Çfarë thotë Rezoluta e OKB-së, me të cilën po flet BE, kur i kërkon Kosovës të mos e hapë ambasadën në Jerusalem

Çfarë thotë Rezoluta e OKB-së, me të cilën po flet BE, kur i kërkon Kosovës të mos e hapë ambasadën në Jerusalem

22:45, 01/03/2021

Zyra e Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në përgjigjen për Reporteri.net tha se qëndrimi i saj për çështjen e Jerusalemit ka mbetur e pandryshuar. Në përgjigje theksohej se politika e BE është në linjë me Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar.

Por çfarë përmban Rezoluta 478 që BE i referohet?

Rezoluta 478 është miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së më 20 gusht 1980.

Kjo rezolutë nënvizon mosrespektimin e Rezolutës 476 nga ana e Izraelit dhe dënon ligjin e Jerusalemit të nxjerrë nga Izraeli më 1980 ku shpallej se Jerusalemi është kryeqyteti i plotë dhe i pandarë i Izraelit.

Por kjo rezolutë e shpalli këtë pretendim të Izraelit në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Nëpërmjet Rezolutës 478, KS i OKB-së theksoi mos njohjen e Ligjit të Jerusalemit dhe ftoi vendet anëtare të OKB-së të pranojnë këtë rezolutë.

Tutje kjo rezolutë ftoi vendet anëtare të OKB-së të tërheqin misionet diplomatike nga qyteti i Jerusalemit.

“KS vendos të mos njohë “ligjin bazik” dhe të tjera veprime të Izraelit që si rezultat i këtij ligji përpiqet të ndryshojë karakterin dhe statusin e Jerusalemit dhe a) fton të gjitha vendet anëtare të pranojnë këtë vendim dhe b) të gjitha ato vendet që kanë themeluar misione diplomatike në Jerusalem t’i tërheqin këto mision nga Qyteti i Shenjtë”, thuhet në tekstin e Rezolutës 478.

Në tekstin e Rezolutës 478 thuhej se Ligji i Jerusalemit është një pengesë serioz drejt arritjes së një paqe të përgjithshme, të drejtë dhe të përhershme në Lindjen e Mesme.

Rezoluta u aprovua me 14 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe me vetëm një abstenim.

Vendi që abstenoi në këtë votim ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkrahësi më i madh i Izraelit, ani pse ShBA gëzon të drejtën e bllokimit të çfarëdo vendimi në Këshill të Sigurimit nëpërmjet mekanizmit të vetos.

E ky vend e kritikoi ashpër aprovimin e Rezolutës 478.

Gjatë së hënës, në një përgjigje për Reporteri.net, BE tha se Kosova duhet të veproj në përputhje me prioritetin e saj strategjik të anëtarësimit në BE.

“Kosova e ka identifikuar integrimin në BE si prioritet të strategjik dhe pritet të veprojë në përputhje me këtë angazhim. Në përputhje me Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1980, që fton të gjithë anëtarët e OKB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e shteteve anëtare të BE-së si dhe Delegacioni i BE-së në Izrael janë të vendosura në Tel Aviv”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Borellit, Dinka Zivalj, shkruan Reporteri.net.

Kujtojmë që sot Albin Kurti i premtoi ambasadorit turk se do ta rishqyrtojë vendndodhjen e ambasadës së Kosovës në Izrael.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco