15 mijë vdekje nga Covid/ Justifikimi skandaloz i qeverisë shqiptare

15 mijë vdekje nga Covid/ Justifikimi skandaloz i qeverisë shqiptare

09:07, 13/01/2022

Ka ditë që mjekët paralajmërojnë se vala e radhës e variantit Omicron nuk do të kursejë askënd. Piku, thonë ata, do të jetë në javën e tretë të Janarit. Lajmi i mirë është se Omicron shkakton shumë më pak vdekje se varianti Delta dhe nëse gjithçka shkon sipas parashikimit, kjo valë do të kalojë me pasoja të lehta, si të ishte një grip stinor. Ky variant i koronavirusit, sipas studimeve në disa shtete, po konsiderohet si drita në fund të tunelit ku na futi pandemia.

Marsi i vitit 2020 duket i largët. Në Italinë fqinje trupat e pajetë të të prekurve me Covid transportoheshin nga forcat ushtarake. Ishte koha kur në Tiranë mjetet ushtarake u nxorrën në bulevard për të luftuar koronavirusin. Muajt e parë, karantina ishte e fortë. Goditja erdhi pas hapjes së menjëhershme.

Situata katastrofike pati një seri arsyesh. Ishte mungesa e mjeteve mbrojtëse për mjekët, mosbesimi tek institucionet, padija e specialistëve që detyroheshin të gënjenin për fundin e shpejtë të pandemisë dhe mungesa e kapaciteteve spitalore që nuk u përgatitën në kohë për të përballuar pandeminë.

Të sëmurët prisnin nëpër ambulanca me orë. Krevatet ishin të zëna, ndërsa mjekët, të paktë në numër. Disa pacientë u vetëvranë duke u hedhur nga dritaret e spitalit. Pamjet e kufomave në morg që u publikuan në media ishin makabër.

Pikërisht tani, kur fundi i pandemisë shpresohet të jetë afër, “The Economist” ka kthyer kokën pas, për të lexuar shifrat dhe për të treguar se si u fshehën të vdekurit nga qeveritë që propagandonin përballimin e pandemisë dhe marrjen e masave të suksesshme kundër koronavirusit.

Nga 186 shtete të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, “The Economist” ka dalë në përfundimin se numri real i viktimave nga pandemia në botë nuk është 5.5 milion, por rreth 19.1 milion. Pra, gati katër herë më e lartë nga ajo që kanë raportuar zyrtarisht shtetet.

As Shqipëria nuk bën përjashtim në këtë manipulim shifrash. Vdekjet e raportuara që nga marsi i vitit 2020 janë më shumë se 3200 të infektuar për vendin tonë. Sipas “The Economist” duhet të ishin 4 herë më shumë, diku mes 12 dhe 15 mijë të vdekur.

Pak ditë më parë, Monitor raportoi të njëjtin rezultat për shifrat e vdekjeve gjatë pandemisë. Sipas një vëzhgimi të kryer mbi shifrat e INSTAT, rezultoi se “të dhëna të tjera të Eurostat, për vdekjet javore, ku raporton dhe Shqipëria, tregojnë se për periudhën 2 mars 2020-19 shtator 2021, fatalitetet shtesë u rritën me 34.6%, duke e renditur vendin tonë të tretin në Europë”.

Vendi ynë renditet pas Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për fatalitetet. Panorama është tjetër nga ajo që shpalosin zyrtarët e qeverisë, kur flasin për masat e suksesshme të përballimit të pandemisë.

Në fakt, alarmi për fshehjen e vdekjeve u dha që në nëntor të vitit 2020.

Të gjithë e kujtojnë denoncimin shokues të kreut të PD-së, asokohe Lulzim Bashës që nxori dokumente për fshehjen e 414 jetëve të humbura nga Ministria e Shëndetësisë.

Basha tha se kishte listën me emrat e të vdekurve, të cilët kishin humbur jetën për shkak të covid, por nuk ishin raportuar si të tillë. Kryeministri Rama atëherë e mohoi duke e quajtur spekulim denoncimin dhe duke e trajtuar atë si një tentativë për të përhapur shqetësim dhe panik tek qytetarët.

“Qeveria nuk deklaron asgjë. Numri i fataliteteve është një numër që pasqyrohet çdo ditë në bazë të kritereve që janë të lidhura me një element të thjeshtë: Të sëmurët nga Covid. Të tjerat janë spekulime, s’kanë asnjë bazë dhe hyn në atë të përditshmen: Shpif, shpif se diçka do mbetet, kall dëshpërim tek njerëzit se diçka do ndezë,” ishte reagimi me shpoti atëherë i kryeministrit Rama.

Rreth një vit më pas, Ministria e Shëndetësisë ka ndryshuar qëndrim. Përballë shifrave që tregojnë se vdekjet gjatë pandemisë ishin disa herë më të larta, dikasteri që drejtohet nga Ogerta Manastirliu ka një teori tjetër për t’i shpjeguar mospërputhjet e shifrave.

Manastirliu ka përdorur formulën e përdorur nga kolegia e saj Elisa Spiropali, e cila kur u desh të komentojë përdhunimin në grup të një vajzë të mitur, tha “raste të tilla ndodhin edhe në vende të zhvilluara, bëhen edhe filma”.

Pak a shumë, ky thelbi i reagimit të Ogerta Manastirliut për shkrimin e The Economist, që denoncon manipulimet në raportimin e vdekjeve.

“Në të gjithë botën, numri i vdekjeve shtesë nga Covid-19 dhe pasojave të tij, vlerësohet të jetë 4 herë më i lartë se numri i fataliteteve të raportuara nga Covid-19 (nga rreth 5.5 milion fatalitete në botë, vdekshmëria shtesë si pasojë e COVID-19 vlerësohet të jetë rreth 19.1 milion). Edhe në Shqipëri, sipas këtij vlerësimi të bazuar mbi simulime statistikore, përcaktohet i njëjti koefiçient si mesatarja botërore,” thotë ministria.

Pra, meqënëse në të gjithë botën, na qenkan fshehur vdekjet nga kovid, le të ndodhë në Shqipëri e njëjta gjë. Pas denoncimit të PD, SPAK nuk nisi asnjëherë hetimet për këtë çështje.

Fshehja e vdekjeve nga covid përgjatë viteve 2020/ 2021 i përshtatej qeverisë që i duhej suksesi në menaxhimin e pandemisë. Një nga kolonat e fushatës së zgjedhjeve të 25 Prillit ishte fushata e vaksinimit kundër kovid që u ndoq në veçanti nga drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe. Pavarësisht disfatës në pandemi, Ogerta Manastirliu u konfirmua në krye të Ministrisë së Shëndetësisë nga kryeministri Rama në qeverinë e mandatit të tretë./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco