3 mekanizmat e paligjshëm që përmbysën rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit

3 mekanizmat e paligjshëm që përmbysën rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit

19:28, 17/05/2021 Nga Vehap Kola

Një ndër etapat më dramatike që kanë përjetuar demokracitë e reja të vendeve në zhvillim, si Rusia dhe ish-republikat sovjetike është kalimi nga regjimet autoritariste elektorale në regjimet autoritariste hegjemone. Dallimi ndërmjet të dyjave është se në rastin e dytë, ndryshimi politik që mund të arrihet përmes zgjedhjeve është pothuajse i pamundur. Bjellorusia më herët dhe Rusia pas vitit 2011 janë shembuj tipikë të këtij shndërrimi anti-demokratik.

Studiuesit e politikës përdorin edhe termin regjime jokonkurruese për të përshkruar këto vende. Në dukje vende të tilla sillen formalisht si demokraci, organizojnë votime rregullisht, lejojnë opozitën politike por pamundësojnë përhapjen e mesazhit politik dhe elektoral të opozitës, si dhe pengojnë organizimin konkurrues të partive apo kandidatëve rivalë. Për shembull, Putin nuk e ka vrarë kundërshtarin e tij Navalny (helmimi i tij i para disa muajve si përjashtim) por ka përhapur tezën konspirative se ai është një krijesë e Kremlinit që mbrohet nga Kremlini. Kjo e ka prishur unitetin e opozitës dhe e ka fraksionuar energjinë e saj anti-Putin.

Shumë regjime, veçanërisht autokraci, zhvillojnë zgjedhje ku fitorja e regjimit është një rezultat i paracaktuar. Ky rezultat është i kushtëzuar nga kontrolli i përgjithshëm i të gjitha niveleve të pushtetit, i burimeve financiare, i medias dhe shoqërisë civile. Në një farë mënyre, organizimi formal i zgjedhjeve është bërë një domosdoshmëri për çdo autokrat për të fituar një minimum legjitimiteti nga bashkësia ndërkombëtare. Veçanërisht në Shqipëri organizimi i zgjedhjeve lidhet me një nevojë edhe më të madhe për legjitimitet ndërkombëtar për qeverinë e një vendi të vogël si ne. Megjithatë, është shkalla në të cilën këto zgjedhje janë të lira dhe demokratike që i bën ato  një instrument efektiv ndryshimi ose legjitimimi.

Shqipëria, që ia kishte dalë që të bënte ndryshime politike përmes zgjedhjeve deri në vitin 2013, duket se ka pësuar të njëjtin tranzicion me atë të Rusisë dhe republikave ish-sovjetike përreth saj. Megjithëse ka shënuar dështimet më të mëdha ekonomike, shoqërore e institucionale, Rilindja nuk u rrëzua dot me mekanizmin e votës. Edhe pandemia që rrëzoi shumë qeveri, pothuajse kudo ku ka patur zgjedhje gjatë vitit të fundit, nuk solli në Shqipëri pasojën politike që solli kudo tjetër: ndryshimin e qeverisë.

Debati mbi manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit po paraqitet si një debat argumentash abstraktë dhe jo provash konkrete. A është vërtet ky një debat abstrakt apo organet ligjzbatuese i kanë aty provat dhe faktet për të hetuar prishjen e standardeve të zgjedhjeve? Le të marrim 3 shembuj nga metoda të paligjshme të manipulimit të votës efektet e të cilave janë të drejtpërdrejta mbi rezultatin.   

Për të mos lejuar ndryshimin që do të sillnin një palë zgjedhje normale, regjimi në Tiranë luajti çdo gur. Prishi marrëveshjen e ndërmjetësuar dhe garantuar nga ndërkombëtarët, ndryshoi kushtetutën për të përjashtuar koalicionet, ndryshoi Kodin Zgjedhor në mënyrë të njëanshme, ndryshoi edhe fletën e votimit 3 javë përpara zgjedhjeve. Nuk mjaftuan ndryshimet ligjore sipas interesave të Rilindjes. Regjimit iu desh të kthehej e t’i shkelte vetë ligjet që miratoi po vetë. 125 milion euro u shpërndanë në kundërshtim me ligjin për familjet e dëmtuara nga tërmeti (ose jo) në 11 bashki. Vetëm në Bashkinë e Tiranës u shpërndanë rreth 75 milionë euro cash.

Nëse marrim një mesatare prej 500 mijë lekësh të reja për çdo familje (vlera e zhdëmtimit për kategorinë DS3) vetëm impakti i shpërndarjes së këtyre parave cash mund të përllogaritet në të paktën rreth 93 mijë vota nga 31 mijë familje përfituese. Vetëm në Tiranë, numri i votave të blera me këtë metodë arrin në rreth 55 mijë.  Nuk kemi të drejtë të aludojmë se këto vota ishin të opozitës, por është e sigurt se këto vota nuk do t’i merrte Rilindja nëse nuk do të shpërndante paratë cash të të ashtuquajturit rindërtim. Vetëm pa këtë metodë manipulimi, rezultati i saj final nuk do të ishte 760 mijë vota, por 670 mijë.

Një tjetër mekanizëm i paligjshëm që u përdor për të deformuar votën ishte shpërndarja e çertifikatave të legalizimit për banesat individuale. 6315 leje legalizimi u dhanë gjatë afatit të ndaluar me ligj. Me të njëjtin koefiçent, të paktën 20 mijë vota u mobilizuan nga makineria e fushatës socialiste përmes kësaj metode. Përsëri, po pranojmë se këta shqiptarë nuk do të kishin votuar as për opozitën dhe u shtynë të votojnë Rilindjen në këmbim të lejes së legalizimit. Rezultatit të Partisë Socialiste i zbriten edhe 20 mijë vota të tjera duke e çuar numrin total të votave në 650 mijë.

Mekanizmi i tretë i paligjshëm që ka deformuar rezultatin përfundimtar  të zgjedhjeve ishte punësimi i 13 mijë punonjësve të rinj në administratën qëndrore. Këtu nuk përfshihet numri i qytetarëve të marrë në punë nga bashkitë dhe institucionet në varësi të tyre. Vetëm kjo masë manipulative ka patur potencialin për t’i shtuar Edi Ramës rreth 40 mijë vota. Përllogaritjes tonë të rezultati të Partisë Socialiste në këto zgjedhje i shtojmë edhe këtë efekt, që e zbret numrin e votave për Rilindjen në 610 mijë.

Sikur vetëm këto 3 mekanizma të paligjshëm të deformimit të votës të mos ishin lejuar të përdoreshin, Edi Rama i kishte të humbura zgjedhjet zgjedhjet e 25 prillit. Me supozimin se asnjë prej këtyre votuesve të blerë me këto 3 mekanizma të paligjshëm nuk do të votonte as për opozitën nëse nuk vihej në punë mekanizmi përkatës, Partia Demokratike do të kishte të paktën 12 mijë vota më shumë se Partia Socialiste. Këtë konfirmonin të gjitha sondazhet serioze, përfshirë edhe vetë sondazhet e Ramës. Ai e dinte më mirë se të gjithë këtë dinamikë të lëvizjeve të votuesve, prandaj vendosi të manipulonte zgjedhjet.

Gjurmët e 3 mekanizmave të paligjshëm të përmendur më lart dhe të zbatuar në zgjedhjet e 25 prillit janë në VKM-të, VKB-të, transfertat bankare dhe ato të thesarit, në korrespondencën dhe tabulatet telefonike të funksionarëve të regjimit. SPAK, Prokuroria dhe institucionet e zbatimit të ligjit mund t’i sigurojnë këto prova për 24 orë, nëse do të kishin vullnet të lirë për të hetuar krimin zgjedhor.

Zgjedhjet e 25 prillit ishin akti i kalimit nga regjimi autoritarist elektoral në regjimin autoritarist hegjemon. Ndryshimi politik përmes zgjedhjeve është i pamundur në këtë regjim. Prandaj, politikanët, qytetarët e angazhuar për demokracinë dhe të ardhmen e lirive politike e njerëzore në këtë vend do të duhet të luftojnë me të gjitha mjetet demokratike për të rikthyer në jetë mekanizmin e zgjedhjeve si instrument ndryshimi. Kjo është më e vlefshme se çdo provë gjenerale apo zbatim në miniaturë të ideve të lirisë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco