Dje me Kurtin, sot me Vjosën: Çka kërkoi Lajcak nga këta dy

Dje me Kurtin, sot me Vjosën: Çka kërkoi Lajcak nga këta dy

09:41, 02/03/2021

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, si dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është duke qëndruar në Kosovë, për një vizitë tri ditore.

Lajçak deri tani është takuar me u.d e presidentes Vjosa Osmanin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Por çka kërkoi Lajçak në takimet e ndara me dy personalitet që dolën fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit në vend?

Lajçak tha se pas takimit të mbrëmshëm me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe takimit të sotëm me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani u dakorduan për vazhdimin e dialogut me Serbinë

“Kjo është vizita ime e tretë në kapacitetet që kam, siç edhe kam thënë në vizitën e kaluar pres që të vijë më shpesh këtu”.

“Pas takimeve që kam pasur me Osmanin dhe Kurtin dhe diskutimeve që kemi pasur jemi dakord për vazhdimin e dialogut që ka nisur që ka korriku”, tha Lajçak.

Por, i pari i VV-së pas takimit të mbrëmshëm  ka lënë të nënkuptohet  se dialogu vazhdon të jetë prioritet i katërt i qeverisjes së tij.

“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – edhe për BE-në, Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”, tha ai.

Ndryshe nga Kurti, Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën për media pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian nuk ka folur se cilin vend do ta zë dialogu në listën e prioriteteve.

Osmani pas takimit ka deklaruar se në procesin e dialogut, institucionet duhet të kenë koordinim me opozitën, shoqërinë civile dhe mediat.

“Do punojmë me mediat dhe shoqërinë civile që të kemi bashkëpunim në këtë proces. Presim që të ketë koordinim shumë të madh me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht që Serbia s’ka kërkuar falje për krimet, Kosova ka qenë pjesë e dialogut”, ka deklaruar Osmani,

Kujtojmë se pas takimit me Osmanin e Kurtin, Lajçak pret në takim kryeministrin në detyrë Avdullah Hotin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco