Vendnumërimi diplomatik i Kosovës

Vendnumërimi diplomatik i Kosovës

13:17, 17/02/2020

Kosova po shënon një tjetër përvjetor të pavarësisë së saj, pa e përmbyllur ende dialogun me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve si dy shtete sovrane.

Edhe pas 12 vjetëve të shpalljes së pavarësisë, arritja e kësaj marrëveshjeje, po shihet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, si thelbësore drejt tejkalimit të barrierave që ka Kosova për rrumbullakimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, me anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ecur tutje drejt anëtarësimit një ditë edhe në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO.

Shënimi i 12-vjetorit të pavarësisë, nga aspekti i brendshëm politik, Kosovën e gjen me një rotacion qeverisës si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, 2019, kur edhe ndodhi ndryshimi politik i forcave që dikur ishin në opozitë dhe tani janë në pushtet.

Me Albin Kurtin në krye të qeverisë së koalicionit që u arrit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, votuesit që ia besuan atij (Kurtit) votën presin ndryshimin, sikurse edhe komuniteti ndërkombëtar që mbetet kurreshtar nëse në Kosovë ka tani një lider që do t’i çojë proceset përpara.

 

Përderisa qeveria e re e Kurtit nuk e ka mbushur as një muaj të punës, gjithçka mbetet në suaza të pritjeve, analizave e supozimeve.

Numri "X" i njohjeve

Ngjashëm me përvjetorët e kaluar, edhe sivjet Kosova feston si vendi më i izoluar i në kontinentin e vjetër, pa pasur një qartësi rreth liberalizimit të vizave, një proces që lidershipi dhe qytetarët e Kosovës po e presin të ndodhë që nga viti 2010.

Njëherësh, edhe procesi integrues i Kosovës në BE mbetet i sfiduar seriozisht nga fakti se ende janë pesë shtete anëtare të këtij unioni që nuk e njohin atë si shtet.

Paradoksi që e ndjek shtetin e Kosovës është edhe numri "X,” i panjohur, i vendeve që e njohin atë si shtet.

Vendnumërimi diplomatik i Kosovës 

Që nga shënimi i jubileut të parë të pavarësisë, dy vjet më parë, Kosova numëronte 116 njohje, kurse në 11-vjetorin e saj e aq më pak në 12-vjetorin e sivjetmë të pavarësisë, askush nga institucionet nuk mund ta konfirmojë më saktë.

Detyrat e shtëpisë para dialogut

Politika që synon zvogëlimin e numrit të njohjeve të Kosovës, është kundërshtuar hapur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes të dërguarit të presidentit Donald Trump, për dialogun Prishtinë – Beograd, ambasadorit Richard Grenell.

Ai tashmë u ka transmetuar mesazhe të qarta si Prishtinës për heqjen e taksës doganore ndaj importeve nga Serbia, ashtu edhe Beogradit për të ndalë fushatën kundër njohjeve të shtetit të Kosovës.

Reciprociteti, përplasje e re me SHBA-në

Që këto paqartësi dhe këto konfrontime në raportet Kosovë – Serbi të ndalen, SHBA-ja dhe BE-ja synojnë që palët t’i ulin në tavolinën e bisedimeve për të përmbyllur dialogun kaherë të filluar me një marrëveshje të paqes e cila do të ishte e obligueshme për të dy shtetet.

Procesi i negociatave, edhe pse në një formë tjetër me atë që ka zhvilluar Bashkimi Evropian ndër vite, tani ka fituar në dinamikë me interesimin në rritje të SHBA-së për ta kurorëzuar dialogun më marrëveshje. Megjithatë, edhe këto përpjekje mund të ngadalësohen së shpejti, ngase pas procesit të gjatë zgjedhor në Kosovë, tani pritet që edhe Serbia të hyjë në zgjedhje të reja.

Përtej barrierave

Me gjithë barrierat, për këto 12-vjet shtet, Kosova është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe atyre sportive, duke veçuar anëtarësimet në FIFA, UEFA dhe Komitetin Olimpik.

Pas sukseseve të mëdha në sportin e xhudos me kampionen botërore e olimpike, Majlinda Kelmendi dhe yjet e pop muzikës botërore që Kosova i prezanton si ambasadore të saj, si Rita Ora e Dua Lipa, vitin e fundit edhe ekipi i kombëtares në futboll fascinoi shumë adhurues të këtij sporti anë e kënd botës.

Kosova po bën emrin e saj në futboll

Gjatë periudhës mes 11 dhe 12-vjetorit, jo rrallë sukseset e kombëtares së Kosovës në futboll, të paktën për pak kohë, mblodhën me mijëra veta në stadiume, rrugë e sheshe duke kthyer shpresën që ishte zbehur nga izolimi, varfëria, ikja e qytetarëve për në vendet tjera dhe problemet e vazhdueshme me sundimin e ligjit dhe shkallën e lartë të korrupsionit.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

Deklarata e pavarësisë, u bazua në Planin Gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari, si dokument i koordinuar mes autoriteteve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që e njohën shtetin e Kosovës.

Larg përmbylljes së subjektivitetit ndërkombëtar

Shpalljes së pavarësisë, i kishte paraprirë faza e vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, në qershor të vitit 1999, mbi bazën e rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, e arritur si kompromis ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe perëndimit në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër.

Vendosja e Kosovës nën administrimin e OKB-së (misionit të UNMIK-ut), kishte pasuar konfliktin e armatosur dhe fushatën e regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit për spastrimin etnik të Kosovës, nga shqiptarët, çka kishte nxitur fushatën ajrore të NATO-s, mbi caqet serbe.

Kështu që krahas misionit administrues të OKB-së, në Kosovë ishte vendosur edhe forca paqeruajtëse e KFOR-it, e cila pavarësisht faktit se Kosova ka hyrë në proces të formimit të ushtrisë, vazhdon të mbetet forcë mbrojtëse, ndonëse aktualisht me një numër shumë më të vogël ushtarësh. /rfe/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco