Ekskluzive/ Albin Kurti drejt vendimit të ri, Konjufca i gatshëm të tërhiqet

Ekskluzive/ Albin Kurti drejt vendimit të ri, Konjufca i gatshëm të tërhiqet

11:09, 24/01/2020

Ngërçi politik në bisedimet mes VV-së e LDK-së për formimin e qeverisë së re, pritet të marrë fund brenda pak ditëve.

Burime të afërta me këto zhvillime, kanë thënë për Syri.net Kosova se mandatari për postin e kryeministrit, Albin Kurti, ka filluar të lëvizë nga pozicioni i mëparshëm, duke e parë se partneri që ka zgjedhur për koalicion, nuk po heq dorë nga kërkesat e tij.

LDK këmbëngul në marrjen e pozitës së kryeparlamentarit, që aktualisht mbahet nga Glauk Konjufca, nënkryetar i Vetëvendosjes dhe njëri nga figurat kryesore të kësaj partie.

Burimet e Syri.net Kosova theksojnë se LDK është e vendosur që të mos heqë dorë nga propozimi i fundit me shkrim që Isa Mustafa, kryetari i kësaj partie ia ka dërguar Albin Kurtit, liderit të VV-së.
Nga ana tjetër, Syri.net Kosova ka mësuar përmes burimeve të veta se edhe kryeparlamentari Konjufca nuk është i interesuar që të bëhet pengesë në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse mes VV-së e LDK-së.

Sipas këtyre burimeve, ai nuk e ka aspak problem që të tërhiqet nga kjo pozitë, ku u zgjodh edhe me votat e LDK-së, por pa marrëveshje koalicioni.

Kurti ka edhe pak ditë deri në fillim të shkurtit, kur përfundon afati kushtetues 15 ditor për ta dërguar kabinetin dhe programin qeveritar në Kuvend.

Programi është gati, si dhe gjysma e anëtarëve të qeverisë të propozuar nga Kurti, por jo edhe pjesa e lënë për LDK-në, që po pret tërheqjen e kryeparlamentarit Konjufca.

Zyrtarë nga të dy partitë, nuk kanë dashur të flasin në lidhje me këto zhvillime, por ajo që vërehet ditëve të fundit, është një optimizëm në rritje në të dy kampet për arritjen e marrëveshjes.

Asnjërës parti nuk i konvenon dështimi, sepse shkuarja në zgjedhje të reja, mund të ketë kosto të paparashikueshme politike për secilën, duke i nxjerrë si tëpaafta për ta bërë atë që e promovuan vjet si “koalicionin e shpresës”. /Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco