Regjistrimi i Popullsisë nga INSTAT: Pyetësorë elektronikë me 3 teste paraprake

Regjistrimi i Popullsisë nga INSTAT: Pyetësorë elektronikë me 3 teste paraprake

07:16, 18/05/2021

Instituti i Statistikave zbuloi se pyetësorët për Censin e Popullsisë që do të zhvillohet vitin tjetër do të jenë elektronikë dhe të dhënat do të ngarkohen automatikisht në sistem. Përpara se të arrihet në zbatimin konkret të projektit INSTAT parashikon që të zhvillojë tre teste paraprake si dhe një cens pilot i ri.

“Viti 2021 rezervon një sërë aktivitetesh përgatitore të Censit. Pas miratimit të ligjit Nr. 140/2020 “Për Censin e Popullsisë dhe të Banesave”, do të ngrihet Komisioni Qendror i Censit dhe Komisionet e Censit në nivel Bashkie si dhe do të hartohet Plani Vjetor për vitin 2022, pjesë integrale e të cilit do të jetë Data e Censit dhe Pyetësori i Censit.

Me qëllim kryesor testimin e metodologjisë, pyetësorit, manualeve si edhe aplikacioneve për mbledhjen e të dhënave dhe monitorimin, do të organizohen 3 teste paraprake, si dhe do të kryhet një tjetër pilot i Censit, ku do të testohen të gjitha fazat e tij” thuhet në raportin vjetor të INSTAT.

I njëjti nënvizon se pjesa e teknologjisë së informacionit do të jetë shumë e rëndësishme sa i takon Censit të Popullsisë 2022 ndaj punonjësit do të trajnohen për të përfituar të gjithë njohuritë e nevojshme ndërkohë që do të prokurohen edhe të gjithë elementët e tjerë të IT.

“Teknologjia e informacionit përbën një element të rëndësishëm në procesin e Cens, jo vetëm në kuadër të automatizimit të proceseve, por sidomos për faktin që të dhënat do të mblidhen me pyetësorë elektronikë.

Gjatë vitit 2021 do të vazhdohet puna në lidhje me zhvillimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit në mbështetje të Cens. Do të zhvillohen dhe testohen sistemet e Teknologjisë së Informacionit për pyetësorin elektronik, si edhe sistemin e monitorimit të procesit në terren. Një hap i rëndësishëm në mbarëvajtjen e punës është edhe trajnimi i përdoruesve të këtyre sistemeve. Piloti i dytë do të jetë një test i rëndësishëm në lidhje me aplikacionet e mbledhjes dhe monitorimit të të dhënave, pasi është një moment kyç për testimin e sistemeve në tërësi” vlerëson INSTAT.

Fillimisht Censi ishte parashikuar për t’u zhvilluar në vitin 2020 por për shkak të situatës së COVID-19 si dhe problematikës që lindi më herët me tërmetin e vitit 2019 u vendos që të shtyhej. Kjo pasi në terren kishte nevojë për përditësim të të dhënave lidhur me situatën e banesave dhe pasojat që la pas tërmeti ndërkohë që edhe situate e pandemisë e bënte të pamundur zbatimin në terren ./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco