Mustafa ia kujton Kurtit: Reciprociteti veç në koordinim me SHBA-të

Mustafa ia kujton Kurtit: Reciprociteti veç në koordinim me SHBA-të

19:32, 21/02/2020

Lëvizja Vetëvendosje e LDK-ja pjesë të marrëveshjes për qeverisje e kanë pasur zëvendësimin e tarifës ndaj produkteve serbe me masa të reciprocitetit.

Mirëpo Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin pjesërisht këtë pikë të marrëveshjes. Kërkojnë heqjen e taksës, por i thonë jo reciprocitetit.

Që nga sekretari amerikan i Shtetit e deri te ambasadori amerikan në Kosovë, janë përsëritur thirrjet për heqje të tarifës. 

Këtu përfshihen edhe deklarimet e emisarit të Trumpit, Richard Grenell, i cili ka dëshmuar se vendos shpejt e prerazi në çështjet mes Kosovës e Serbisë. Ai do që tarifa të heqët dhe këtu të përfundoj gjithçka rreth ideve të sanksionimit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i pyetur nëse mbron idenë e vendosjes së reciprocitetit edhe pas presionit amerikan, ka thënë se thelbësore është bashkërenditja me SHBA-në. Të tjera ai i quan modalitete.

“Themelore është që procesi të bashkërenditet me SHBA-të, si partner strategjik i yni. Çështjet e tjera mbesin modalitete”, ka thënë Mustafa në një përgjigje për Express.

Ndërkaq Zyra për Media e LVV-së ka thënë se për çështjen e reciprocitetit qëndrojnë pas asaj që janë marrë vesh me LDK-në.

Qëndrimin zyrtar të LVV-së e ka thënë Kurti dy ditë më parë në Konventën e Prodhuesve të Kosovës. 

Edhe pas thirrjeve të SHBA-së për heqje të menjëhershme të taksës, pa vendosje të masave të tjera, kryeministri Kurti ka thënë se do të vendosë reciprocitet të plotë.

“Do të zëvendësojmë tarifën 100% dhe do të zbatojmë reciprocitetin e plotë tregtar me Serbinë sikurse me secilin shtet. Tarifa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar. Ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve", ka deklaruar Kurti më herët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco