Imunologu i njohur: Përgjigje për pyetjet më urgjente mbi virusin

Imunologu i njohur: Përgjigje për pyetjet më urgjente mbi virusin

18:48, 02/04/2020

Imunologu i universitetit ‘John Hopkins’, Andrew Pekosz diskuton pyetjet më të rëndësishme për koronavirusin, që ka prekur thuajse 1 milion njerëz në botë

Çfarë dimë deri më tani për imunitetin dhe Covid-19?

Shpesh ka krahasime mes Covid-19 dhe gripit sepse simptomat janë disi të ngjashme dhe për shkak se Covid-19 filloi të shfaqet në dimër, që është e njëjta kohë kur shohim gripin. Por kur bëhet fjalë për imunitetin, ekziston një ndryshim shumë i madh mes gripit dhe Covid-19. Me gripin, për shkak të infeksioneve dhe vaksinimeve të mëparshme, ekziston gjithmonë një përqindje e popullsisë që është imune ndaj infeksionit – kështu që ata mbrohen dhe nuk do preken nga gripi atë vit. Dhe ekziston një përqindje edhe më e madhe e popullsisë që ka një imunitet- jo imunitet të përsosur, kështu që sërish do infektoheni, por mjaftueshëm sa simptomat të jenë të buta.

Me Covid-19, në njohuritë tona, nuk ka njeri në popullatën njerëzore që ka ndonjë nivel imuniteti ndaj virusit. Pra, përqindja e njerëzve që janë të ndjeshëm ndaj Covid-19 është në thelb 100 përqind, ndërsa me gripin, kjo përqindje është dukshëm poshtë 100 përqind. Kjo është një nga arsyet se pse po zbatohen disa masa të rrepta nga ana e autoriteteve të shëndetit publik. Në të vërtetë, nuk ka asgjë tjetër që mund të parandalojë përhapjen e këtij virusi në popullatë përveç ndërhyrjeve të tilla si distancimi social. Është mungesa e imunitetit të popullatës që i bën njerëzit kaq të ndjeshëm.

Përse të moshuarit zhvillojnë simptoma më të rënda se të rinjtë, edhe pse dy grupet nuk kanë imunitet ndaj Covid-19?

Ende nuk e kemi një përgjigje të mirë. Sigurisht që duket se njerëzit mbi 60 vjeç, veçanërisht ata me probleme të tjera shëndetësore, janë në rrezik më të madh për sëmundje të rëndë. Ne kemi filluar të kuptojmë se burrat mund të jenë më të rrezikuar. Po e shohim këtë tendencë të vazhdueshme në vende të ndryshme. Ajo që nuk dimë është pse. Kjo është një fushë me të vërtetë e rëndësishme kërkimore, për të cilën po punojnë kolegët e mi në Hopkins. Nëse do të mund të kuptonim më mirë se çfarë po ndodh me popullatat me rrezik më të lartë, do ndihmonte në zhvillimin e kurave për sëmundjen e rëndë.

Çfarë roli luajnë stinët në përhapjen e këtij virusi?

Shumë viruse respiratore kanë një sezonalitet. Në zona që kanë stinë, zakonisht shihen më shpesh sëmundjet e frymëmarrjes në dimër se në verë. Kjo për shkak të temperaturës së ulët dhe lagështirës, që ndihmojnë në lehtësimin e transmetimit të virusit. Covid-19 po hyn në popullatë gjatë dimrit, por nuk e dimë nëse do të veprojë si një virus tipik i frymëmarrjes sa i përket sezonalitetit. Ne nuk e dimë nëse Covid-19 do të jetë shumë i varur nga dimri për t’u transmetuar në mënyrë efektive, si gripi, apo nëse do të gjejë mënyra për t’u përhapur në mënyrë efektive gjatë gjithë vitit.

Nëse shikojmë hemisferën jugore, në pjesë të Amerikës Jugore dhe Australisë, po shohim shpërthime të rëndësishme të Covid-19, edhe pse janë në sezonin e verës. Kështu që po presim të shohim nëse virusi do jetë në gjendje të transmetohet këtu të paktën edhe për një periudhë pas muajve të dimrit.

A jeni i shqetësuar se do të shohim një rënie të rasteve në verë dhe më pas një ringjallje në vjeshtë ose dimrin që vjen?

Unë mendoj se është një shqetësim i madh. Jam i brengosur për atë që do të ndodhë nëse lirohen ndërhyrjet aktuale. Tani për tani, ndërhyrjet janë duke bërë një punë të mirë për të zvogëluar numrin e rasteve, por ne nuk e dimë sesa kohë duhet t’i mbajmë këto masa. Kur t’i lehtësojmë, ekziston gjithmonë mundësia që rastet të shtohen sërish.

Përveç imunitetit dhe sezonalitetit, cilat aspekte të tjera të Covid-19 po përpiqen që të kuptojnë studiuesit?

Po mundohemi të kuptojmë se si ky virus është në gjendje të shkaktojë kaq shumë raste të sëmundjes së butë në krahasim me viruset e tjerë. Ne mendojmë se kjo mund të jetë e lidhur me faktin se përse është kaq i mirë në transmetim. Ne gjithashtu po mundohemi të kuptojmë se, nëse e keni kaluar njëherë virusin, a jeni të sigurt për të dalë dhe punuar sërish sepse keni një nivel mbrojtjeje. Po ashtu duam të kuptojmë se cila është koha e vërtetë infektive. Nëse mund të shkurtojmë kohën që dikush qëndron në karantinë, kjo do të ndihmojë në çështjet e fuqisë puëntore. Ne jemi të interesuar për biologjinë bazike të virusit, por po përpiqemi që të pyesim dhe përgjigjemi ndaj pyetjeve biologjike në mënyrë që të informojmë autoritetet shëndetësore për reagimet ndaj pandemisë.

Si mund të ndihmojnë studiuesit, personat që e kanë kaluar Covid-19?

Ne kemi nevojë që njerëzit të bëhen vullnetarë pasi të jenë shëruar për të na ndihmuar që të kuptojmë se si trupat e tyre kanë reaguar ndaj infeksionit. Këto lloj studimesh janë shumë të rëndësishme pasi teksa shpresojmë të rrafshojmë kurbën, mund të kemi mundësi që t’i ndihmojmë këta njerëz në fundin e kurbës që të përmirësojnë prognozat e tyre bazuar te studimi ynë për njerëzit që ishin infektuar në anën e parë të kurbës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco