Një vit nga shembja e Teatrit/ Goci: Ja kur do jepet vendimi nga Gjykata Kushtetuese

Një vit nga shembja e Teatrit/ Goci: Ja kur do jepet vendimi nga Gjykata Kushtetuese

21:51, 18/05/2021

Më 17 maj të vitit të kaluar në mes të natës u shemb në mënyrë barbare Teatri Kombëtar, edhe pse pati mjaft rezistencë nga Aleanca e Mbrojtjes së Teatrit dhe nga plot qytetarë.

Por, në çfarë situate, emocionale të analizës janë sot shqiptarët në raport me atë që ka ndodhur një vit më parë në orën 4 të mëngjesit?

Kësaj pyetje i përgjigjet në “A Show” në Syri Tv njëri prej aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Ervin Goci.

“Jemi pas zgjedhjeve dhe gjithçka ishte e lidhur me zgjedhjet. Ishte normale dhe këtu nuk ka asnjë gabim. I vetmi gabim ishte se ka patur një efekt më të ekzagjeruar për zgjedhjet, pasi mendohej se do të zgjidheshin të gjitha më 25 prill. Këtu fus edhe veten time si një njeri që doja me gjithë zemër të kishte një ndërrim, por që rashë prej e një naiviteti normal.

Këtu ka një problem madhor. Teatri ishte përballë një sistemi të korruptuar dhe që nuk mat dot se kush është i ndershmi, i drejti dhe ai që jep ofertën më të mirë.

Mendoj se ka ndikuar pesha e pushtetit, e parasë, e gjithë pasigurisë që është në shoqëri, krahasuar me një kauzë që sipas nesh është kauza që vë përpara përgjegjësisë jo vetëm ata që e prishën, por gjithë klasën politike dhe të gjithë shoqërinë.

Nuk mund të themi që Teatri Kombëtar ishte një kauzë e veçuar, që ne të kemi hallin që u prish dhe ta rindërtojmë, sikur është një kauzë me etapa, por në fakt ajo ka qenë që nga dita e parë e deri në fund një lloj vazhdimësie e asaj që kishte ndodhur më përpara.

Kjo ka qenë dhe arsyeja që unë jam angazhuar në vazhdimësi dhe është mbi të gjitha ajo që vjen më pas. Në datën 3 qershor Gjykata Kushtetuese do të shprehet në lidhje me dy çështje, është ligji special dhe VKM-ja 377 e cila kaloi pronësinë te bashkia”, thekson Goci, duke vazhduar më tej: “Jemi në një etapë që do të tregojë një nga investimet më të mëdha që është bërë këto 30 vite në Shqipëri nga ndërkombëtarët, nga shoqëria, nga çdo lloj qelize. Të shohim në ‘Sheshin e Mejdanit’ se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese për një situatë kaq të qartë dhe kaq dramatike.

Unë besoj te të gjithë forcat opozitare që nëse kanë dëshirë dhe kanë vullnet për t’u bashkuar dhe për t’i rezistuar kësaj, pasi ndërtimi nuk mund të bëhet në një ditë siç ndodhi shembja. Mund të duhet muaj apo vite. Mesa di unë, këta nuk kanë as para, as projekt, asgjë.

Shkelja e parë e ligjit që është e hapur, është se kanë shembur një godinë pa patur projekt zëvendësues. Që këtu fillon dobësia e pushtetit, që neve duhet të na japë energji e kurajo për të protestuar për këtë gjë.

Nuk është çështje as e imja as e atyre aktivistëve që kanë protestuar atje, por është një çështje e të gjithë shoqërisë. Ne flasim për fillimin e një opozitarizmi të të gjitha palëve, të gjitha forcave. Unë jam që ja ku është një kauzë që më e pastër dhe më e drejtë nuk ka ku të bëhet më. Kjo nuk ka lidhje fare me zgjedhjet. Nuk ndërtohet shoqëria me ngjarje episodike. Shoqëria ndërtohet mbi vlera, ndërtohet mbi besime. Duhet absolutisht të besojmë dhe të luftojmë.

Jam i sigurt që nëse ka një reagim të organizuar, duke shkuar atje dhe duke hyrë pse jo edhe në polici, do ua shtyjmë atyre afatin. Është luftë forcash dhe ne duhet të tregojmë që kjo gjë ka qenë kështu, kështu është dhe ne kemi fuqi ta kundërshtojmë. Nëse ne do të dorëzohemi, sigurisht që pushteti do ketë të drejtë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco