Arqipeshkvi i ri i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj merr detyrën, Frendo largohet i prekur

Arqipeshkvi i ri i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj merr detyrën, Frendo largohet i prekur

16:17, 22/01/2022

Arjan Dodaj ka marrë zyrtarisht detyrën e Arqipeshkvit të ri të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës. Përgjatë ceremonisë Imzot George Frendo shprehu besim të thellë në realizmin e kësaj detyre nga Dodaj, ndërsa vetë ai premtoi se do të shërbejë me devotshmëri. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe kreu i shtetit Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.

SYRI TV

Arqipeshkvi i ri i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës është zyrtarisht Imzot Arjan Dodaj. Përgjatë ceremonisë së shenjtë që u mbajt në Katedralen e Shën Palit në Tiranë Imzot George Frendo i kaloi detyrën e Arqipeshkvit të Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj, ndërsa në fjalën e tij shprehu besimin se Dodaj do ta kryej më së miri detyrën.

Imzot George Frendo tha se shqiptarët dhe Shqipëria do të jenë gjithmonë në zemrën e tij.

"Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë dhe shqiptarët dhe te ky popull kam gjetur dashuri e respekt më shumë se sa meritoja. Falënderoj popullin shqiptar që u bë edhe populli im. Do largohem nga Shqipëria me keqardhje, por mu duk e drejtë t'i kaloj vitet te fundit të jetës sime në vendlindje. I drejtohem pasardhësit tim, për më shumë se 4 vite kemi punuar ngushtë bashkë. Emri yt do të përmendet në meshë çdo ditë e kjo do të thotë se nuk do jesh vetëm në zbatimin e detyrës tënde, është një dioqezë me ty. Je shumë më i ri se unë dhe je shqiptar, që do të thotë se je më i aftë se unë për të kuptuar mentalitetin, psikologjinë e kulturën e këtij vendi. Për këto avantazhe që unë nuk i kisha, le të jenë për t'u një dhuratë që të bën shumë më afër deleve që Zoti do të të dhurojë", tha Frendo. 

Në fjalën e rastit Imzot Dodaj premtoi se do të shërbejë me devotshmëri dhe do ta kryejë denjësisht detyrën, ndërsa falënderoi Imzot George Frendon për kontributin e tij. 

“Duke e filluar shërbesën time baritore, të dashur besimtarë, akoma më shumë dua të rrënjosem në fenë në Krishtin, Shëlbuesin tone; e duke fiksuar vështrimin në Të, të dëftoj gjithmonë ndaj njerëzve dhe shoqërisë shqiptare: Ja Qengji i Hyjit, ja Shpëtimtari i vetëm i njeriut. Ai i jep dinjitet çdo njeriu! Në këtë shërbim të Ungjillit, në këtë Kishë Apostolike, mirënjohja ime është për paraardhësin tim Imzot George Frendo, që na ka dëshmuar një fe të gjallë me dashuri të madhe për Kishën dhe të varfrit, i angazhuar për një Kishë në ecje që së bashku me popullin e Hyjit, dëshirojmë ta çojmë përpara", deklaroi Arjan Dodaj. 

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe përfaqësuesit më të lartë shtetëror, kreu i shtetit Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco