Publikohet punimi për efektin e kimioterapisë në sistemin nervor periferik

Publikohet punimi për efektin e kimioterapisë në sistemin nervor periferik

21:29, 13/10/2022

Gjatë muajit të kaluar, në revistën amerikane Medical Science Monitor, është publikuar studimi ynë i realizuar në Klinikën e Neurologjisë, në bashkëpunim me Klinikën e Onkologjisë, për efektin e kimioterapisë në sistemin nervor periferik.
Kemi konstatuar se barnat që përdoren për trajtimin e kancereve shkaktojnë dëmtim të nervave periferikë në masën deri në 75%. Duke qenë se barnat më të përdorura kanë qenë nga grupi i taksaneve dhe platinave, kemi përfunduar se ato janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të dëmtimit. Derisa kjo e dhënë tanimë është e njohur dhe e konstatuar në literaturë, gjetja jonë ka dhënë një mbështetje shtesë.
Risia e punimit tonë është se barnat e grupit të platinave kanë shkaktuar dëmtim selektiv më të shprehur në disa nerva, përkatësisht në nervin ulnar dhe tibial. Mendojmë se kjo ka ndodhur për shkak të trashësisë më të madhe dhe prerjes më të gjerë të diametrit tërthor të këtyre nervave, siç është treguar në disa punime të tjera. Prandaj, për konfirmimin e kësaj gjetjeje duhet të realizohet studimi shtesë ultrasonografik i këtyre nervave për të parë nëse këto ndryshime qëndrojnë edhe në mostrën tonë, përkatësisht nëse ka ndryshim të këtyre veçorive anatomike në të trajtuarit me taksane dhe platina.
Mostra jonë është përbërë nga 120 pacientë, të diagnostikuar me 18 lloje të ndryshme kanceresh dhe të trajtuar me 15 protokolle të ndryshme, por që në 93% të rasteve në thelb kanë pasur një taksan apo platin, apo të dyja bashkë. Pacientëve i kemi bërë nga një ekzaminim të standardizuar neurologjik dhe elektrofiziologjik para fillimit të trajtimit me kimioterapi dhe pas 4-6 ciklesh të trajtimit me kimioterapi.
Studimi i publikuar ka qenë pjesë e punimit të doktoratës sime, nën udhëheqjen e mentores, Prof. Dr. Zylfije Hundozi, të cilën e falënderoj për mbështetjen dhe udhëzimet.
Pas publikimit të punimit, Grupi ndërkombëtar studies që është duke zhvilluar një hulumtim multicentrik për efektin toksik të kimioterapisë në sistemin nervor periferik, i udhëhequr nga emri eminent i fushës Prof. Guido Cavaletti, e ka ftuar Klinikën tonë që të bëhet pjesë e këtij studimi ndërkombëtar. Procedurat preliminare për pjesëmarrje janë duke u zhvilluar.
I falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e studimit, Dr. Faton Sermaxhaj, Prof. Afrim Blytën, Prof. Nexhmedin Shalën, Ass. Fisnik Jasharin, Prof. Hasime Qorraj Bytyqin, Dr. Ilir Kurtishi dhe Dr. Ekrem Hyseni.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco