Një zbulim i rëndësishëm ‘mund të kurojë të gjithë kanceret’

Një zbulim i rëndësishëm ‘mund të kurojë të gjithë kanceret’

20:35, 20/01/2020

Nga James Gallagher, BBC

Një pjesëz e sistemit tonë imunitar, e zbuluar së fundmi, mund të shfrytëzohet për të trajtuar të gjithë kanceret, thonë shkencëtarët.

Ekipi i Universitetit të Kardifit zbuloi gjatë testimeve në laborator një metodë për të vrarë kancerin e prostatës, gjirit, mushkërive dhe të tjera kancere.

Këto gjetje, që janë publikuar në revistën ‘Nature Immunology’, nuk janë testuar te pacientët, por shkencëtarët thonë se ato kanë një ‘potencial shumë të madh’.

Ekspertët thanë se megjithëse puna është akoma në fazat fillestare, ajo është shumë emocionuese.

Çfarë kanë zbuluar ata?

Sistemi ynë imunitar është mbrojtja natyrale e trupit kundër infeksioneve, por po ashtu ai sulmon edhe qelizat kanceroze.

Shkencëtarët po kërkonin për metoda të pazakonshme dhe të pazbuluara më parë se si sistemi imunitar sulmon në mënyrë natyrale tumoret.

Ajo që zbuluan ata ishte një qelizë T brenda gjakut të njerëzve. Kjo është një qelizë imune, që mund të skanojë trupin për të vlerësuar nëse ekziston një kërcënim, i cili duhet eliminuar.

Dallimi është se ajo mund të sulmojë një gamë të gjerë kanceresh.

“Ka një shans këtu për të trajtuar cdo pacient,” tha për BBC studiuesi, profesor Andrew Sewell.

Ai shtoi: “Më përpara, askush nuk mendonte se kjo është e mundur”.

“Kjo shton mundësinë e trajtimit të gjithë kancereve me një lloj të vetëm qelize T, e cila është në gjendje të shkatërrojë shumë tipe të kancereve në gjithë popullsinë”.

Si funksionon?

Qelizat T kanë ‘receptorë’ në sipërfaqen e tyre, që i lejojnë ato të ‘shohin’ në një nivel kimik.

Ekipi i Kardifit zbuloi një qelizë T dhe receptorin e saj, që mund të gjenin dhe vrisnin një gamë të gjerë qelizash kanceroze në laborator, përfshi këtu qelizat kanceroze të mushkërive, lëkurës, gjakut, zorrës së trashë, gjirit, kockës, prostatës, vezoreve, veshkave dhe qafës së mitrës.

Më e rëndësishme, ajo i lë indet normale të paprekura.

Se si e bën saktësisht diçka të tillë, kjo po eksplorohet akoma.

Ky receptor i veçantë i qelizave T ndërvepron me një molekulë të quajtur MR1, e cila është në sipërfaqen e çdo qelize në trupin e njeriut.

“Ne jemi të parët që përshkruajmë një qelizë T, e cila gjen MR1 në qelizat kanceroze. Kjo nuk është bërë më parë,” thotë për BBC bashkëpunëtori i hulumtimit, Garry Dolton.

Pse është e rëndësishme kjo?

Terapitë me qeliza T ekzistojnë tashmë dhe zhvillimi i imunoterapisë së kancerit ka qenë një nga përparimet më interesante në këtë fushë.

Shembulli më i famshëm është CAR-T, një ilaç i gjallë- i bërë duke projektuar gjenetikisht qelizat T të një pacienti në mënyrë që të gjejnë dhe shkatërrojnë kancerin.

CAR-T mund të ketë rezultate befasuese, duke i shëruar plotësisht disa pacientë terminalë.

Sidoqoftë, qasja është shumë specifike dhe funksionon vetëm në një numër të kufizuar kanceresh, ku ekziston një objektiv i qartë për të trajnuar qelizat T.

Por kjo qasje nuk ka pasur suksese në kanceret e ngurta- ato që formojnë tumore- më shumë se kanceret e gjakut, siç është leuçemia.

Studiuesit thonë se receptori i qelizave T mund të çojë në një trajtim universal të kancerit.

Por si do funksiononte në praktikë?

Ideja është që një mostër gjaku merret nga një pacient me kancer. Qelizat T nxirren prej aty dhe modifikohen gjenetikisht duke i riprogramuar në mënyrë që receptori të gjejë kancerin.

Qelizat e përmirësuara rriten në sasi të mëdha në laborator dhe më pas rivendosen te pacienti. I njëjti proces përdoret edhe për terapitë me CAR-T.

Megjithaët, hulumtumi është testuar vetëm te kafshët dhe qelizat në laborator dhe shumë kontrolle sigurie duhen bërë përpara se të nistin testimet te njerëzit.

Çfarë thonë ekspertët?

Luca Mori dhe Gennaro de Libero nga Universiteti i Bazelit në Zvicër thonë se studimi ka një potencial të madh, por është ende në fazat e hershme për të thënë nëse do të funksionojë në të gjithë kanceret.

“Ne jemi shumë të entuziazmuar për funksionet imunologjike të këtyre qelizave të reja T dhe potencialin për përdorim në terapinë e qelizave tumorale,” thanë ata.

Daniel Davis, një profesor i imunologjisë në Universitetin e Mançesterit, tha: “Për momentin është një hulumtim shumë bazik dhe jo afër ilaçeve për trajtim”.

“Nuk ka dyshim se është një zbulim shumë emocionues, si për avancimin e njohurive tona themelore për sistemin imunitar, ashtu edhe për mundësinë e ilaçeve të reja në të ardhmen”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco