Ja pse ventilatorët nuk janë ilaçi për pandeminë

Ja pse ventilatorët nuk janë ilaçi për pandeminë

21:00, 04/04/2020

Nga Dr. Matt Strauss, Spectator

“Më shumë ventilatorë,” bërtasin gazetarët në Twitter. “Po, më shumë ventilatorë”, përgjigjen politikanët. “Ku janë ventilatorët”, bërtet gazetari, këtë herë në TV. “Po, akoma më shumë”, përgjigjet qeveria, deri diku në mënyrë të pakuptimtë.

Unë jam një mjek i kujdesit kritik, i specializuar në përdorimin e këtyre makinerive. Jam i habitur nga vëmendja që po marrin pajisjet tona. Por kam frikë se zhurma e tanishme nuk më kujton asgjë më shumë sesa blerësit në panik të letrës higjienike në fillim të marsit. Kur të shkruhet historia e pandemisë Covid-19 në botën perëndimore nuk besoj se prodhimi masiv i ventilatorëve do të vlerësohet si shpëtimtari ynë. Më lejoni të shpjegoj pse.

Ventilatorët nuk shërojnë ndonjë sëmundje. Ata mund të mbushin mushkëritë me ajër kur jeni të paaftë për ta bërë këtë vetë. Ata janë të lidhur me sëmundjet e mushkërive në vetëdijen e publikut, por në fakt ky nuk është përdorimi i tyre më i zakonshëm ose më i përshtatshëm.

Ka shumë arsye pse një njeri mund të mos jetë në gjendje të mbushë mushkëritë me ajër. Nënshtrimi ndaj një operacioni të madh në bark nën anestezi të përgjithshme është ndoshta më kryesori prej tyre. Shkaqe të tjera të komës, si intoksikimi nga droga ose trauma në kokë, po ashtu kërkojnë ventilim mekanik. Disa çrregullime neurologjike si sindroma Giullian-Barre apo polio, mund ta lënë një përson zgjuar, por të paaftë për të funksionuar poshtë mushkërive, në diafragmë. Në të gjitha këto raste, ventilatori e shtyn ajrin e pastër që përmban oksigjen në mushkëritë e shëndetshme, të cilat transmetojnë oksigjen në gjak.

Në të kundërt, kur një person ka probleme të rënda në mushkëri, mund ta imagjinoni se një pjesë e indeve të mushkërive të tyre vazhdon të marrë ajër kur marrin frymë, por nuk arrin ta transmetojë këtë oksigjen në rrjedhën e gjakut. Për të kompensuar këtë pjesë të keqfunksionimit të indeve të mushkërive, personi merr frymë më fort dhe më shpejt, sikur të ishte duke vrapuar në një maratonë.

Dikush mund të zhvillojë një maratonë vetëm për aq kohë sa mushkëritë të lodhen dhe përfundimisht të dështojnë. Detyra ime është të identifikoj këta njerëz përpara se mushkëritë të pushojnë së punuari dhe të vendos një tub plastik poshtë në rrugët e frymëmarrjes, dhe ta lidh me ventilator për të bërë frymëmarrjen për ta. Ky hap drastik zakonisht parashikohet me shpresën se unë mund të bëj diçka për të trajtuar problemin e tyre në mushkëri dhe për t’i çliruar nga varësia e ventilatorit brenda disa ditësh. Kjo zakonisht përfshin antibiotikët për një pneumoni bakteriale ose anti-inflamatorë për astmën.

Testimet klinike të ilaçeve të reja dhe të vjetra janë duke vazhduar. Por tani për tani, më vjen keq ta them që nuk ka asnjë kurë të provuar për infeksionin e Covid-19. Prandaj është e kuptueshme që vendosja e pacientëve në ventilatorë për pneumoni Covid-19 mund të jetë një urë për askund.

Sigurisht që shpresa nuk vdes kurrë. Pacienti mund të shërohet vetë, ndërsa ne e mbajmë të gjallë me makineritë tona. Por ky nuk është një bast pa rrezik. Dr. Paul Mayo, ndoshta mjeku më i mirë i kujdesit kritik në Nju Jork, e shpjegon me sinqeritet këtë rrezik: “vendosja e një personi në ventilator krijon një sëmundje të njohur si ‘vendosja në ventilator’”.

Kur ne fryjmë ajër mekanikisht në mushkëritë tuaja të dëmtuara më shpejt dhe më fort nga sa mundet një njeri, kjo mund të sjellë dëmtim të mushkërive nga ventilatori. Në përgjithësi, që një person të tolerojë këtë gjë, ne duhet ta qetësojmë, duke e bërë të dobët dhe të palëvizshëm. Ndërsa qetësohet, personi nuk mund të kollitet ose të pastrojë rrugët e frymëmarrjes në mënyrë efektive, duke çuar në pneumoni bakteriale të mbivendosur.

Kjo është shumë e tmerrshme për të mbijetuar. Dhe në rastin e Covid-19, të dhënat paraprake janë të zymta. Të hënën, ‘New England Journal of Medicine’ publikoi një seri rastesh të pacientëve të sëmurë rëndë me Covid-19. Nga 20 pacientët që shkuan në ventilator, vetëm katër dolën të gjallë nga spitali.

Të dhëna nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë në Britani, të marra nga njësitë e kujdesit intensiv, përgjithësisht janë të ngjashme. Që nga 27 marsi, nga pacientët e ventiluar, vetëm një e treta ishin gjallë. Nuk është raportuar se sa prej tyre kanë dalë nga spitali.

Nuk ka pasur deri më tani një provë kontrolli plasibo për vendosjen e njerëzve në ventilator përkundrejt lënies të lirë për të luftuar. Prandaj nuk e dimë qartë, nëse ata që kanë mbijetuar në ventilator, do të mbijetonin gjithsesi. Po ashtu nuk dimë nëse disa mund të mbijetonin, por vdiqën për shkak se ishin vendosur në ventilator.

Nuk do të ketë kurrë një testim të tillë. Ndonjëherë ne ndjejmë se një person do të vdesë patjetër nëse nuk vendoset në ventilator. Dëshpërimi i misionit na prek të gjithëve. Edhe mjekët më mendjehapur do të pranojnë se ne ndonjëherë i ventilojmë njerëzit më shumë nga dëshira e mirë, nga dëshpërimi ose nga frika prej padive, sesa të shpresa e bazuar në shkencë për shërim

Fola me doktor Mayo sepse si mjek i kujdesit kritik në Nju Jork, ai është vërtet përballë bishës (aktualisht është në shtëpi i sëmurë me Covid-19, prandaj kishte shumë kohë për të biseduar). Ai përshkroi presionin në rritje nga administratorët e spitaleve për të vendosur pacientët me Covid-19 në ventilator më herët nga sa është e rekomandueshme. Administratorët besojnë se lidhja e pacientëve Covid-19 me ventilator (aparat i frymëmarrjes me qark të mbyllur) mund të ulë infektivitetin e tyre për stafin spitalor. Por a do të thotë kjo se ne po marrim në konsideratë interesin më të mirë të pacientit duke i lidhur me ventilator?

E thënë më thjeshtë: ne nuk e dimë sa shumë jetë do të shpëtonin ventilatorët. Duket të paktën se dy të tretat e përpjekjeve për të ndalur vdekjen e tyre do të dështojnë në një afat të shkurtër. Një e treta e mbetur nuk e dimë sa do jetë e suksesshme në planin afatmesëm apo afatgjatë. Kjo nuk duket si një arsye bindëse për të mbyllur ekonominë britanike, për të ridrejtuar prodhimin e saj drejt ventilatorëve dhe pezullimin e lirive civile për të na dhënë më shumë kohë për këtë përpjekje. Dhe ata që shqetësohen për dështimin e qeverive që nuk po sigurojnë dot më shumë ventilatorë, duhet të ndalen në një moment dhe të pyesin veten nëse kjo është me të vërtetë zgjidhja e duhur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco