Dy hapat e një skandali

Dy hapat e një skandali

13:33, 21/02/2020

Siç e ka kapur mirë Roland Gjoni, vrapimi pas rrjeteve sociale mund të imitojë komunikimin e disa figurave kryesore në ShBA, por nuk imiton dot traditën dhe aparatin e madh shtetëror që funksionon pas tyre.

Është fuqia shtetërore që i jep seriozitet dhe peshë komunikimit të tyre në rrjete sociale, pra është e kotë të imitohet kjo e dyta kur s’e ke ende të parën.

Skandali i ka dy hapa, së pari emaili nga ambasadorja e Kosovës në ShBA, Çitaku, me të cilin njoftonte institucionet e vet për diçka të pavërtetë.

Së dyti, nguti i presidentit të Kosovës, Thaçi, për të marrë zemra e retweete në twitter.

Hapi i parë tregon mungesë profesionalizmi e përgjegjësie. Një ambasador ka për detyrë që ta ngrejë sa më lart imazhin ndërkombëtar të vendit të vet, e jo ta bëjë të duket qesharak.

Ekziston mundësia që edhe vetë ambasadorja Çitaku të jetë mashtruar, apo të jetë emocionuar nga ndonjë premtim i sapomarrë, por kjo nuk justifikon dërgimin e njoftimit zyrtar.

Nuk dërgohen njoftime zyrtarisht “peshku në det fërterja në zjarr”. Personalisht nuk dua të mendoj se ajo me qëllim ka dërguar njoftim keqinformues, për të nxjerrë keq institucionet e Kosovës.

Hapi i dytë, tregon një protagonizëm dhe një nxitim për të marrë fitore të lehta. Thaçi s’kishte pse të publikonte pa verifikim. Edhe nëse do vinte vërtet njohja nga Xhamajka, kjo nuk është fitore ekskluzive e Thaçit.

Ky nxitim për ta vendosur veten para shtetit e para publikut, flet shumë për karakterin politik të presidentit. Kur ai e hapi këtë lajm, për publikun vendas e ndërkombëtar, u bë e pamundur për institucionet e tjera të mos falënderonin publikisht, sepse do të ngjanin mosmirënjohës.

Megjithatë edhe institucionet e tjera e kanë një përgjegjësi. Ato nuk mund të veprojnë udhëhequr nga sensi i marketingut dhe i rrjeteve sociale. Institucionet kanë për detyrë të veprojnë me kujdes maksimal duke u bazuar në verifikim faktual e jo në tweets e në like.

Le të jetë ky rast një mësim për institucionet, për të mos ndjekur herët e tjera vallen e hapur në rrjete sociale nga persona të papërgjegjshëm. Por edhe një mësim për publikun, për të kuptuar se sa keq i bëjnë vendit kur persona të papërgjegjshëm janë në krye të institucioneve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco