Narko-eurot pompohen në ekonomi duke fshehur dramën e vërtetë

Narko-eurot pompohen në ekonomi duke fshehur dramën e vërtetë

08:43, 29/06/2022 Nga Klodian Tomorri

Raporti i OKB për drogërat ka një të dhënë shumë interesante. Shqiptarët kanë arritur të bëjnë integrim të plotë vertikal në tregun e narkotikëve duke vënë nën kontroll të gjitha hallkat e tregtimit nga importi, transporti, shitja me shumicë e deri te shpërndarja me pakicë. Tani kanë jashtë zinxhirit vetëm prodhimin.

Përgjithësisht në ekonominë reale një produkt kalon përmes disa hallkave me furnizues të ndryshëm. Një kompani prodhon lëndën e parë, një tjetër produktin gjysmë të gatshëm, kompania e radhës prodhon produktin e gatshëm e kështu me radhë. Kështu funksionon dhe tregu i narkotikëve. Por këta e paskan ndryshuar.

Integrimi vertikal ka shumë avantazhe. Së pari ul kostot. Së dyti të jep më shumë kontroll mbi ofertën dhe çmimet. Së treti, të jep mundësi të shpartallosh konkurrencën. Dhe së fundmi, për shkak të këtyre më sipër, të mundëson më shumë fitime.

Tani llogariteni pak çfarë impakti ekonomik ka kjo. Nëse një kile kokainë shitet 80-85 mijë euro me pakicë, dikur kjo vlerë ndahej tek të gjitha hallkat e furnizimit. Një pjesë e merrnin prodhuesit, një pjesë importuesit, një pjesë tregtarët e shumicës dhe pjesën e fundit, shpërndarësit me pakicë. Tani thuajse e gjithë vlera, përveç prodhimit, merret nga e njëjta dorë. Ky është revolucion në treg.

Çfarë do të thotë kjo? Në Shqipëri do ketë më shumë importe Toyotash, më shumë kompani betoni, më shumë kulla, më shumë hotele dhe madje edhe më shumë investitorë strategjikë. Narko-eurot pompohen në ekonomi duke fshehur dramën që ndodh në krahun tjetër. Sa më shumë euro, aq më pak lopë, dele dhe njerëz do i dalin INSTAT-it vit pas viti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco