'Tre skenarët e mundshëm për formimin e institucioneve të reja'

'Tre skenarët e mundshëm për formimin e institucioneve të reja'

22:55, 04/03/2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka publikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, për Kuvendin e Kosovës për vitin 2021, e cila pritet të konstituohet pas përfundimit të afateve ligjore për ankesa dhe parashtresa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Albana Rexha nga Demokraci Plus (D+) në një intervistë për Telegrafin ka thënë se gjasat për formimin e Qeverisë së Kosovës janë shumë të mëdha që të bëhet shumë shpejt, pasi siç tha ajo për herë të parë në historinë e Kosovës një parti politike (Lëvizja Vetëvendosje) ka arritur të marrë një numër të madh të votave.

“Pas shpalljes së rezultateve sot nga KQZ-ja kemi vërejtë një përbërje më ndryshe të parlamentit krahasuar nga herët e kaluara. Kjo pasi që për herë të parë në historinë e Kosovës një parti politike, pra LVV-ja ka arritur të marr një numër kaq të madh të deputetëve, pra 58 deputetë. Duke e pasur këtë numër të madh të deputetëve vlerësoj se nuk do të jetë e vështirë formimi i qeverisë së re, pasi që duhet një shumicë e thjeshtë e votave prej 61 deputetëve”, tha ajo.

Ajo po ashtu tha se është për t’u përshëndetur numri më i madh i përfaqësimit të grave deputete të dala nga këto zgjedhje, në Kuvendin e Kosovës.“Sa i përket përbërjes së Kuvendit janë disa aspekte që duhet veçuar, përveç numrit të madh të votave dhe deputetëve që ka marrë kjo parti është gjithashtu dhe numri më i madh i përfaqësimit të grave në Kuvend”, theksoi Rexha.

Sipas saj, numri i madh i deputetëve të LVV-së do ta lehtësojë formimin e qeverisë së re e cila siç shprehet Rexha do të çojë përpara agjenda legjislative në mënyrë të suksesshme.

“Numri i madh i deputetëve të Kosovës përveç që e lehtëson formimin e qeverisë së re në bashkëpunim me partitë tjera minoritare jo serbe, do të jetë shumë më e lehtë të çohet përpara agjenda legjislative në mënyrë më të suksesshme se sa herët e kaluara. Besoj që përveç kësaj do të diskutohen dhe tema të tjera shumë më substanciale në kuvendin e ri, siç është zhvillimi ekonomik e shëndetësia, të cilat janë brenga për qytetarët. Po ashtu edhe prioritetet në dialogun e jashtëm siç është dialogu me Serbinë apo anëtarësimi i Kosovës në organizatat e huaja internacionale”, tha tutje Rexha nga D+.Albana Rexha nga Demokraci Plus (D+)

Sa i përket konsolidimit të institucioneve duke përfshirë zgjedhjen e presidentit, qeverisë dhe kryeparlamentarit, Rexha i sheh tre skenarë të mundshme politike.

“Shoh tre skenarë të mundshme. E para është formimi i qeverisë së re me 61 deputetë dhe të bëhet votimi i presidentit të vendit me propozim të LVV-së, si dhe një marrëveshje politike me njërën nga partitë e mëdha në mënyrë që të kemi kuorum gjatë votimit të presidentit. E dyta që ka më pak gjasa të ndodh është shkuarja në zgjedhjet e reja, por gjithashtu është skenari më së paku i pëlqyer nga të gjithë, pra mos arritja e një kompromisi nga ana e LVV-së me ndonjërën nga partitë e tjera, ose thënë ndryshe bllokimi i votimit nga ana e partive tjera në vend duke përfshi LDK-në, PDK-në dhe AAK-në, edhe pse shoh hapësirë për bashkëpunim me LDK-në nëse ndërrohet kryesia e saj. Dhe e treta për të cilën vlerësoj që ka shumë pak gjasa të ndodh është një koalicion i mundshëm mes LVV-së me njërën nga partitë më të mëdha me qëllim të votimit të presidentes, e rrjedhimisht përfshirjes së asaj partie në qeveri”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco