06/2022

Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë të bizneseve përreth vendit të ngjarjes, Policia e Beratit ka zyrtarizuar tashmë edhe shkaqet dhe dinamikën e aksidentit të rëndë të dy ditëve më parë, ku pas rënies me makinë në lumin Osum, humbi jetën 25-vjeçarja Klaudia Xhaferraj dhe djali i saj 6-vjeç,Samueli.

Sipas Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, shkak për aksidentin tragjik është bërë "humbja e kontrollit të mjetit nga ana e drejtueses".

Lajmi është bërë i ditur nga Specialisti i Qarkullimit Rrugor në DVP Berat dhe Oficeri i Policisë Gjyqësore, inxhinieri Lorenc Tanushi.

Tanushi ka pohuar se humbja e kontrollit të mjetit është shoqëruar edhe me mungesën e përvojës, pasi 25-vjeçarja kishte pak javë që kishte marrë patentën dhe ishte një drejtuese e re në timon.

“Nga studimi i të gjitha kamerave të sigurisë është vërejtur manovrimi majtas-djathtas, një karakteristikë kjo e drejtuesve të rinj,të pajisur me leje drejtimi. Aksi Ura e Goricës-Ura e Varur është një aks problematik dhe me risk pasi ka shumë fluks mjetesh, si pjesë kryesore e segmentit rrugor nacional Lushnje-Skrapar,” ka thënë Tanushi.

Ai ka konfirmuar se në këtë aks rrugor, që nga policia është cilësuar si aks me risk të lartë, Policia Rrugore ka përqendruar shërbimet e saj policore çdo ditë me tre turne dhe ky segment është monitoruar prej tyre në mënyrë të vazhdueshme.

Specialisti i qarkullimit rrugor në DVP Berat, Lorenc Tanushi ka theksuar se, përveç aksit Ura e Goricës-Ura e Varur, akse të tjera që njihen si akse problematike e me risk dhe ku janë regjistruar aksidentet më të shumta janë: Dimal-Berat në zonën e Moravës dhe zona e Poshnjes.

Sipas Tanushit, pas rikonstruksionit që iu është bërë këtyre dy rrugëve, drejtuesit e mjeteve e kanë shtuar shpejtësinë e qarkullimit në to. Pikërisht për këto probleme të konstatuara-ka thënë Tanushi-është kërkuar pajisja me radar dhe mjete inteligjente.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco