'Kuvendi do të mblidhet'/ Klevis Balliu: Opozita është në 'Foltore', jo te zyra e vulës

'Kuvendi do të mblidhet'/ Klevis Balliu: Opozita është në 'Foltore', jo te zyra e vulës

16:32, 27/10/2021

Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu deklaron se Lulzim Basha nuk e pengon dot mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. 

I ftuar në studion e Syri Tv me moderatoren Armela Ferko, Balliu u shpreh se opozita është në 'Foltore' dhe jo te zyra e vulës. 

"Kuvendi Kombëtar thirret nga Kryetari, Kryesia, Këshilli Kombëtar, ose 1/4 e Kuvendit. Thirret, thotë statuti, jo që merr leje, por thirret. Kuvendin nuk mund ta njohësh dhe të mos ta njohësh, nëse unë të dërgoj firmat Kuvendi do të mblidhet. Njihet sepse janë demokratët që po shkojnë aty dhe janë plotësuar të gjitha rregullat e statutit. Nuk është çështja nëse një individ, qoftë ky edhe kryetari i partisë njeh Kuvendin, por nëse Kuvendi të njeh ty. Kuvendi ka të drejtë të shkrijë partinë, jo më Lulzim Bashën. Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës, nuk merr urdhra nga kryetari i partisë, por është kryetari që duhet t'i bindet Kuvendit. Opozita sot është në Foltore dhe jo te zyra e vulës", u shpreh Balliu. 

Sa i takon Vettingut në politikë, ish-deputeti i PD, Klevis Balliu tha se Lulzim Basha është shndërruar në zërin e propagandës së Edi Ramës. Ai kujtoi se ishte Edi Rama ai i cili para 3 vitesh kërkoi që filtrin ndaj deputetëve ta bëjë SPAK-u. 

"Kur e kemi propozuar për herë të parë, Edi Rama ka deklaruar që Vettingun e politikanëve ta bëjë SPAK. Jam i habitur se pse lidershipi aktual i PD kthehet te fjalët e Ramës. Pse po përdoret fjalori i Edi Ramës nga goja e lidershipit të PD dhe për këtë na detyrohet një pëgjigje. Të na thotë si arritëm ne të bëhemi propaganda e ideve të Ramës. Kjo është turp për ne. Dhe të gjitha këto ndodhin se nuk po shohim realitetin, realiteti është që opozita është në 'Foltore'", u shpreh Balliu. 

Ai tha se në 2019 opozita dogji mandatet parlamentare për të mos u përdorur si fasadë e qeverisë, por sot, shton ai, situata e opozitës është edhe më keq. Sipas tij, lidershipi demokrat po investohet për të paraqitur një realitet të rremë që i shkon për shtat mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama. 

"Opozita dogji mandatet që të mos ishte fasadë e qeverisë. Sot çfarë po bën opozita? Kërkon, të paktën lidershipi aktual kërkon të japë një imazh sikur jemi në gjendje normale në Shqipëri. Këtu vidhet dhe nuk arrestohet njeri, shkelet Kushtetuta asnjë nuk mban përgjegjësi. Nuk jemi në kushte në normale si në Francë, Gjermani, Itali ku bëhet një komision hetimor dhe komisioni ka arsye, thelb, fuqi, autoritet. Ju e patë që çuan një roje parkingu dhe ju bërtiste deputetëve të opozitës në komisionin hetimor për 25 prillin. Lidershipi i di këto. A i bën për të marrë pak vëmendje politike, pë të shkëputur vëmemndjen nga ajo që po bëjn sot demokratët dhe qytetarët, 'Foltorja', të cilët kanë gjetur një dritë shprese në këtë tunel të errët prej 8 vitesh. Ku kërkon të shkojë me këtë komision hetimor? Nëse ke prova çoji në gjykatë. Do kërkojnë Ramën në Komision? Për çfarë, për të dalë përpara kamerave? Për t'i vënë ca kamera edhe aty?" 

Komisionet Hetimore, tha Balliu, nuk do të japin rezultat dhe nuk e çojnë asgjëkundi opozitën, ndërsa shtoi se Rama dhe Basha mund të jenë në pazar me njëri-tjetrin.

"Këto nisma deri sot kemi parë që s'të çojnë asgjëkundi. Edhe komisioni me Tahirin, ku është sot Tahiri? Nëse je koshient që këto komisione nuk të çojnë asgjëkundi dhe t'ia servir Ramës këto për ta nxjerrë në televizor, atëherë mos kemi të bëjmë me një pazar? Kemi 10 krime në Tetor, asnjë të arrestuar, vjedhjet me tendera vijojnë. Në mandatin e tretë shemben shtëpitë e qytetarëve, sot në Laprakë, për të goditur qytetarët për pastruar paratë disa pushtetarë me pallate. Këto janë dramat që po kalon vendi dhe për këto duhet të japim një përgjigje ne".  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco