Çfarë faji ka Sali Berisha që e duan demokratët?

Çfarë faji ka Sali Berisha që e duan demokratët?

16:37, 12/01/2022 Nga Nga Hysni Gurra

8 janari qe vetëm kurorëzimi i asaj që të gjithë e dinin, por disa patën guximin ta thonë shumë kohë më parë, disa morën kurajon ta thonë pas ngjarjeve të fundit.

Por, pa ardhur te ajo që ndodhi, të kthejmë kokën pas dhe të analizojmë modelin Berisha dhe atë Basha si liderë politikë të PD.

Sali Berisha i dytë tregoi se është një lider që përveçse di të rinovojë veten si politikan, di edhe të ndryshojë sjelljen politike.

Diti që, gabimet që bëri Berisha i parë, në një masë shumë të madhe mos t’i bëjë më Berisha i dytë.

Dhe për këtë s’ka nevojë për shumë argumenta pasi të gjithë e dinë dhe i kanë jetuar të dyja kohët.

Sali Berisha diti t’i bëjë një hapje partisë në 2004-2005, u afruan figura që nuk mendohej kurrë më se mund të bashkëpunonin me të. Imami, Pollo, Ruli etj. Ish bashkëpunëtorë. Krahas këtyre e hapi shumë ndaj figurave të reja, Bregu, Duma, Basha, Alibeaj etj.

Madje parë nga sot, e hapi aq shumë sa midis tyre depërtuan edhe njërëz pa pikë karizme apo morali politik siç është ky që u bë pasues e tij.

Në kohën kur Berisha ishte kryetar PD-je, edhe pse me një karizëm të fortë, që e ka vetëm ai si stil të tijin, kishte edhe plot figura autoritare Partia Demokratike. Arben Imami, Genc Ruli, Pollo, Sokol Olldashi, Ridvan Bode, Jozefina Topalli etj. Secili prej tyre kishte një karizëm dhe një mendim deri diku të tijin. Ose thënë ndryshe fibër politike.

Në vitin 2017, Lulzim Basha bëri “hapjen” e PD. Duke përjashtuar gjithë këta që përmendëm dhe për të krijuar grupin e tij. Siç të gjithë i dini, Salianji, Duma, Alibeaj, Tabaku etj.

Krahasoni vetë tani hapjen që bëri Berisha me hapjen që bëri Basha.

Fibrën politike të këtyre që solli Basha me atyre që kishte Berisha.

Merrini emër për emër po deshët, i krahasoni dot?

Gjykimin bëjeni politik dhe jo me akuzat për korrupsion. Pasi nëse i hyn atyre, nuk di sa politikanë që kanë patur pushtet në Shqipëri dalin të ndershëm, ose i kanë shpëtuar akuzave.

Prandaj po flasim vetëm si lider në gjykimin politik.

Bile edhe në atë plan po ta marrësh, si Basha vetë, si ata që futi në politikë ai, ndoshta mund të jenë rast ekzemplarë se si disa deputetë akuzohen për korrupsion dhe janë figura aq të konsumuara publike duke qenë 8 vjet në opozitë, pa patur pushtet ekzekutiv.

Tani krahasoni lidhjen dhe gjykimin e anëtarëve të PD për të dy si lidera.

Secili nga ne njeh anëtarë të PD dhe ka dëgjuar prej tyre të flasë për cilësitë e Berishës dhe të Bashës.

Për Berishën mbizotëron në masë të gjerë opinioni: Lider që mban lidhje të vazhdueshme dhe komunikim të drejtpërdrejtë edhe me anëtarin e thjeshtë. Lider që identifikon, afron, ose vlerëson njerëz me mendim të lirë dhe njeh kontribute. Lider që nëse të thotë PO për diçka, nuk të gënjen kurrë.

Lider që kujdeset personalish për çdo anëtarë partie i cili burgoset për shkak të një proteste të thirrur nga ai, i jep suport dhe mbështetje si vetë personalisht si stafi ose grupi i tij i afërt.

Ndërsa për Bashën, mendimi që mbizotëron gjerësisht në bazën e anëtarëve të PD është: Pa përjashtim; mbi 80% e atyre që kanë patur të bëjnë njëherë me Bashën, janë të mendimit se është lider që të gënjen sy për sy, lider që të del fjale aty për aty, lider që drejton në mënyrë autoritare dhe nuk pranon dot rreth vetes njerëz me mendim të tyrin, lider që i thërret njerëzit në protestë dhe nuk do t’ia dijë më për askënd që është arrestuar për shkak të tij.

Mardhënia dhe aftësia e secilit prej tyre për të arritur aleanca me partitë tjera. I keni dëgju aleatët se çfarë thonë për Berishën dhe çfarë për Bashën.

Tani, çfarë faji ka Sali Berisha që anëtarët e partisë duan atë dhe jo Bashën???

Në fund fare, si mundet një lider të ketë frikë t’i drejtohet anëtarësisë së partisë për votëbesim?!

Gjëja më e thjeshtë dhe më demokratike në botë është të kërkosh legjitimitet nga partia. Po fitoi, jo vetëm në Amerikë, por të nisë doje edhe në Evropë për ta shpallur Berishën non grata dhe të udhëheqë partinë i qetë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco