Raporti i ‘Venecias’/ Zhulali: Meta nuk tejkaloi kompetencat

Raporti i ‘Venecias’/ Zhulali: Meta nuk tejkaloi kompetencat

11:15, 15/10/2019

Këshilltarja e Presidentit të Republikës për Integrimin Europian, znj. Ilda Zhulali në një intervistë të dhënë për ‘Ora News’ lidhur me Opinionin Final të Komisionit të Venecias, deklaroi ndër të tjera se ‘ky raport vërtetoi se Kreu i Shtetit nuk tejkaloi kompetencat dhe se qëllimi i tij ishte tërësisht legjitim’

Gazetari:Doja që ta nisnim tek opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias që e kam edhe këtu të datës 14 tetor 2019, për të mos shkaktuar edhe konfuzion, ndërsa Këshilltari i Presidentit tha se deklarata e publikuar më herët ishte gabim. Pse të dyja palët kanë dalë të kënaqura nga opinioni i Venecias? Duket sikur të dyja janë të lumtura nga ky opinion.

Ilda Zhulali:Në fakt unë dua të saktësoj çdo gjë, sepse Këshilltari i Presidentit nuk ka dalë me një vendim të ndryshëm. Këshilltari i Presidentit ka bërë të qartë faktin që në momentin që doli opinioni paraprak i Komisionit të Venecias, ky opinion ishte konfidencial dhe u dha në mënyrë konfidenciale për palët. Sepse ai ishte ende objekt shqyrtimi dhe diskutimi mes palëve, kështu që në asnjë moment ai nuk përbënte opinion përfundimtar dhe vendimin që Komisioni i Venecias kishte marrë mbi pyetjet që i kishte drejtuar Kuvendi i Shqipërisë. Ky ishte sqarimi i Këshilltarit të Presidentit në fakt, ashtu sikurse edhe ndodhi, sepse sot opinioni i Komisionit të Venecias është i ndryshëm nga ai që u publikua para pak kohësh. Dhe në fakt ka pësuar ndryshime substanciale dhe jo vetëm ndryshime kozmetike.

Gazetari: Çfarë janë këto ndryshime substanciale që ka pësuar opinion?

Ilda Zhulali: E para dua të them që për herë të parë opinioni i Komisionit të Venecias ndryshon në mënyrë të paprecedentë. Pra, herët e tjera ka pasur ndryshime shumë të vogla kozmetike dhe nuk janë bërë asnjëherë objekt i një debati të mirëfilltë. Për herë të parë Komisioni i Venecias është përqendruar në thelb të çështjeve që janë shtruar përpara tij nga Kuvendi i Shqipërisë. Çfarë ka thënë Komisioni i Venecias? Përpara se t’i përgjigjemi kësaj duhet të dimë përse është pyetur Komisioni i Venecias, përse është investuar.

Gazetari: Kuvendi i Shqipërisë ka ndërtuar një Komision Hetimor për të pyetur mbi legjitimimin e dekretit të 30 qershorit a po shtyrjen e zgjedhjeve me 13 tetor?

Ilda Zhulali: Jo! Kuvendi i Shqipërisë e shpalli me anë të një rezolute si të pavlefshëm dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, madje ai i bëri thirrje të gjithë institucioneve që të mos e zbatonin atë dekret. Përkundër kësaj, ata gjithashtu u angazhuan për të nisur menjëherë për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Gazetari: A e ka këtë tagër Kuvendi?

Ilda Zhulali: Absolutisht jo! Megjithatë e bëri dhe është fakt, dhe nuk i shpëtojmë dot këtij fakti. Përveç kësaj Kuvendi pra ngriti edhe një Komision Hetimor për të çuar në një vendimarrje për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës. Ky Komision Hetimor është ende në punë, por për të legjitimuar ndoshta përfundimet e këtij komisioni, Kuvendi i dërgoi një kërkesë Komisionit të Venecias nëse dhe ai mendonte se Presidenti i Republikës duhet shkarkuar apo jo! Dhe sot opininoni i Komisionit të Venecias thot qartësisht: Presidenti nuk mund të shkarkohet, e para.

Gazetari: 12 pyetjet drejtuar Komisionit të Venecias nuk kanë qenë për shkarkimin, ka patur pyetje për shkelje kushtetuese etj...

Ilda zhulali: Pikërisht pra, sepse në thelb të 12-të pyetjet e Kuvendit orientohen drejt kësaj vendimmarrje. Që Presidenti kishte shkelur Kushtetutën dhe kjo përbënte arsye të mjaftueshme për të shkarkuar Presidentin e Republikës. Opinioni i Komisionit të Venecias thotë ndryshe: Presidenti i Republikës nuk e ka shkelur Kushtetutën! Madje ndryshe nga opinion paraprak Komisioni i Venecia ka hequr dhe pjesën ku gjente se Presidenti mund të kishte tejkaluar kompetencat.

Gazetari: Pra,edhe çështjen e tejkalimit nuk e gjejmë tek opinioni përfundimtar.

Ilda Zhulali: Nuk e gjejmë është hequr. Ky është neni 99 në draftin paraprak, ku e gjithë kjo fjali është hequr në opinionin final, duke specifikuar ndër të tjera se Presidenti nuk ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese dhe nuk ka shkelur në asnjë moment Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por opinioni i Komisionit të Venecias thotë edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme: Dekretet e Presidentit të Republikës janë ende në fuqi, ato nuk janë sfiduar përpara asnjë gjykate të vendit.

Gazetari: Po ne nuk zhvilluam zgjedhje me datë 13 tetor?

Ilda Zhulali: Kjo është një çështje që duhet të adresohet me KQZ-në dhe me palët politike, sepse dekretet e Presidentit nuk janë për zbatim nga Presidenti, ato u drejtohen për zbatim të gjitha palëve. Në këtë rast përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve nuk e ka Presidenti, por e ka mazhoranca së bashku me KQZ-në. Ato duhet të japin përgjigje përse nuk u zhvilluan zgjedhje me 13 tetor.

Gazetari: Kemi dhe rastin kur dekreti i Presidentit nuk publikohet në Fletoren Zyrtare, pra më duket si një rast i paprecedentë?

Ilda Zhulali: Kjo është një tjetër shkelje që e njeh edhe opinioni i Komisionit të Venecias. Në mënyrë të pakuptimtë Ministria e Drejtësisë vendosi të mos publikojë dekretin e dytë të Presidentit të Republikës, por këto janë gjithmonë përgjigje që nuk mund t’i japë Institucioni i Presidentit të Republikës, por duhet t’i japin institucionet që kanë përgjegjësi për to.

Gazetari; Partia Socialiste ka ndërmend të vijojë edhe më tej me procedurën e shkarkimit të Presidentit. A mund ta shpjegojmë më saktë nga ana kushtetuese se si funksionon procedura e shkarkimit të Presidentit, sepse deri më tani thuajse, jo se e ezauruam, por po rrinim brenda kësaj lloj procedure. Kemi komisionin që ndërtohet nga Kuvendi, më pas kalojmë te Gjykata Kushtetuese...

Ilda Zhulali: Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që ne të ezaurojmë të gjitha pikat kryesore të opinionit të Komisionit të Venecias, sepse ky është lajmi sot. Mënyrën se si do të vijojë mazhoranca, praktikën që do të ndjekë ajo, nëse do ta ndjekë apo jo, sepse duhet të marrë një vendim në radhë të parë se çfarë do të bëjnë, është një çështje që vjenpas kësaj, por më e rëndësishmja sot është të sqarojmë deri në fund se çfarë ka thënë opinioni i Komisionit të Venecias.

Gazetari: Pra, kemi një opinion të Komisionit të Venecias, i cili sanksionon që nuk kemi shkelje të Kushtetutës, heq figurën e tejkalimi të kompetencave të...

Ilda Zhulali: Nuk ka tejkaluar kompetencat kushtetuese.

Gazetari: Pra, i heq të dyja termat, edhe shkeljen dhe tejkalimin. Ky komision i ngritur për të hetuar shkeljet e Presidentit, a ka më kuptim?

Ilda Zhulali: Kuptimin e kësaj, duhet ta gjejnë vetë ata që ngritën këtë komision. Ata, që janë investuar për të ngritur një pretendim për shkarkimin e Presidentit. Ajo çfarë është e rëndësishme sot është që gjithë shqiptarët ta dinë njëherë e mirë se çfarë ka ndodhur në vend, edhe nga ana ligjore, dhe se çfarë mendojnë ekspertët më të mirë të së drejtës mbi situatën në vend.

Tjetër element shumë i rëndësishëm i këtij opinion ishte që Komisioni i Venecias, pranon se Presidenti pati një qëllim legjitim për shtyrjen e zgjedhjeve. Pra, Presidenti nuk mori një vendim nga asgjëja, por ai ishte i detyruar për shkak të rrethanave specifike,të paprecedenta ku ndodhej Shqipëria për ta ndërmarrë këtë hap. E para, për të shmangur gjakderdhjen në vend. E dyta, për pluralizmin politik në vend dhe e treta, për të mbrojtur kredencialet demokratike të Shqipërisë.

Gazetari: Po ju pyes në një formë tjetër. Po nuk ra Presidenti, do të thotë që bie 30 qershori?

Ilda Zhulali: Unë besoj se sot është e qartë që as Presidenti nuk bie ashtu sikurse dekreti i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor është në fuqi. Këtë dekret mund ta marrë në shqyrtim vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila është ende jofunksionale prej 19 muajsh deri në momentet që flasim dhe ky dekret i Presidentit, nuk është sfiduar në asnjë Gjykatë tjetër. Pra, çdo lloj vendimmarrje që pretendohet që është marrë lidhur me dekretin e Presidentit, është e pavlerë nga ana ligjore. Këtë e thotë qartë Komisioni i Venecias sot.

Gazetari: Do të doja të ndalesh pikërisht tani që përmendët Gjykatën Kushtetuese, pasi Komisioni i Venecias, në faqen 17, pika 80, ka një konkluzion tejet interesant, pikërisht sa i përket formimit të Gjykatës Kushtetuese, që tashmë është dhe një ndër temat më të rëndësishme sa i përket hierarkisë institucionale të së drejtës në vendin tonë. Aty thuhet: teksa shkojmë me formimin e Gjykatës Kushtetuese, duhet mbajtur parasysh pesha politike që ka kjo çështje. A ndikon politikisht te përzgjedhja e kandidatëve, kjo peshë kaq e madhe që do të ketë Gjykata Kushtetuese pikërisht në këto momente, kur edhe vetë Komisioni i Venecias thotë që çështja e Presidentit, legjimiteti i Presidentit, për shkeljen ose jo të Kushtetutës dhe 30 qershori, shkaktojnë një lloj peshe politike? Sipas mendimit tuaj, si e komentoni pikërisht pikën 80?

Ilda Zhulali: Në fakt duhet t’ju korrigjoj, sepse 30 qershori në vetvete nuk është bërë asnjëherë objekt i shqyrtimit të këtij opinioni. E vetmja mënyrë tangenciale nëpërmjet të cilës ai përmendet është me faktin që dekretet e Presidentit të Republikës janë në fuqi dhe kjo është e padiskutimtë.

Lidhur me pyetjen tuaj, në fakt Komisioni i Venecias është shprehur në mënyrë eksplicite vetë, pa na lënë ne mundësi për ta interpretuar, kur thotë në nenin 80, se është për të ardhur keq, - thotë Komisioni i Venecias -, që Gjykata Kushtetuese mund të themelohet me një çështje kaq të rëndësishme tashmë në pritje. Ndërsa, përbërja e një Gjykate Kushtetuese është gjithnjë me interes të madh për aktorët politikë, trajtimi i një rasti të tillë specifik në kohën kur bëhet edhe përzgjedhja e gjyqtarëve, nuk është sfondi ideal për të siguruar pavarësinë e tyre.

Pra, është vetë Komisioni i Venecias, që paralajmëron që keni kujdes, sepse kjo çështje nëse gjykohet, vihet përpara gjykimit, sigurisht që do të influencohet nga përzgjedhja e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Natyrshëm lind pyetja përse? Kush e bën për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kush i ka në dorë mekanizmat që sigurojnë pavarësinë e tyre? Kjo është një nga çështje që shtron edhe Komisioni i Venecias, ashtu sikundër edhe raporti i OSBE/ODIHR-it më herët kishte shtruar po të njëjtat problematika mbi Kolegjin Zgjedhor dhe vendimin që ato morën në raport me zgjedhjet. Kështu që këto gjëra tashmë dihen nga të gjithë qytetarët shqiptarë, ne nuk është se po themi ndonjë gjë që nuk dihet. Por, besoj se e thënë nga goja e Komisionit të Venecias kjo çështje merr një peshë specifike dhe përbën një paralajmërim serioz për klasën politike shqiptare, për rrugën që ajo kërkon të ndjekë.

Gazetari: Sipas jush a ka patur ndikim politik në themelimin e institucioneve të reja të drejtësisë?

Ilda Zhulali: Sigurisht, që gjithë reforma në drejtësi ka qenë pjesë e një diskutimi, angazhimi, pse jo edhe përplasjesh politike. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme është që Reforma në Drejtësi u miratua me 140 vota unanime në Kuvendin e Shqipërisë, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Është për të ardhur keq, që zbatimi i kësaj reforme nuk ndoqi këtë frymë, pra frymën konsensuale dhe as rekomandimet e Komisionit të Venecias, por u zbatua në mënyrë të njëanshme. Rastet se kur dhe si është bërë kjo, janë bërë publike edhe nga Presidenti i Republikës, por edhe nga aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare dhe tashmë përbëjnë një problem serioz për vendin. Fakti që ne prej 19 muajsh, nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese, funksionale është një problem serioz për kushtetutshmërinë në këtë vend, për të ruajtur balancën dhe kontrollin e pushteteve e të tjera pasoja që vijnë pas kësaj.

Kështu që kthimi sa më shpejt në shinat kushtetuese, si edhe në kuadër të rekomandimeve shumë dashamirëse që ka bërë Komisioni i Venecias për reformën në drejtësi, janë një domosdoshmëri.

Gazetari: Përsa kohë që Komisioni i Venecias në opinionin përfundimtar thotë se dekretet e Presidentit të Republikës janë ende në fuqi, si procedohet në këto lloj rastesh?

Ilda Zhulali: Përsa kohë dekretet e Presidentit të Republikës nuk sfidohen nga Gjykata Kushtetuese, nuk hidhen poshtë, do të thotë se zgjedhjet e pretenduara të 30 qershorit janë të pavlefshme.

Do të thotë që palët politike duhet përsëri të ulen së bashku, kurse dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Është e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza. Kjo në fakt është edhe një nga gjetjet kryesore të Komisionit të Venecias, që thotë se bojkoti zgjedhor pavarësisht se është një fenomen shumë problematik, përsëri zgjidhja e krizave që krijon nuk vjen përmes rregullimeve ligjore, por duhet të vijë vetëm përmes vullnetit politik. Është ai që është mbizotërues dhe vendimtar për kapërcimin e situatave të tilla. Do të ishte e udhës që të gjitha palët ta kuptonin mirë se cilat janë prioritetet e vendit. Ditët e ardhshme do të merret vendimi nga Këshilli i BE-së për çeljen ose jo të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe në fakt e gjithë energjia kombëtare do të duhej të ishte e përqendruar për një vit të tërë, pikërisht për këtë synim: çeljen e negociatave me BE-në.

Në fakt, e gjithë energjia u përqendrua në një krizë dhe thellimin e krizës deri në krijimin e një situate ekstreme që gati po përfundonte në gjakderdhje në Shqipëri. Pra,ishte një energji e humbur kot që rrezikon humbjen e një stacioni tepër të rëndësishëm për Shqipërinë. Është me interes jetik do të thoja unë për Shqipërinë që të mos ndahet nga Maqedonia e Veriut në këtë vendim, por të dyja vendet të ecin bashkë përpara.

Keni parasysh që Shqipëria në fillimet e saj ka qenë vendi që i ka paraprirë të gjitha vendeve të tjera të rajonit në procesin e integrimit europian dhe sot e kësaj dite mbetet peng për shkak të arsyeve të mungesës së dialogut politik, të vullnetit të mirë të politikanëve për zvarritjen e procesit, për mosrealizimin e reformave. Atyre reformave, që jo thjesht i kërkon Brukseli, por që lidhen me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, që ata të mos detyrohen që të bëjnë gati valixhet dhe të ikin nga vendi. Shifrat që ne kemi sot të azilkërkuesve shqiptarë nëpër Europë janë alarmante dhe ky fenomen nuk trajtohet duke shtrënguar masat në kufi, por duke përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë, që ata të mos kenë arsye, të mos kenë motiv për t’u largur nga Shqipëria.           

Gazetari: Megjithatë, Kryeministri Edi Rama ka vendosur të çojë përpara nismën për shkarkimin e Presidentit Meta dhe ditën e sotme ka mbledhur një grup ekspertësh pikërisht për këtë synim. Pra, ekzekutivi kërkon që të çojë përpara shkarkimin e Presidentit Meta. Ndërkohë ju jeni këshilltare e Presidentit Meta për çështjet e integrimit europian. Komisioni i Venecias ka sanksionuar se nuk kemi të bëjmë me shkelje dhe tejkalim të Kushtetutës, pra asnjë prej këtyre dy pikave. Gjithashtu, thotë se nuk duhet shkarkuar Presidenti i Republikës. A mendoni ju se do të ndikojë apo edhe ka ndikuar pikërisht kjo nismë e ekzekutivit për të shkarkuar Presidentin në procesin e çeljes së negociatave?        

Ilda Zhulali: Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem me atë çfarë ka thënë Komisioni i Venecias përsëri. Nuk do t’ia heqim të drejtën që ata të mbizotërojnë sot në këtë ditë, sepse është keqpërdorur tejmase opinioni i tyre.

Atëherë, Komisioni i Venecias ka paralajmëruar dhe në një farë mënyrë ka dashur të udhëheqë në mënyrë dashamirëse autoritetet shqiptare në kursin e tyre pas këtij opinioni. Dhe thotë, do t’i mbetet Kuvendit që të vendosë nëse shkarkimi i Presidentit do të ulë apo do të rrisë tensionet në vend. Nëse do t’i shërbejë apo do ta prishë qëllimin për të ruajtur kontrollin dhe balancën në një situatë kur parlamenti dhë të gjitha bashkitë dominohen nga një parti. Ndaj pyetja që i shtrohet Kuvendit sot nga Komisioni i Venecias është nëse ndjekja deri në fund, pra me këmbëngulje e kërkesës për shkarkimin e Presidentit, a do t’i shërbente kjo unitetit të popullit?

Në momentin që Komisioni i Venecias është kaq i shqetësuar për situatën në Shqipëri, është kaq i shqetësuar për prishjen e kontrollit dhe balancës në Shqipëri, është kaq i shqetësuar për unitetin e popullit shqiptar, unë e kam të vështirë ta besoj që qeveria e Shqipërisë nuk shqetësohet për këto. Kështu që do të shpresoja që ata do të reflektojnë me kujdes, me ngadalë, do të marrin kohën e duhur edhe për të përballuar këtë opinion, edhe pse nuk i përmbushi pritshmëritë e tyre, por do t’i kthehen arsyes dhe për të bërë më të mirën për vendin. Unë do ta uroja shumë këtë.               

Gazetari: Pra, ju po thoni se nuk doni që të shkohet drejt një përplasjeje ku mazhoranca të shkojë drejt shkarkimit të Presidentit, sepse nuk është në të mirë të unitetit të popullit?

Ilda Zhulali: Nuk po e them unë këtë, e citova si paragraf të thënë nga Komisioni i Venecias. Pra, kur Komisioni i Venecias ka këtë shkallë vlerësimi për ne, atëherë si mundet që të gjithë aktorët e tjerë vendas të jenë fare të pashqetësuar me atë çfarë po ndodh në vend.

Është ajo që thashë më parë, pse mbledhja e të gjitha energjive do të jetë negative në Shqipëri? Përse gjithë këto energji që shpenzohen të mos jenë pozitive për të mirë gjëra të mira për vendin? Ju kujtoj këtu që kriza politike, kushtetuese, institucionale dhe e përfaqësimit në vend nuk u shkaktua nga Presidenti i Republikës. Edhe shkarkimi i Presidentit të Republikës nuk do ta zgjidhë krizën në vend. Kriza do të mbetet këtu në qoftë se palët nuk do të kenë vullnetin për t’u ulur, për të biseduar me njëri-tjetrin dhe për t’i dhënë zgjidhje të gjitha problemeve akute që ka Shqipëria. Presidenti i Republikës do të vazhdojë që të respektojë Kushtetutën e Shqipërisë. Do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë pa asnjë dallim, duke i shërbyer së pari dhe mbi të gjitha interesit kombëtar dhe jo interesave partiake.

Gazetari: Duke qenë se po flasim pikërisht për unitetin e popullit dhe pikërisht Presidenti i Republikës në bazë të Kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, a do të thërrasë sërish Presidenti për dialog palët politike?        

Ilda Zhulali: Presidenti i Republikës nuk do të ndalet për asnjë moment së bëri thirrje palëve, jo vetëm për t’i thirrur ato, por nuk do të ndalë për asnjë moment përpjekjet që palët të ulen në dialog. Ai e ka bërë këtë përpara dekreteve të tij, e ka bërë pas dekreteve të tij dhe vazhdon ta bëjë çdo ditë. Kështu që ju nuk duhet ta vini kurrsesi në dyshim këtë gjë.

Gazetari: Pra, Presidenti Meta është gjithnjë i hapur për të qenë intelokutori midis palëve që ato të dialogojnë me njëra-tjetrën dhe e ka gati një tryezë ku palët mund të ulen për zgjidhjen e një krize?

Ilda Zhulali: Presidentit do të mbetet në rolin e tij si moderator edhe në rastet e zgjidhjes së krizave, si një nga rolet që ia parashikon dhe ia njeh Kushtetuta. Sepse Komisioni i Venecias sot ndër të tjera theksoi që Presidenti i Republikës nuk ka thjesht kompetenca formale, ceremoniale, por ka kompetenca substanciale, që lidhen me ushtrimin e rolit dhe autoritetit të tij, përfshirë këtu edhe si moderator për uljen e palëve në dialog edhe në kushtet e krizave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco